Qytetarët, pa përjashtim, duan të kenë më pak aksidente trafiku dhe të ketë më pak viktima dhe pasoja nga këto aksidente. Është gënjeshtër që “Qyteti i Sigurt” ka prapvijë etnike, për momentin është zbatuar në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe në korridoret 8 dhe 10. Analizat tregojnë se tre të katërtat e shkeljeve janë bërë në Shkup, por njëkohësisht tregojnë se nga 110–150 mijë shkelje në këtë periudhë testimi janë reduktuar në 7–8 mijë, theksoi Kryeministri Hristijan Mickoski në Kuvend, I pyetur për padinë e dorëzuar nga Zijadin Sela në Gjykatën Kushtetuese lidhur me projektin “Qyteti i Sigurt”.
-Disa gjëra, thjesht edhe politikanë me përvojë si Zijadin Sela, qoftë me qëllim, qoftë të vetëdijshëm ose të pavetëdijshëm, përpiqen t’i paraqesin në mënyrë që të mos përputhen me realitetin. Mendojnë se nëse dalin në publik me mesazhe se janë kundër një grupi etnik, apo në favor të një grupi tjetër, do të fitojnë pikë politike dhe një farë legjitimiteti politik. Por faktet tregojnë të kundërtën: sa më shumë të ketë shfaqje të tilla, aq më shumë kthehemi prapa në politikë dhe aq më pak mbështetje marrim nga qytetarët”, theksoi Mickoski, duke vënë në dukje mbështetjen e madhe publike për projektin.
-Kur t’i pyesni qytetarët përmes organizimit të anketave, opinionit publik, në mënyrë aklamative, më shumë se 80 përqind e mbështesin. Më shumë se dy të tretat e shqiptarëve e mbështesin. Prandaj, nuk më është e qartë kujt i drejtohet paditësi në Gjykatën Kushtetuese, një person që me dekada është i pranishëm në skenën politike. Në politikë është elementare, nëse nuk dini çfarë të bëni, bëni një matje të opinionit të qytetarëve për të dëgjuar opinionin publik, çfarë mendojnë. Pastaj hyni në çfarëdo aventure. Statusi për momentin është ky: 80 përqind e qytetarëve e mbështesin. A do të vazhdojë kjo dhe në çfarë intensiteti do të rritet apo ulet – do ta shohim. Por ne jemi të vetëdijshëm për të gjithë rrezikun dhe hyjmë në projekt me një qëllim vetëm, dhe ai është të shpëtojmë më shumë jetë njerëzish. Nuk ka tjetër motiv.
Duke theksuar se një sistem i tillë ekziston në pothuajse çdo metropolë evropiane, Mickoski zbuloi se faza tjetër, pas “Qytetit të Sigurt”, do të jetë projekti “Shteti i Sigurt”.
-Pason faza tjetër, “Shteti i Sigurt” me të cilin do t’i sigurojmë kufijtë, do të kemi sistem për zbulim të hershëm të zjarreve, do të gjejmë fajtorët që kryejnë këtë lloj sulmesh hibride ndaj shtetit dhe qytetarëve, t’i zbulojmë menjëherë dhe t’i çojmë para drejtësisë. Një sistem me të cilin kriminelët nuk do të ikin përtej kufirit pasi kryejnë krim, por do të identifikohen menjëherë, do kapen, do sanksionohen dhe do të çohen aty ku duhet të jenë.
Ky është thelbi i një Qeverie të përgjegjshme. Dhe këto janë hapa të guximshëm në politikë. Nuk janë hapa të guximshëm ndryshimet kushtetuese apo ndryshimet e emrave me forcë. Ky është një hap i guximshëm, që do të sjellë cilësi në jetën e qytetarëve dhe do të shpëtojë jetë njerëzish, është një hap i guximshëm edhe me kosto politike. Këto janë hapa të guximshëmnë favor të shtetit, theksoi Mickoski, i cili gjithashtu u dërgoi mesazhe politikanëve.
-Kërkoj që të gjithë politikanët të sillen me përgjegjësi, sidomos kur bëhet fjalë për projektin “Qyteti i Sigurt”. Ai nuk ka asnjë përkatësi etnike, qëllimi është të shpëtojë jetë njerëzish dhe ta zvogëlojë rrezikun nga aksidentet e komunikacionit me pasoja fatale, theksoi Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë seancës parlamentare për pyetje të deputetëve.