Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, zhvilloi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Janis Malukos, në të cilin u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij në fushën e reformës së administratës publike.
Ministri Minçev i dëshiroi ambasadorit Malukos mision të suksesshëm diplomatik, duke shprehur pritjen se partneriteti i deritanishëm ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet përmes nismave konkrete, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes së ekspertëve në proceset reformuese.
„Qëllimi ynë është i qartë, administratë publike që punon në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase, ndërsa qytetarët ta ndiejnë këtë përmes shërbimeve që marrin. Prandaj, për ne është i rëndësishëm bashkëpunimi me partnerët që mund të kontribuojnë me njohuri, përvojë dhe praktika të mira, të cilat do t’i shndërrojmë në rezultate konkrete”, theksoi ministri Minçev.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimit të Akademisë për Përsosje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativë. Ministri Minçev theksoi aktivitetet e deritanishme dhe prioritetet për zhvillimin e saj të mëtejshëm. Në këtë drejtim, u shqyrtuan mundësitë për përfshirjen e institucioneve greke në aktivitetet e ardhshme përmes shkëmbimit të përvojave, zhvillimit të programeve të trajnimit, përsosjes profesionale të trajnerëve dhe transferimit të praktikave të mira.
Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve që kontribuojnë në zhvillimin e nëpunësve administrativë profesionalë dhe të përgjegjshëm, institucioneve më efikase dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Qëllimi i reformave është që ndryshimet të mos mbeten vetëm në letër, por të vërehen në funksionimin e përditshëm të institucioneve dhe në cilësinë e shërbimeve që merr çdo qytetar.