Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot zhvilloi një takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, znj. Rita Kolumbija. Në takim u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Kornizës së re për Bashkëpunim KB - Maqedonia e Veriut 2026–2030, me fokus në qeverisjen e mirë, zhvillimin institucional dhe përforcimin e kapaciteteve të administratës publike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Akademisë për Përsosje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativë, e cila pritet të fillojë punën në vitin 2027. U diskutua për mundësitë e mbështetjes nga sistemi i KB-së në zhvillimin e trajnimeve, moduleve dhe trajnerëve, me qëllim që zhvillimi i vazhdueshëm profesional të bëhet pjesë përbërëse e funksionimit të administratës publike. Në këtë kontekst, u përmend edhe bashkëpunimi i deritanishëm me UNDP-në në vendosjen e sistemit për menaxhim me mesimin-LMS.
„Reforma e administratës publike nuk nënkupton vetëm hartimin e ligjeve. Vlera e saj e vërtetë qëndron në atë që qytetarët të kenë institucione që funksionojnë në mënyrë më efektive, më profesionale dhe në interes të tyre. Prandaj, për ne janë të rëndësishme partneritetet që sjellin njohuri, përvojë dhe mbështetje konkrete“, theksoi ministri Minçev.
Ministria e Administratës Publike do të vazhdojë ta thellojë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe partnerët përmes iniciativave dhe aktiviteteve konkrete, të orientuara drejt mbështetjes së prioriteteve dhe proceseve reformuese në administratën publike, me qëllim kontributin në krijimin e një administrate publike më efikase, profesionale dhe moderne, në shërbim të qytetarëve.