Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, mbajti fjalim në diskutimin publik me temë “Zbatimi i Ligjit për Përsosje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ”, i organizuar nga Ministria e Administratës Publike në kuadër të projektit “Mbështetje për themelimin e Akademisë për Përsosje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ”, i cili realizohet në partneritet me Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) dhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Francës në Shkup.
Në këtë ngjarje fjalë rast mbajtën edhe ambasadori i Republikës së Francës, Sh. T. Z. Christophe Le Rigoleur, Dr. Neda Maleska Saçmaroska, drejtoreshë ekzekutive e QMN-së, eksperti francez Prof. Dr. Jean-Michel Eymeri-Douzans nga Instituti për Studime Politike në Tuluz, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme për Administratë dhe Shërbim Publik të Francës (DGAFP). Të pranishëm ishin edhe mysafirë nga kori diplomatik, funksionarë qeveritarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, sektorit civil dhe komunitetit akademik.
Në fjalimin e tij, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, theksoi se me miratimin e ligjeve të reja për administratën publike, dhe veçanërisht me Ligjin për Përsosje Profesionale dhe Trajnim, po vendosen standarde të reja në shërbimin publik.
“Ligji për Përsosje Profesionale dhe Trajnim të nëpunësve publik është një ndryshim thelbësor. Një ndryshim që tejkalon dallimin dhjetëra vjeçar midis dëshirës për një administratë evropiane dhe realitetit që po ndërtojmë sot – një administratë moderne, profesionale dhe e përgjegjshme,” theksoi ministri Minçev.
Ai potencoi se partneriteti me Ambasadën Franceze dhe me institucionet franceze dëshmon besimin e partnerëve evropianë në reformat që bazohen në njohuri, transparencë dhe rezultate.
“Projekti ‘Fuqizimi i Kapaciteteve dhe Profesionalizimi i Administratës’, të cilin po e realizojmë me mbështetjen e Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin Kombëtar për Administratën Publike (INSP), Drejtorinë e Përgjithshme për Administratë dhe Shërbim Publik dhe Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve, paraqet një themel të vërtetë për krijimin e një sistemi të ri – një sistem në të cilin institucionet nuk janë formalitet, por mjet për zhvillim,” deklaroi ministri.
Ministri Minçev njoftoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi do të themelohet Akademia për Përsosje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ, si një institucion që do të bëhet “zemra e profesionalizimit të shërbimit publik”.
“Me themelimin e Akademisë, e cila do të strukturohet në kuadër të këtij projekti franko-maqedonas, krijojmë një institucion që do të jetë zemra e profesionalizimit të shërbimit publik. Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, ne rregullojmë në mënyrë sistematike dhe institucionale trajnimet profesionale të nëpunësve publik,” tha Minçev, duke shtuar se “çdo nëpunës administrativ – nga më i riu deri tek më me përvojë – do të ketë mundësi të avancojë, të fitojë njohuri të reja dhe të shfaqë kapacitetin e tij profesional.”
Në fjalimin e tij, ministri falënderoi ambasadorin e Francës, QMN-në dhe të gjithë partnerët që kontribuojnë në realizimin e reformave në administratën publike.
“Ky është një partneritet midis shtetit dhe njerëzve të tij, midis institucionit dhe nëpunësit, midis njohurisë dhe interesit publik,” theksoi ai.
Ngjarja përfshiu dy panele diskutimi me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët prezantuan modelet dhe përvojat në organizimin e akademive të trajnimit, si dhe praktikat më të mira në edukimin e vazhdueshëm të nëpunësve publik.
Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar ndaj reformave që çojnë drejt krijimit të një administrate publike profesionale, transparente dhe evropiane, e cila do të jetë themel i një shteti modern dhe të përgjegjshëm.