Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme sot u mbajt ceremonia qendrore me rastin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Maqedonisë, me ç'rast fjalime mbajtën ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike Aleksandar Janev.
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se policia e Maqedonisë mbetet shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit, duke nënvizuar se institucionet kanë kapacitet të përballen me vendosmëri ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Vitin e kaluar e përfunduam me ulje të kriminalitetit të përgjithshëm për më shumë se gjashtë për qind. Janë shkatërruar 16 grupe të organizuara kriminale, në të cilat vepronin 205 persona. Në pjesën e luftës kundër korrupsionit janë realizuar disa procedura të rëndësishme, përfshirë edhe raste të profilit të lartë, ndërsa janë shkatërruar edhe katër grupe kriminale. Veçanërisht është me rëndësi që kriminaliteti i përgjithshëm shënon rënie dhe është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit. Efikasiteti arrin në 67,2%, që po ashtu paraqet nivelin më të lartë në po këtë periudhë”, theksoi ministri Toshkovski.
Ai shtoi se paralelisht me aktivitetet e sigurisë, Ministria po punon intensivisht edhe në modernizimin e institucionit dhe avancimin e shërbimeve për qytetarët.
“Janë renovuar shërbimet administrative në Shkup, ndërsa janë hapur edhe tetë shërbime të reja administrative në mbarë vendin, me ç’rast përmirësohet dukshëm qasja në shërbime. Pas më shumë se 15 vjet janë siguruar 120 automjete të reja bashkëkohore zyrtare, të pajisura teknologjikisht dhe të lidhura me sistemet digjitale të Ministrisë, gjë që mundëson veprim më të shpejtë dhe më efikas në terren”, theksoi Toshkovski.
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, në fjalimin e tij theksoi se policia mbetet garantuese e sigurisë dhe besimit të qytetarëve, duke potencuar se profesionalizmi dhe integriteti janë vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet një institucion i fuqishëm.
“Zhvillojmë luftë të vendosur, sistematike dhe pa kompromis kundër grupeve kriminale – në të gjitha fushat. Veprojmë në mënyrë sistematike ndaj strukturave të tyre, lidhjeve të tyre, logjistikës së tyre dhe kapitalit të tyre. Mesazhi është i qartë – askush nuk është mbi ligjin, pa selektivitet, pa privilegje dhe pa kompromis”, theksoi drejtori Janev.
Në kuadër të ceremonisë u theksua se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me reformat, modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, me qëllim ndërtimin e një policie moderne, profesionale dhe efikase evropiane, e cila do të jetë shërbim i vërtetë për qytetarët dhe garantuese e sigurisë dhe rendit juridik.
Para fillimit të kremtimit qendror, delegacione të Ministrisë së Punëve të Brendshme vendosën lule të freskëta pranë memorialeve të nëpunësve policorë që humbën jetën gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale, duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe integritetin e atdheut. Me respekt të thellë u nderua sakrifica dhe kontributi i tyre i përhershëm ndaj shtetit dhe policisë maqedonase.
Shënimi i Ditës së Policisë së Maqedonisë vazhdon edhe pasdite nga ora 17:30 në Parkun e Qytetit, ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin ekspozitë të pajisjeve dhe mjeteve të njësive të ndryshme policore, të shoqërohen me nëpunësit policorë, si dhe të marrin pjesë në manifestim muzikor te “Shkolka”, me performancat të artistëve të njohur të estradës.