Autostrada Shkup–Bllacë është një projekt i rëndësishëm infrastrukturor, i cili pritet të përforcojë lidhjen e transportit dhe atë ekonomike të Maqedonisë me rajonin, theksoi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.
Ai potencoi se projekti do të sjellë zhvillim dhe lidhje më të fuqishme rajonale, duke hapur mundësi të reja për qasje në portet e Durrësit dhe Barit, si dhe duke forcuar më tej pozitën e Maqedonisë si kryqëzim transporti në Ballkan.
“Është vërtet një gjë e bukur kur fillojnë projekte të reja dhe kur shohim diçka që gjatë viteve të ardhshme do të sjellë zhvillim shtesë, një lidhje të fuqishme të vendit tonë me Kosovën dhe Malin e Zi, hapje drejt të paktën dy porteve – hapje shtesë drejt portit të Durrësit dhe hapje drejt portit të Barit – si dhe përforcim të mëtejshëm të Maqedonisë si një kryqëzim transporti në Ballkan. Kur kjo Qeveri u formua në vitin 2024, politika dhe vizioni i qartë i Kryeministrit Mickoski ishte që Maqedonia të bëhej kryqëzim i transportit në Ballkan, të shfrytëzonim pozitën tonë unike, ku kryqëzohen dy korridore panevropiane – Korridori 8 dhe Korridori 10, ndërsa me to lidhen edhe Korridori 11 dhe Korridori 6”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.