Sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën për “Teferixh” në Kisella Vodë e merr përsipër Ministria dhe presim javën e ardhshme të shpallim tender për sanim dhe stabilizim, theksoi zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski.
“Ky është një problem i madh, jashtëzakonisht serioz, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një rrëshqitje të rëndë dheu. Shihni se me autostradat, veçanërisht në Ohër – Kërçovë, kemi fituar një përvojë të tillë. Problematika është shumë më e madhe se mundësitë dhe kapacitetet që i ka komuna e Kisella Vodës dhe Qyteti i Shkupit. Prandaj, kryeministri Mickoski realizoi një koordinim në një takim pune mes nesh, Komunës dhe Qytetit. Dhe këtë të martë, në mbledhjen e Qeverisë, morëm vendim me të cilin i gjithë projekti i kalon Ministrisë së Transportit. Tashmë kemi të përgatitur projekt për stabilizim dhe sanim dhe pres që në afatin më të shkurtër të mundshëm, pra menjëherë javën e ardhshme, të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kontraktorit. Pas kësaj, diku për një muaj, një muaj e gjysmë, kur të zgjidhet kontraktori, të mund të punojmë në sanim dhe para fillimit të dimrit ai sanim të përfundojë, kështu që e gjithë problematika e merr përsipër Qeveria përmes Ministrisë së Transportit”, theksoi Nikolloski.