Ndërtimi i autostradës Ohër–Kërçovë po realizohet me dinamikë të përshpejtuar. Dy galeri janë përfunduar plotësisht, ndërsa në të tretën punohet intensivisht. Paralelisht zhvillohen punimet për stabilizimin e terrenit, përfundimin e urave, si dhe përfundimin e dy tubave të tuneleve. Në muajt në vijim do të lëshojmë për qarkullim edhe 10 kilometra të tjera, të cilat janë pjesa më e ndërlikuar, ku përfshihen tunelet dhe galeritë, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili sot inspektoi punimet ndërtimore në trase dhe ndërtimin e galerive në segmentin nga Preseka deri në Kërçovë.
„Këtu po ndërtohen tetë galeri, të cilat përfaqësojnë vërtet një punim të madh inxhinierik. Pas meje ndodhen tri galeri që tashmë janë në fazën përfundimtare – dy prej tyre mund të them se janë përfunduar plotësisht, ndërsa në të tretën po punohet intensivisht. Paralelisht punohet për stabilizimin e terrenit, për përfundimin e urave, si dhe për përfundimin e dy tubave të tuneleve, me ç’rast, pas disa muajsh nga sot, kjo pjesë e autostradës do të jetë funksionale dhe do të vihet në përdorim. Shifrat janë vërtet mbresëlënëse. Vetëm këto tri galeri që ndodhen pas meje kanë një gjatësi prej 1 kilometër e 100 metrash, ndërsa tunelet do të jenë më të gjatët në Maqedoni, njëri tub me gjatësi prej 2 kilometrash, ndërsa tjetri me gjatësi prej 2 kilometrash e 100 metrash, siç thashë, këto do të jenë tunelet më të gjata në Maqedoni, ndërsa galeritë e këtij lloji për herë të parë po ndërtohen jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin“, deklaroi Nikolloski.
Ai shtoi se ndërtimi i galerive ishte zgjidhja më e mirë për stabilizimin e terrenit, gjë që po dëshmohet në terren si një zgjidhje efikase. Ai paralajmëroi se së shpejti do të hapen për qarkullim segmente të reja të autostradës.
„Kjo ishte zgjidhja më e mençur dhe më e mirë për stabilizimin e dheut. Për ta mbrojtur trasenë dhe për të siguruar qarkullim të sigurt, këto mrekulli inxhinierike që ndodhen pas meje ishin zgjidhja më e mirë. Ky ishte një projekt i braktisur, një projekt në të cilin askush nuk besonte, por ja ku jemi, tashmë shihet fundi. Aktualisht kemi 34 kilometra në të cilat zhvillohet qarkullimi, ndërsa në muajt e ardhshëm do të lëshojmë edhe 10 kilometrat më të ndërlikuara, pikërisht pjesën ku përfshihen tunelet dhe galeritë“, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.