Zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikolloski, sot së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, mori pjesë në promovimin e automjeteve dhe pajisjeve të reja – donacion i Bashkimit Evropian i destinuar për rritjen e kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror për Transport, me vlerë totale prej 700 mijë euro.
Nikolloski theksoi se bëhet fjalë për një mbështetje të rëndësishme që do t’i mundësojë inspektoratit të kryejë punën e tij në mënyrë shumë më efikase dhe të mbulojë të gjithë territorin e shtetit.
„Me të vërtetë është kënaqësi e madhe të promovojmë këtë donacion të madh që Bashkimi Evropian e bën për ne. Kjo është me të vërtetë shumë e rëndësishme. Inspektorati Shtetëror për Transport me këtë merr një dimension plotësisht të ri. Nëse më parë njerëzit e vlefshëm që punojnë në inspektorat përpiqeshin aq sa kishin mundësi ta mbulonin territorin e shtetit, pas këtij donacioni do të mund ta mbulojnë tërësisht dhe të jenë të pranishëm në çdo pikë“, deklaroi Nikolloski.
Ai theksoi se automjetet e reja të pajisura posaçërisht do të kontribuojnë në mbikëqyrje më efikase të inspektimit, siguri më të madhe në trafik dhe mbrojtje më të mirë të infrastrukturës rrugore.
„Me këto 16 automjete të posaçme të pajisura, dy automjete të posaçme për ndjekje dhe furgonin e adaptuar posaçërisht që do të shërbejë si qendër kontrolli, inspektorati do të mund ta kryejë plotësisht punën e tij. Kjo do të thotë më shumë siguri në rrugë, mbikëqyrje inspektuese më të shpejtë dhe më efikase, por edhe mbrojtje më të mirë të rrugëve përmes kontrollit të peshës së tepërt të kamionëve, transportit të materieve të rrezikshme dhe kontrollit të autobusëve që të plotësojnë të gjitha standardet për transportin e udhëtarëve“, tha ministri.
Sipas tij, investimet në infrastrukturën rrugore duhet të shoqërohen me kontrolle të shtuara, me qëllim që të ruhet cilësia dhe jetëgjatësia e tyre.
„Ndërtojmë rrugë eksprese dhe autostrada, por njëkohësisht duhet të kujdesemi shumë për sigurinë dhe për mbrojtjen e rrugëve. Një nga faktorët kryesorë për shkatërrimin e tyre është mosrespektimi i rregullave. Në këtë mënyrë investimet që i bëjmë do të fitojnë vlerë afatgjatë“, theksoi Nikolloski.
Ai shprehu falënderim ndaj ambasadorit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, për përkushtimin e tij personal në realizimin e projektit, duke theksuar se donacioni nuk përbëhet vetëm nga automjete.
„Ky donacion nuk janë vetëm automjete, por edhe softuer bashkëkohor për ndjekjen e automjeteve, si dhe njohuri dhe trajnim për inspektorët në Inspektoratin Shtetëror për Transport. Ky donacion do të thotë e ardhme“, porositi Nikolloski.
Zëvendëskryeministri në fazën e dytë paralajmëroi investime shtesë me qëllim përmirësimin e kapaciteteve dhe efikasitetit të Inspektoratit Shtetëror për Transport.