Ministria për Transformim Digjital dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor shënuan fillimin e një bashkëpunimi intensiv me rezultate konkrete – vendosjen e shërbimeve të reja elektronike në fushën e sigurimit shëndetësor dhe lidhjen teknike të FSSH-së me Regjistrin Qendror të Popullsisë (RQP), me të cilin thjeshtohen procedurat dhe ulet barra administrative për qytetarët dhe bizneset.
Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se qëllimi i Ministrisë është i qartë: „shërbimet publike të jenë të qasshme, të lidhura dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve dhe bizneseve“.
Ministri theksoi se bëhet fjalë për shërbime „të cilat drejtpërdrejt thjeshtojnë qasjen në dokumente të rëndësishme, ulin barrën administrative dhe eliminojnë pritjet e panevojshme dhe praninë fizike nëpër sportele“.
Për personat juridikë, për herë të parë është mundësuar shërbimi elektronik për:
Lëshimin e vërtetimit për kontributin e paguar për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor (plotësisht digjital, i qasshëm në çdo kohë).
Për personat fizikë, janë vendosur këto shërbime elektronike:
Vërtetim për paraqitje dhe çregjistrime në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor,
Vërtetim për person të siguruar ose të pasiguruar dhe kontribut të paguar,
Vërtetim për kompensimin e paguar të pagës gjatë pamundësisë së përkohshme për punë.
„Këto shërbime janë vetëm fillimi i një transformimi digjital sistemik, e jo zgjidhje teknike të izoluara“, porositi ministri Andonovski.
Theks i veçantë u vu edhe në vendosjen e sistemit të identifikimit të vetëm: „Përdoruesit e portalit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor automatikisht futen në sistemin e vetëm të hyrjes – SSO“, tha Andonovski, duke shtuar se „qytetarët përfitojnë mundësinë që me një profil përdoruesi të lëvizin dhe të shfrytëzojnë pa pengesa shërbime në portale të ndryshme institucionale, pa u kyçur përsëri dhe pa barriera shtesë administrative“.
Nga sot, FSSHM është i lidhur edhe teknikisht me Regjistrin Qendror të Popullsisë, gjë që mundëson marrjen automatike të të dhënave përkatëse për qytetarët. Ministri theksoi se përmes kësaj lidhjeje, FSSH “në kuadër të rreth 40 procedurave administrative dhe të punës përdor të dhëna nga Regjistri Qendror i Popullsisë si burim të vetëm referues”, me të cilën zvogëlohen gabimet dhe nevoja për futjen manuale të të dhënave.
Kjo lidhje, ndër të tjera, zbatohet në procedura si: paraqitja dhe çregjistrimi në sigurimin shëndetësor, përcaktimi i statusit të personit të siguruar, pushimi mjekësor, shtatzënia dhe lindja, mjekimi jashtë vendit, formularët dygjuhësorë, rimbursimet, vërtetimet dhe të drejta e obligime të tjera në kompetencë të FSSHM.
“Ky është një shembull se si duhet të duket transformimi digjital në praktikë: institucione që bashkëpunojnë, sisteme që lidhen dhe shërbime që funksionojnë në dobi të qytetarëve”, theksoi Andonovski.
“Do të vazhdojmë të ndërtojmë zgjidhje të tilla – zgjidhje që sjellin përfitime reale dhe të matshme dhe e transformojnë administratën publike në një shërbim modern, efikas dhe të qasshëm”, përfundoi ministri Stefan Andonovski.