Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Andonovski: Rreth 120% rritje e transaksioneve në platformën e interoperabilitetit

Andonovski: Rreth 120% rritje e transaksioneve në platformën e interoperabilitetit

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot u drejtua në hapjen e Konferencës së Tretë Rajonale të kontabilistëve dhe kontabilistëve të autorizuar, e cila po mbahet në organizim të Institutit të kontabilistëve dhe kontabilistëve të autorizuar, nën moton “Gjeneratë me vizion – Profesion me të ardhme”.

Në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se transformimi digjital nuk është vetëm proces teknologjik, por një ndryshim thelbësor në mënyrën se si shteti, biznesi dhe qytetarët komunikojnë mes vete. Ai nënvizoi se synimi është më pak letër, më pak sportele, më pak përsëritje të të dhënave të njëjta dhe dukshëm më pak kohë e humbur për qytetarët dhe kompanitë.

“Për biznesin, transformimi digjital nënkupton procedura më të shpejta, kosto më të ulëta administrative, më pak pasiguri dhe më shumë kohë për punë, investime dhe zhvillim. Biznesi nuk duhet të jetë korrier mes institucioneve. Duhet të lëvizin të dhënat, jo qytetarët dhe kompanitë”, porositi Andonovski.

Ministri theksoi se platforma e interoperabilitetit është një nga mekanizmat kyç përmes të cilëve lidhen institucionet, sistemet e tyre komunikojnë mes vete, ndërsa të dhënat që tashmë ekzistojnë në një institucion mund, në përputhje me ligjin dhe me mbrojtjen përkatëse, të përdoren nga një institucion tjetër.

Në këtë kontekst, Andonovski informoi se është shënuar rreth 120% rritje e transaksioneve në platformën e interoperabilitetit, gjë që sipas tij tregon se institucionet gjithnjë e më shumë po i përdorin kanalet digjitale për shkëmbim të të dhënave dhe se sistemi gradualisht po bëhet mbështetje reale për një administratë më efikase.

“Interoperabiliteti nuk është vetëm projekt teknik. Ai është masë ekonomike, masë për klimë më të mirë biznesi dhe mënyrë për t’i ndihmuar kompanitë të jenë më produktive, ndërsa institucionet më të shpejta, më të sakta dhe më të përgjegjshme”, theksoi ministri.

Ai shtoi se çdo ulje e barrës administrative drejtpërdrejt e lehtëson punën e kontabilistëve dhe të kompanive që ata mbështesin, duke pasur parasysh se puna e tyre e përditshme lidhet me afate, dokumente, raporte, të dhëna financiare, detyrime tatimore, procedura regjistrimi dhe komunikim me më shumë institucione.

Theks i veçantë në fjalim iu kushtua edhe Portalit Kombëtar të Shërbimeve — uslugi.gov.mk, i cili, siç theksoi Andonovski, duhet të jetë pikë qendrore përmes së cilës qytetarët dhe kompanitë do të mund të kenë qasje më të lehtë, më të shpejtë dhe më të qartë në shërbimet që ofrojnë institucionet.

“Portali Kombëtar nuk duhet të jetë vetëm një tabelë digjitale me shërbime. Ai duhet të jetë porta hyrëse drejt një administrate publike ndryshe — administratë e orientuar drejt përdoruesit, drejt thjeshtimit të procedurave dhe drejt shërbimit real”, tha Andonovski.

Ministri përshëndeti faktin që ISOS, si organizatë profesionale, e përdor në mënyrë aktive platformën e interoperabilitetit, si dhe shërbimet e Portalit Kombëtar si platformë digjitale për qasje në shërbimet që u ofron anëtarëve të saj. Ai vlerësoi se ky është një shembull pozitiv që duhet të shërbejë si nxitje për organizata dhe institucione të tjera që të digjitalizojnë shërbimet e tyre dhe t’i bëjnë më të qasshme për përdoruesit.

“Digjitalizimi ka vlerë reale vetëm kur qytetarët dhe kompanitë e ndiejnë në përditshmëri — kur një shërbim përfundon më shpejt, kur nuk kërkohet dokument që tashmë ekziston në një institucion tjetër dhe kur kompania mund të fokusohet në rritje, në vend të labirinteve burokratike”, theksoi Andonovski.

Ministri theksoi se kontabilistët kanë rol kyç në procesin e transformimit digjital, pasi ata e dinë më së miri se ku procedurat janë të ndërlikuara, ku përsëriten të dhënat dhe ku zgjidhjet digjitale mund të sjellin përfitimin më të madh.

“Qëllimi ynë është i qartë: shërbime digjitale që funksionojnë realisht, institucione që shkëmbejnë të dhëna mes vete, procedura më të shkurtra dhe më të thjeshta, si dhe një shtet që është partner i biznesit, e jo pengesë për funksionimin e tij”, porositi ministri i Transformimit Digjital.

Në fund, Andonovski theksoi se transformimi digjital nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri, por ai duhet të jetë i mençur, i sigurt, gjithëpërfshirës dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete.

“Nuk na duhet një digjitalizim që vetëm e kopjon burokracinë në formë elektronike. Na duhet digjitalizim që e zvogëlon burokracinë”, përfundoi Andonovski.

Accessibility Menu