Sot në Shkup u hap zyrtarisht Forumi i 11-të i Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), nën organizimin e Ministrisë për Çështje Evropiane dhe në kuadër të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me EUSAIR dhe Iniciativën Adriatiko-Joniane.
Forumi, i cili këtë vit mbahet nën moton “Accelerating EUSAIR: From Commitment to Impact”, mblodhi ministra, përfaqësues të Komisionit Evropian, institucioneve rajonale, autoriteteve lokale, organizatave ndërkombëtare, sektorit civil dhe të rinjve nga vendet pjesëmarrëse të rajonit Adriatiko-Jonian.
Në fjalimin hyrës, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi se bashkëpunimi makro-rajonal sot paraqet instrument strategjik për forcimin e stabilitetit, rezistencës dhe integrimit evropian të rajonit.
“EUSAIR nuk është vetëm platformë rajonale bashkëpunimi, por urë konkrete drejt integrimit gradual evropian. Në kohë sfidash të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike, rajoni ka nevojë për më shumë koordinim, më shumë lidhshmëri dhe më shumë investime të përbashkëta,” theksoi Sali.
Ai nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë të avancojnë në rrugën evropiane përmes reformave të besueshme dhe bashkëpunimit rajonal.
Në kuadër të Forumit u mbajt edhe Takimi Ministror i Këshillit Adriatiko-Jonian/EUSAIR, ku vendet pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Shkupit, përmes së cilës riafirmuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e procesit të zgjerimit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta evropiane.