Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, gjatë të cilit u diskutua për progresin e reformave në drejtësi dhe prioritetet e mëtejshme në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Gjatë takimit, ambasadori Rokas i prezantoi ministrit Shasivari Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, me fokus të veçantë në vlerësimet dhe rekomandimet që lidhen me kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë.
Në takim u përshëndet progresi i deritanishëm në zbatimin e reformave në gjyqësi, si dhe përmirësimi i vlerësimeve në raportin aktual krahasuar me vitin e kaluar. Njëkohësisht, u theksua nevoja për ruajtjen e dinamikës reformuese dhe përshpejtimin e aktiviteteve për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe obligimeve nga Agjenda Reformuese.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, duke theksuar se vlerësimet pozitive janë konfirmim i angazhimeve të deritanishme, por edhe përgjegjësi shtesë për vazhdimin e reformave që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.
Në përfundim, u riafirmua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, me qëllim që progresi i evidentuar të shndërrohet në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për qytetarët.