Thellimi i bashkëpunimit me Mbretërinë e Suedisë në reformat e gjyqësorit, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian ishte temë e takimit të sotëm të Ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, me ambasadorin e Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ola Solstrom.
Ministri Shasivari shprehi mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë, veçanërisht përmes UNOPS-it dhe angazhimit të ekspertëve, e cila kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane.
„Suedia është një partner i rëndësishëm i yni në procesin e reformave. Besoj se përmes njohurive profesionale, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes konkrete mund t’i avancojmë edhe më tej institucionet dhe të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët“, theksoi Ministri Shasivari.
Në takim u shqyrtuan reformat aktuale që lidhen me Klasterin 1 – Vlerat themelore, si dhe detyrimet nga Agjenda e Reformave në fushën e sundimit të ligjit. U diskutua edhe për mundësitë për iniciativa të reja të përbashkëta, veçanërisht në digjitalizimin e gjyqësorit, qasjen në drejtësi, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndihma juridike ndërkombëtare ndërmjet dy vendeve zhvillohet pa pengesa, pa çështje të hapura që do ta pengonin bashkëpunimin.