Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, ministrat e kulturës të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Shqipërisë, në takimin e sotëm trepalësh në Greqi, konfirmuan angazhimin e përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Prespës, si dhe për përgatitjen e përbashkët të nominimit të tij për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Deklaratën e nënshkruan ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, ministrja e Kulturës e Greqisë, Lina Mendoni, dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja.
Në takim morën pjesë edhe Mihalis Rokas, ambasador dhe shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Sinisha Sheshum, udhëheqës i zyrës së UNESCO-s në Sarajevë pranë Byrosë Rajonale të UNESCO-s në Venecia, koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Kolumbia, si dhe përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale dhe institucioneve nga të tre vendet.
Në fjalën e tij, ministri Sulejmani theksoi se nominimi i përbashkët për UNESCO-n është hapi thelbësor i radhës në bashkëpunimin ndërmjet tre vendeve, duke nënvizuar se qëllimi nuk është vetëm njohja ndërkombëtare, por menaxhimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i rajonit, me përfitime konkrete për komunitetet lokale.
“Prespa, në aspektin natyror dhe historik, ka përbërë gjithmonë tërësi të vetme, ndonëse brigjet e saj i ndajnë tre shtete fqinje. Pikërisht në këtë bukuri komplekse qëndron edhe përgjegjësia jonë: ta shndërrojmë në arsye për bashkëpunim të vazhdueshëm, të koordinuar mirë dhe të orientuar drejt rezultateve”, porositi Sulejmani.
Ai vuri në dukje se të tre vendet tashmë kanë bazë të mirë për thellimin e bashkëpunimit, duke rikujtuar aktivitetet dhe projektet e realizuara, në të cilat kanë marrë pjesë institucione dhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria. Si shembuj të rëndësishëm, ai theksoi bashkëpunimin me Qendrën Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine nga Greqia, në kuadër të të cilit po realizohet konservimi i pikturës murale në kishën “Shën Gjergji” në Kurbinovë, aktivitetet me institucionet shqiptare në ishullin Qyteti i Vogël (Mali Grad), si dhe projektin “ACT4PRESPA”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
“Këto përvoja tregojnë se bashkëpunimi ekziston, por edhe se mund ta rrisim”, theksoi Sulejmani, duke shtuar se pikërisht përmes njohurive të përbashkëta, vullnetit të mirë dhe interesit të përbashkët, Prespa mund të shndërrohet në shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkufitar dhe të mbrojtjes së përbashkët të trashëgimisë.
“Prespa meriton të jetë hapësirë ku respektohen dallimet, ndërsa kultivohen vlerat e përbashkëta. Kur i bashkojmë njohuritë, vullnetin e mirë dhe interesin e përbashkët për këtë rajon, ne nuk ndërtojmë vetëm projekte – ndërtojmë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të pjekur ndërmjet tre vendeve tona”, tha Sulejmani.