Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Pjesëmarrja e Zëvendëskryeministrit të Qeverisë Arben Fetai në Konferencën e 10-të Rajonale për Siguri „Ballkani Perëndimor – BE: Siguri e Përbashkët, e Ardhme e Përbashkët“

Pjesëmarrja e Zëvendëskryeministrit të Qeverisë Arben Fetai në Konferencën e 10-të Rajonale për Siguri „Ballkani Perëndimor – BE: Siguri e Përbashkët, e Ardhme e Përbashkët“

Në organizim të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR) me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë (MAECI) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 11 nëntor 2025 në Shkup u hap zyrtarisht Konferenca e 10-të Jubilare e Koordinimit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor me moton „Ballkani Perëndimor – BE: Siguri e përbashkët, e ardhme e përbashkët“. Si vend mikpritës, Republika e Maqedonisë së Veriut edhe një herë konfirmon rolin e saj udhëheqës në nismat rajonale të sigurisë dhe në promovimin e vlerave evropiane.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, z. Arben Fetai, iu drejtua sesionit zyrtar hapës bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të KBR-së, z. Amer Kapetanović, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Siguri Publike të Italisë, z. Stefano Gambacurta, dhe Ambasadorin e Italisë, Sh.T. Paolo Palminteri.
Në fjalimin e tij, z. Fetai deklaroi: „Siguria nuk lind nga frika, ajo rritet nga besimi. Kur institucionet janë transparente dhe të përgjegjshme, zvogëlohet hapësira për abuzim, korrupsion dhe arbitraritet.“ Ai më tej shtoi se: „Besimi është fjala përcaktuese e kohës sonë. Ai është monedha e re e qeverisjes moderne, më e vlefshme se çdo tjetër, sepse pa të nuk ka përparim ekonomik, stabilitet politik apo reforma institucionale.“
Kjo konferencë jubilare e 10-të zhvillohet në një moment kyç kur Bashkimi Evropian po i intensifikon përpjekjet për krijimin e Bashkimit Evropian të Mbrojtjes, zgjerimin e zonës Shengen dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Italia, si partnere strategjike afatgjatë, edhe një herë e konfirmon përkushtimin e saj ndaj stabilitetit të rajonit, ndërsa Maqedonia e Veriut, si vend pritës, tregon lidership në harmonizimin me standardet evropiane të sigurisë. Z. Fetai theksoi se „e ardhmja e përbashkët e Ballkanit dhe Evropës nuk do të matet me numrin e traktateve që nënshkruajmë, por me thellësinë e besimit që ndërtojmë mes shteteve, institucioneve dhe qytetarëve tanë“, duke bërë thirrje për nevojën e ndërtimit te një kulture të re të sigurisë – më njerëzore, më bashkëpunuese dhe më evropiane 
Konferenca vazhdon edhe më 12 nëntor me grupe punuese për migracionin, krimin e organizuar dhe kërcënimet kibernetike, me qëllim hartimin e rekomandimeve konkrete për hapat e ardhshëm.

Accessibility Menu