Në drejtim të ruajtjes së dinjitetit të diskursit publik, avancimit të vlerave demokratike dhe mbrojtjes së integritetit të komunikimit institucional, Qeveria ndjen obligim të reagojë publikisht ndaj ngjarjes së fundit që hapi dilema serioze për respektimin e parimeve themelore të sjelljes profesionale dhe etike në hapësirën mediatike.
Mbrojtja dhe avancimi i lirisë së mediave dhe e drejta e gazetarëve për të parashtruar pyetje me interes publik, pa asnjë kufizim apo presion, është obligimi ynë, por njëkohësisht theksojmë se kjo e drejtë nënkupton edhe obligimin për sjellje profesionale, dinjitoze dhe etike. Liria e shprehjes nuk duhet të jetë justifikim për cenimin e integritetit personal dhe institucional.
Në këtë drejtim, shprehim shqetësim serioz dhe reagim të ashpër ndaj ngjarjes së fundit në një aktivitet publik mediatik, ku gazetari Nevri Ademi, me një ton dukshëm të papërshtatshëm, retorikë jo të denjë dhe pyetje të formuluar në mënyrë të pahijshme, iu drejtua Ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Veçanërisht na shqetëson fakti që një sjellje e tillë nuk paraqet incident të izoluar, por përsëritje e një sjelljeje tashmë të evidentuar ndaj të njëjtës bartëse të funksionit publik. Kjo hap çështje serioze për respektimin e standardeve themelore profesionale, normave etike dhe parimeve të komunikimit në hapësirën publike.
Njëkohësisht, Qeveria u bën të qartë të gjithë bartësve të funksioneve publike se prej tyre pritet niveli më i lartë i respektit dhe korrektësisë ndaj mediave dhe gazetarëve. Por, gjithashtu, me seriozitet të barabartë presim që edhe gazetarët të përgjigjen me të njëjtin nivel të profesionalizmit, respektit dhe përgjegjësisë. Respekti është dhe duhet të mbetet vlerë dykahëshe në çdo shoqëri demokratike.
Prandaj, i bëjmë thirrje Këshillit për etikë në media, Shoqatës së gazetarëve dhe Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, si organizata relevante, që publikisht dhe pa mëdyshje ta dënojnë këtë akt sjelljeje. Presim rolin e tyre aktiv në forcimin e standardeve profesionale, si dhe dërgimin e një thirrjeje të qartë për të gjithë punonjësit e mediave për respektim të vazhdueshëm të parimeve etike, dinjitetit të personit dhe kulturës së dialogut publik. Situata të tilla, kur komunikimi publik zhvillohet jashtë kornizave të mirësjelljes dhe respektit të ndërsjellë, nuk duhet të mbeten pa reagim adekuat institucional, duke pasur parasysh implikimet e tyre më të gjera mbi cilësinë e dialogut publik dhe besimin në institucione.
Si Qeveri shprehim edhe falënderim të sinqertë ndaj të gjithë gazetarëve dhe mediave që me reagimet e tyre publike tashmë qartë, me parime dhe pa mëdyshje e kanë dënuar këtë akt, duke demonstruar nivel të lartë të pjekurisë profesionale dhe përkushtim ndaj standardeve etike. Vetëm përmes respektit të ndërsjellë, përgjegjësisë dhe respektimit të standardeve të larta profesionale mund të ndërtohet një ambient mediatik i shëndetshëm, demokratik dhe kredibil, që do të jetë në shërbim të interesit publik.