Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Andonovski: Në tetor prezantohet m.Uslugi, letërnjoftimi dhe patenta në telefon

Andonovski: Në tetor prezantohet m.Uslugi, letërnjoftimi dhe patenta në telefon

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë paraqitjes së djeshme në emisionin „Vesti Plus“ në televizionin Kanal 5, zyrtarisht njoftoi se në tetor do të prezantohet aplikacioni i ri mobil m.Uslugi.

„Mund të njoftoj zyrtarisht se në tetor do të organizojmë një ngjarje ku do të prezantojmë aplikacionin mobil m.Uslugi. Në të do të jenë të disponueshme versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentës së shoferit, si dhe dy shërbime elektronike për qytetarët“, theksoi Andonovski.

Përmes m.Uslugi, qytetarët do të mund të kenë në një vend qasje në dokumentet e tyre personale në formë digjitale, si dhe në shërbimet elektronike të administratës. Qëllimi është që shërbimet shtetërore të bëhen më të qasshme dhe më të thjeshta për përdorim, drejtpërdrejt përmes telefonit mobil.

Ministri theksoi se gjatë periudhës së kaluar është punuar intensivisht në çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike, mbrojtjen dhe mënyrën e ruajtjes së të dhënave personale, si dhe në mënyrën e shkëmbimit të tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është pronare e të dhënave.

„Jemi në fazën përfundimtare të harmonizimit dhe nënshkrimit të protokollit për shkëmbimin e të dhënave, si dhe të testimit të aplikacionit. Para se ai të jetë në dispozicion për të gjithë, duam të jemi të sigurt se sistemi është stabil, i sigurt dhe i thjeshtë për përdorim. Aplikacioni do të jetë i disponueshëm në App Store dhe Google Play, ndërsa versioni testues deri tani është shkarkuar nga rreth 6 mijë qytetarë“, tha Andonovski.

Hapi i radhës në transformimin digjital është që telefoni mobil gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje të sigurt dhe të thjeshtë në dokumentet e tyre dhe në shërbimet shtetërore.

Accessibility Menu