Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, mbajti fjalim në Konferencën për fillimin e procesit të bashkëkrijimit të Planit Nacional të Veprimit për Partneritet për Qeverisje të Hapur 2026–2028 (PNV7).
Ngjarja shënoi fillimin e ciklit të ri të bashkëkrijimit të planit nacional të veprimit në kuadër të iniciativës globale Partneriteti për Qeverisje të Hapur, me qëllim forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut në proceset e krijimit të politikave.
Në fjalimin e tij, ministri Minçev theksoi se Partneriteti për Qeverisje të Hapur paraqet një mekanizëm të rëndësishëm për avancimin e qeverisjes demokratike dhe për ndërtimin e besimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
„Partneriteti për Qeverisje të Hapur paraqet një instrument të rëndësishëm për avancimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut në krijimin e politikave. Përmes kësaj iniciative krijohen parakushte për politika që janë më inkluzive, më efikase dhe të orientuara drejt nevojave reale të shoqërisë“, theksoi ministri Minçev.
Ai theksoi se thelbi i procesit bazohet në partneritetin ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, që mundëson përcaktimin e përbashkët të prioriteteve reformuese dhe ndërtimin e politikave të qëndrueshme.
“Qeverisja e hapur nuk është qëllim në vetvete. Ajo është një mjet për qeverisje më të mirë, për politika më cilësore dhe për institucione që punojnë në interes të qytetarëve. Qëllimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një sistem në të cilin transparenca, llogaridhënia dhe pjesëmarrja do të jenë standard në funksionimin e institucioneve, e jo përjashtim”, theksoi ministri.
Në konferencë fjalim mbajtën edhe koordinatorja nacionale për Partneritet për Qeverisje të Hapur në Ministrinë e Administratës Publike, Gordana Gapiq Dimitrovska, Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe Dançe Danilovska-Bajdevska, koordinatore e Rrjetit të Organizatave Civile për PQH pranë Fondacionit Metamorfozis.
Gapiq Dimitrovska theksoi se procesi i bashkëkrijimit paraqet një mundësi për përcaktimin e përbashkët të prioriteteve dhe hartimin e politikave që u përgjigjen drejtpërdrejt nevojave të qytetarëve.
“Sot e fillojmë ciklin e bashkëkrijimit, i cili bazohet në dialog të hapur dhe pjesëmarrje aktive të të gjitha palëve të interesuara. Qëllimi është që përmes një qasjeje partneriteti të identifikojmë prioritetet dhe të krijojmë angazhime që do t’u japin përgjigje konkrete nevojave të qytetarëve dhe do të kontribuojnë për shërbime publike më efikase dhe më të qasshme”, theksoi Gapiq Dimitrovska.
Ajo theksoi se rezultatet nga planet e mëparshme të veprimit tregojnë se qasja e partneritetit sjell përfitime konkrete për qytetarët dhe kontribuon në forcimin e besimit në institucione.
Plani i ri Nacional i Veprimit për periudhën 2026–2028 do të fokusohet në fusha kyçe si, antikorrupsioni, integriteti dhe llogaridhënia; hapësira qytetare, pjesëmarrja dhe liritë; qeverisja digjitale; klima dhe mjedisi jetësor; si dhe parlamenti i hapur dhe gjyqësori i hapur.
Në kuadër të ngjarjes u prezantuan gjithashtu hapat dhe afati kohor për përgatitjen e planit të ri të veprimit, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësinë të përfshihen në mënyrë aktive në proces përmes punës në grupe tematike, me qëllim të përcaktimit të përbashkët të prioriteteve dhe angazhimeve për periudhën 2026–2028.
Ministria e Administratës Publike mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj nismës për Partneritet për Qeverisje të Hapur, me qëllim sigurimin e rezultateve konkrete që do të kontribuojnë në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe në ndërtimin e një administrate publike moderne dhe të hapur në shërbim të qytetarëve.