Agon Ferati
Ministër në Qeveria të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Ministër në Qeveria të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Agon Ferati është Ministër i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ka diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, në drejtimin Administrim Biznesi, në Universitetin e Evropës Juglindore, ndërsa studimet master në Administrim Biznesi i ka përfunduar në të njëjtin universitet. Në vitin 2023, ka përfunduar programin e specializimit në Universitetin e Lundit në Suedi, në fushën e bashkë-dizajnimit të hapësirave dhe shërbimeve publike të qëndrueshme, rezistente dhe gjithëpërfshirëse.
Karrierën profesionale e ka ndërtuar në administratën publike dhe në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, menaxhimit të projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, zhvillimit të politikave publike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Që nga viti 2012, ka ushtruar detyrën e Këshilltarit për menaxhimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian në Departamentin për Zhvillim Ekonomik Lokal në Komunën e Tetovës, ku ka udhëhequr dhe koordinuar projekte të rëndësishme të financuara nga Bashkimi Evropian dhe donatorë ndërkombëtarë.
Gjatë angazhimit të tij profesional, ka qenë i përfshirë në hartimin dhe zbatimin e projekteve në kuadër të programeve URBACT, INTERREG, IPA dhe EU4Municipalities, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e kapaciteteve institucionale, transformimin digjital të administratës lokale, rigjenerimin urban, përfshirjen e qytetarëve dhe bashkëpunimin ndërkomunal e ndërkombëtar. Gjithashtu, ka shërbyer si ekspert për Kapitullin 8 – Politika e Konkurrencës në projektin e UNOPS (AUMCO), duke kontribuar në analizën e politikave dhe përafrimin e legjislacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me standardet e Bashkimit Evropian.
Përgjatë karrierës së tij, ka marrë pjesë në programe prestigjioze ndërkombëtare të zhvillimit profesional, përfshirë Programin e Shkëmbimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ACYPL), programet e Institutit “Robert Shuman”, (Robert Schuman) dhe iniciativa të tjera evropiane në fushën e qeverisjes së mirë, zhvillimit lokal dhe integrimit evropian.
Në cilësinë e Ministrit të Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, angazhohet për forcimin e dialogut ndërmjet bashkësive, avancimin e barazisë dhe respektimin e të drejtave të të gjitha bashkësive, promovimin e mirëbesimit dhe bashkëjetesës, si dhe për zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse që kontribuojnë në kohezionin shoqëror dhe integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, si dhe zotëron njohuri bazë të gjuhës spanjolle.