Jeton Shasivari
Ministër në Qeveria të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Ministër në Qeveria të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Studimet e doktoratës në të drejtën kushtetuese dhe administrative i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, ku ka fituar gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike. Studimet e magjistraturës në të drejtën kushtetuese dhe administrative i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, duke fituar titullin Magjistër i Shkencave Juridike. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në drejtimin gjyqësor, duke fituar titullin Jurist i Diplomuar.
Që nga viti 2002 është i punësuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.
Gjatë karrierës së tij akademike është zgjedhur në këto thirrje mësimore-shkencore: asistent i ri (2002-2006), asistent (2006-2009), docent (2009-2014), profesor i asociuar (2014-2019), ndërsa nga nëntori i vitit 2019 është profesor ordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative.
Mësimin e zhvillon në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.
Përvoja profesionale
Nga viti 2006 deri në vitin 2014 ka qenë prodekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore.
Nga viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2016 edhe anëtar i Komitetit Qendror për Hulumtim.
Nga viti 2015 deri në vitin 2019 ka ushtruar funksionin e zëvendëskryetarit dhe anëtarit të Këshillit për Akreditim dhe Vlerësim të Arsimit të Lartë.
Që nga marsi i vitit 2019 është ligjërues i së drejtës kushtetuese në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Në vitin 2020 ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve kushtetues të ftuar nga Kryetari i Republikës për konsultime profesionale lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19.
Në periudhën 2021-2023 ka qenë anëtar i trupave gjykuese dhe jurive profesionale në garat rajonale të gjykimeve të simuluara para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të organizuara nga organizata ndërkombëtare suedeze Civil Rights Defenders, të mbajtura në Piran, Nish dhe Podgoricë, ku morën pjesë absolventë nga 13 fakultete juridike të vendeve të ish-Jugosllavisë dhe nga Tirana.
Nga viti 2021 deri në vitin 2023 ka qenë këshilltar i jashtëm i Kryetarit të Kuvendit në kuadër të dialogut evropian “Zhan Mone” për përgatitjen e Rregullores së re të Kuvendit.
Që nga tetori i vitit 2023 është anëtar i Këshillit Programor të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, ndërsa nga janari i vitit 2024 është zëvendësanëtar i Republikës së Maqedonisë në Komisionin e Venedikut.
Si ekspert kushtetues ka marrë pjesë në një numër të madh seancash përgatitore të Gjykatës Kushtetuese, si dhe në tryeza profesionale të organizuara në bashkëpunim me OSBE-në dhe Bashkimin Evropian për avancimin e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës.
Përvoja ndërkombëtare
Ka marrë pjesë në një numër të madh qëndrimesh studimore dhe programesh akademike e profesionale ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali, Slloveni, Austri, Spanjë, Turqi, Zvicër, Belgjikë dhe Lituani.
Në vitin 2008 ka qenë pjesëmarrës në programin prestigjioz International Visitor Leadership Program (IVLP) të Departamentit Amerikan të Shtetit, kushtuar sistemit gjyqësor dhe politik amerikan, me ç'rast ka vizituar një sërë institucionesh federale, përfshirë Gjykatën Supreme, Kongresin, Senatin dhe Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.
Është anëtar i Asociacionit Amerikan të Alumnit në Republikën e Maqedonisë.
Veprimtaria shkencore-hulumtuese
Është autor i teksteve universitare “E Drejta Kushtetuese”, “E Drejta Administrative-E Drejta Materiale dhe Procedurale” dhe “Fillet e së Drejtës”, si dhe bashkautor i një numri botimesh shkencore dhe profesionale nga fusha e së drejtës.
Është gjithashtu autor i teksteve për arsimin e mesëm profesional “E Drejta Administrative”, “Kundërvajtjet në Procedurën para Organeve të Kundërvajtjeve” dhe “Kundërvajtjet në Procedurën Gjyqësore”, të botuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ka publikuar mbi 100 punime shkencore dhe profesionale në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare, përmbledhje konferencash dhe botime të tjera akademike nga fusha e së drejtës kushtetuese dhe administrative.