Në intervistë, kryeministri Mickoski thekson se ne jemi prioritet kryesor i ShBA-së në rajon, se Maqedoninë dhe këtë Qeveri e shohin absolutisht si mik të afërt dhe se po bisedojmë për projekte kapitale në fushën e energjetikës dhe infrastrukturës.
Uashington, 18 shtator 2026 (MIA)
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, i cili po qëndron për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë ekskluzive për MIA-n nga Uashingtoni flet për bashkëpunimin me ShBA-në, për gazsjellësin dhe qendrat e të dhënave si dhe për marrëdhëniet me Bullgarinë.
Në intervistë, kryeministri Mickoski thekson se ne jemi prioritet kryesor i ShBA-së në rajon dhe se Maqedoninë dhe këtë Qeveri e shohin absolutisht si mik të afërt dhe se po bisedojmë për projekte kapitale në fushën e energjetikës dhe infrastrukturës.
-Ajo që më gëzon mua është fakti se absolutisht Maqedoninë dhe këtë Qeveri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata aktuale e presidentit Trump e shohin si mik të afërt, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, dhe se mbështetja e tyre mbetet e pandryshuar, jo vetëm kur bëhet fjalë për aleancën e NATO-s, por edhe në pjesën e ekonomisë dhe investimeve potenciale që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë në Maqedoni - thotë kryeministri Mickoski.
Sa i përket marrëdhënieve me Bullgarinë, ai thekson se kjo temë është e pashmangshme dhe sigurisht se diskutohet, veçanërisht me njerëz nga Këshilli dhe Komisioni.
-Natyrisht që atë temë e diskutojmë. Unë nuk jam nga ata njerëz që i bëjnë punët në politikë me ngut. Duke qenë i vetëdijshëm për realitetin, i vetëdijshëm për politikën e gabuar në të kaluarën nga qeveritë e mëparshme. Nga ana tjetër, pritjet e disa elementeve radikale në strukturën tonë për t'u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe negociatat - kjo do ishte ideale nëse ne do të ishim vetëm në këtë botë, por ne nuk jemi vetë dhe duhet të luftojmë për të rifituar pozitat e humbura, të cilat në të kaluarën, për fat të keq, qeveria e mëparshme i ka minuar - thotë Mickoski.
Ai shton se në kuadër të asaj lufte ne gjithmonë prezantojmë argumente që janë qartësisht të kuptueshme metodologjikisht për bashkëbiseduesit.
-Jemi të gatshëm të argumentojmë, jemi të gatshëm, nëse argumentet e bashkëbiseduesit i mposhtin argumentet tona, t'i pranojmë ato. Nuk inatosemi, nuk jemi kokëfortë. Por, ajo që paraqet qëllimin tonë është strategjia jonë, të vërtën tonë e prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përmes një debati politik, një lufte politike në skenën ndërkombëtare të kthejmë një pjesë të pozicioneve që qeveritë e mëparshme na i kanë humbur - thekson kryeministri Mickoski.
Lidhur me qendrat e të dhënave ai thotë se ekonomia po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme, duke theksuar se duhet të ndërtojmë qendra të dhënash me standarde të larta, me ftohje me ajër dhe freon, ndërsa sa i përket gazsjellësit – do të kemi kapacitet të rritur 12 herë për investime, për termocentrale me gaz që do të prodhonin energji elektrike, e cila më pas do të përdorej në disa qendra të dhënash, ndërsa prej tyre më pas do të nxirreshin mundësi për inteligjencë artificiale. Po kërkohet investitor edhe për Çebrenin dhe Gallishtën dhe tashmë është biseduar në DFC me Kerollajn Vik, ndërsa interesi është i jashtëzakonshëm.
Kryeministër Mickoski, në Uashington kishit takime me disa kongresmenë, të cilët në prag të vizitës suaj organizuan një debat me përfaqësues të Departamentit të Shtetit me temë Ballkanin. Në atë debat shumica e shteteve u vlerësuan në kontekstin e tensioneve nacionaliste, lavdërimit të kriminelëve të luftës, ndërsa Maqedonia u veçua, me diskutime pozitive për ndërtimin e infrastrukturës me rëndësi strategjike dhe bashkëpunimin ushtarak. Si e vlerësoni Ju bashkëpunimin me ShBA-në, me administratën e Trump-it dhe politikën e tyre ndaj nesh dhe rajonit?
-Jo vetëm me këta bashkëbisedues, vizitën e shfrytëzuam për takime me struktura të ndryshme në Uashington, me think-tanks, korporata financiare, për të konfirmuar edhe një herë përcaktimin tonë dhe gjithashtu për të konfirmuar partneritetin strategjik që e kemi si vend me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që më gëzon mua është fakti se absolutisht Maqedoninë dhe këtë Qeveri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata aktuale e presidentit Trump e shohin si mik të afërt, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Mbështetja e tyre ndaj nesh mbetet e pandryshuar, jo vetëm kur bëhet fjalë për aleancën e NATO-s, por edhe në pjesën e ekonomisë dhe investimeve potenciale që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë në Maqedoni. Këtu do ta veçoja qasjen me DFC-në, korporatën financiare për zhvillim, ku pata takim me Kerollajn Vik, e cila është praktikisht përgjegjëse për zhvillim dhe investime anembanë botës. Portofoli financiar është rreth 200 miliardë dollarë. Biseduam për mundësinë e financimit të Çebrenit dhe Gallishtës, biseduam edhe për lloje të tjera të investimeve infrastrukturore, energjetike dhe të qendrave të të dhënave që do t'i bënte Qeveria, dhe gjithashtu edhe për investime private që do të vinin nga Amerika në Maqedoni. Kështu që, kur e gjithë kjo do të analizohej, unë nuk do të jepja gjykim për fokusin dhe se përmes cilës optikë administrata e presidentit Trump e shikon rajonin, por më tepër do të ndalesha se përmes cilës optikë e shikon Maqedoninë. Mendoj se e shikon përmes optikës më të afërt, se jemi prioritet kryesor në rajon dhe vlerësoj se në vitet që vijnë nga ky partneritet strategjik do të dalin shumë projekte kapitale që do të kenë rëndësi historike.
Një niciativë e tillë është paralajmëruar tashmë, miniera e antimonit në Kriva Pallankë.
-Aty janë prezentë në pjesën e grantdhënies PD prej pesë milionë dollarëve, për zhvillimin e projektit në Krstov Doll, në vendin Lluke të Pallankës, por ky është vetëm fillimi. Them se në bazë të asaj bisede që e pata në DFC me Kerollajn Vik, interesi është i jashtëzakonshëm. Qëllimi ynë si Qeveri është të sigurojmë financim për projektin Çebren dhe Gallishtë. Nga ana e tyre ka interes, i njëjti projekt u prezantua, vendosëm një kanal komunikimi midis Qeverisë dhe DFC-së, dhe kjo është mirë. Kur bëhet fjalë për infrastrukturën strategjike dhe kritike, këtu janë gazsjellësit që po i ndërtojmë, këtu janë autostradat, Korridori 8 dhe Korridori 10-D, dhe hekurudha që do të modernizohet, e cila është pjesë e Korridorit 10, si dhe hekurudha që po e ndërtojmë, e cila është pjesë e Korridorit 8.
Duhet t'i shpjegohet nga afër opinionit se cili është qëllimi i atij gazsjellësi. Duhet që terminalin për gaz të lëngshëm natyror, i njohur si terminali LNG në Greqi – Alexandroupoli – ta lidhim me Evropën Qendrore, në mënyrë që të jetë konkurrencë e Rrjedhës Jugore. Kapaciteti është diku rreth tre miliardë metra kub dhe nëse rritet presioni mund të arrijë edhe deri në gjashtë miliardë. Ajo që e bën specifik është se gazsjellësime dy kahje. Ne deri më tani si shtet kishim vetëm një hyrje njëdrejtimëshe – Zhidillovë – me kapacitet diku rreth 800 milionë metra kub, ose një miliard e 200 milionë me presion të rritur. Që do të thotë se kapaciteti i gazit që nesër do të mund ta përdornim në Maqedoni me ndërtimin e këtij gazsjellësi do të rritet në mënyrë dramatike, por që të jemi në rrugën e tranzitit, që në fakt është edhe qëllimi dhe ambicia jonë, ne duhet ta përfundojmë edhe interkonektorin verior përmes të cilit do të lidhemi me Serbinë fqinje. Edhe ai do të jetë i dykahësh, kështu që kur t'i përfundojmë këto dy projekte, që unë pres të jetë në fund të vitit 2028, pozita gjeostrategjike e vendit do të jetë krejtësisht ndryshe. Për momentin ne si shtet konsumojmë rreth gjysmë miliardë metra kub në vit. Domethënë do të kemi kapacitet të rritur 12 herë për investime, për termocentrale me gaz që do të prodhonin energji elektrike, e cila më pas do të përdorej në disa qendra të dhënash, e pastaj prej tyre do të nxirreshin mundësi për inteligjencën artificiale. Ky është një plan serioz dhe i rëndësishëm për zhvillimin e shtetit dhe se ku duhet të lëvizë Maqedonia në të ardhmen. Ngushticë janë rrjetet e tensionit të lartë për transmetim të energjisë elektrike. Ne jemi të lidhur shkëlqyeshëm me fqinjin tonë verior dhe jugor me largpërçues të nivelit të tensionit 400 kV. Jemi të lidhur shkëlqyeshëm edhe me fqinjin tonë lindor, një largpërçues 400 kV dhe dy largpërçues paralelë 110 kV, dhe tani po e ndërtojmë projektin me të cilin do të lidhemi me fqinjin tonë perëndimor, sërish me largpërçues 400 kV. Me këtë do bëhemi udhëkryq energjetik në kuptimin e plotë të fjalës kur bëhet fjalë për transmetimin e tensionit të lartë të energjisë elektrike. Të gjitha këto projekte janë infrastrukturë kritike. Të gjitha këto projekte e rrisin rezistencën, sigurinë në rajon dhe janë shumë të rëndësishme për krahun lindor të NATO-s. Ne si shtet mund ta shfrytëzojmë pozitën tonë gjeostrategjike tashmë më të fortë dhe nga e gjithë kjo të nxjerrim dobi për qytetarët, dhe ekonomikisht të zhvillohemi më shpejt. Ky është thelbi dhe ky është prioriteti i kësaj Qeverie.
I përmendët qendrat e të dhënave. Ka gjithashtu kritika në Maqedoni se qendrat shkaktojnë shumë zhurmë dhe konsumojnë ujë. Përmendët kohët e fundit se jeni në bisedime për zhvillimin e qendrave të tilla me kompaninë "Rumble" të Kris Pavlovskit, e cila kohët e fundit lidhi një marrëveshje të madhe në industrinë e inteligjencës artificiale. A jeni në bisedime edhe me kompani të tjera dhe çfarë mund të presin komunitetet lokale dhe ekonomia në përgjithësi nga ndërtimi i këtyre qendrave?
Ky është një proces që është i pakthyeshëm. Njerëzimi do të ecë në atë drejtim. Çdokush që ka një dilemë këtu nuk ia do të mirën shtetit të vet. Pyetja është se si ta kanalizojmë këtë proces dhe të nxjerrim maksimumin prej tij. E përmendët Kris Pavlovskin dhe "Rumble" – ata tani bënë një blerje, blenë një kompani në Gjermani dhe tani janë një kompani prej rreth pesë miliardë dollarësh. Ky është një grupacion serioz që po zhvillohet seriozisht. Po, jemi duke biseduar me të. Ndër të tjera, kemi edhe pesë kompani të tjera me të cilat po bisedojmë. Të gjithë ata që nuk marrin vesh nga teknologjia e lartë flasin për zhurmë, për ftohje me ujë. Ne tani kemi edhe ftohje me ajër, edhe ftohje me freon, kështu që më vjen keq që ende tek ne ekzistojnë forca dhe elemente të tilla politike që përpiqen të na kthejnë sërish në disa kohë të shekullit të 19-të, fillimit të shekullit të 20-të, duke menduar se në këtë mënyrë përmes emocioneve do të tërheqin vëmendje, por mendoj se janë humbës politikë dhe do të mposhten, sepse qytetarët e Maqedonisë duan ta shohin shtetin duke ecur përpara. Kjo Qeveri ka një plan të qartë që mund ta shpjegojë në një faqe. Në jetë, në politikë, më e rëndësishmja është ajo që mund ta thuash me pak fjalë, atë që mund ta shpjegosh thjesht, që njerëzit të të kuptojnë. Cili është qëllimi kryesor i kësaj Qeverie? Zhvillimi ekonomik që do të bazohet në tre shtylla – infrastruktura – rrugore dhe hekurudhore. Infrastruktura energjetike, kapacitetet prodhuese dhe sistemet e transmetimit. Së treti – teknologjia e lartë, ndër të cilat janë edhe qendrat e të dhënave por edhe diversifikimi i industrisë përpunuese, sepse pjesa më e madhe e investitorëve tanë që kanë ardhur nga jashtë në periudhën 2008 – 2012 janë në industrinë automobilistike. Aty gjërat po ndryshojnë dhe ne po punojmë në diversifikimin e këtij portofoli. Kjo është praktikisht strategjia e kësaj Qeverie dhe çdo gjë që bëjmë dhe punojmë është në atë drejtim – se si ta përshpejtojmë ekonomikisht zhvillimin. Për shkak se industrinë intensive për sa i përket fuqisë punëtore ne nuk do të mund ta servojmë më në të ardhmen, kemi gjithnjë e më pak fuqi punëtore. Ne na duhet industri e teknologjisë së lartë, me vlerë të shtuar të madhe, me të cilën do të rrisim prodhimin e brendshëm bruto dhe do të ngremë standardin e qytetarëve. Ky proces nuk do të jetë për një mandat. Ky është një proces që duhet të zgjasë 2-3-4 mandate. Nuk them se kjo Qeveri do të jetë kaq gjatë, e as unë nuk pretendoj të jem kryetar kaq gjatë në Qeveri. Por në thelb kjo duhet të jetë një strategji kombëtare, se si duhet të zhvillohet shteti. Ky proces është i pakthyeshëm. Njerëzimi po shkon në atë drejtim dhe në fakt ne sot pa inteligjencë artificiale dhe disa qendra të dhënave që funksionojnë diku nuk mund të bëjmë më asnjë thirrje telefonike përmes telefonit celular.
A mund të garantojë Qeveria se këto qendra për të cilat po bisedohet do të jenë të llojit të ri, me qark të mbyllur ftohjeje që nuk harxhojnë shumë ujë?
-Absolutisht.
Që këto strategji ekonomike të funksionojnë, nevojiten marrëveshje tregtare. A ka ndonjë gjë të re në këtë drejtim me ShBA-në?
-Ne e definuam kornizën. Kushtet janë vendosur, mbetet edhe nënshkrimi formal mes MPJ-së sonë dhe përfaqësuesit të tyre tregtar dhe Qeverisë së tyre. Korniza është dakordësuar, kushtet tashmë po funksionojnë. Ne kemi vërtet kushtet më të mira në rajon.
Nga opozita vijnë kritika për vendimin për zvogëlimin e një pjese të ndihmës ushtarake për katër shtete nga Evropa, mes të cilave jemi edhe ne, për Amerikën e Jugut dhe Qendrore. Sa është kjo e rëndësishme sipas jush?
-Ne jemi një nga shfrytëzuesit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky vendim ka një motiv tjetër, për të cilin unë normalisht tani nuk do të flisja. Por, bashkëpunimi ynë në kuadër të industrisë ushtarake dhe ndihmës që e marrim nga ShBA-ja mbetet dhe do të thellohet.
Një pjesë e mirë e diskutimit tuaj në Këshillin Atlantik në Uashington ishte mbi temën e Bullgarisë. A priten në Nju Jork takime dhe bisedime në këtë drejtim?
-Sigurisht, kur flasim me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me njerëzit nga Këshilli dhe Komisioni, me kryetarin Koshta me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Kaja Kallas, kemi edhe ngjarje rajonale në të cilat do të marr pjesë edhe unë në pjesën multilaterale, kjo temë është e pashmangshme. Është normale që këtë temë ta diskutojmë. Unë nuk jam nga ata njerëz që i bëjnë punët në politikë me ngut. Duke qenë i vetëdijshëm për realitetin, i vetëdijshëm për politikën e gabuar në të kaluarën nga qeveritë e mëparshme. Nga ana tjetër, pritjet e disa elementeve radikale në strukturën tonë për t'u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe negociatat - kjo do të ishte ideale nëse ne do të ishim vetëm në këtë botë, por ne nuk jemi vetë dhe duhet të luftojmë për të rifituar pozitat e humbura, të cilat në të kaluarën, për fat të keq, qeveria e mëparshme i ka minuar. Kështu që në kuadër të asaj lufte ne gjithmonë prezantojmë argumente që janë qartësisht të kuptueshme metodologjikisht për bashkëbiseduesit. Jemi të gatshëm të argumentojmë, jemi të gatshëm, nëse argumentet e bashkëbiseduesit i mposhtin argumentet tona, t'i pranojmë ato. Nuk mbajmë inat, nuk jemi kokëfortë. Por, ajo që paraqet qëllimin tonë është strategjia jonë, e vërteta jonë të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përmes një debati politik, përmes një lufte politike në skenën ndërkombëtare të kthejmë një pjesë të pozicioneve që qeveritë e mëparshme na i kanë humbur. Mendoj se tërheqim vëmendje dhe tashmë jemi në optikën serioze të partnerëve tanë, veçanërisht në Evropë. Kërkojmë zgjidhje. Unë kurrë nuk do të hyj në një proces pa pasur një fund të parashikueshëm. Sipas meje, që të vijmë deri te një proces i tillë, së pari duhet të ndërtojmë besim, kurse për këtë duhet të flasim. Duhet që kjo dëshirë të ekzistojë nga të dyja palët, kjo është një rrugë dykahëshe, nuk mund të jetë vetëm nga njëra anë. Procesin do ta udhëheqim në mënyrë paralele, jemi të gatshëm të flasim për harmonizimin e Planit të veprimit për pakicat, sigurisht në prani të bashkësisë ndërkombëtare, sepse nëse udhëheqim dialog vetëm me fqinjin tonë lindor, atëherë konfirmohet ajo që ne e themi se është çështje dypalëshe. Kam frikë se një dialog i tillë është një dialog njerëzish që mbase nuk do të arrijnë të dëgjohen në mënyrën e duhur. Prandaj vlerësoj se është e nevojshme të kemi edhe një tjetër në tryezë. Le të jetë ky mbase një përfaqësues nga ana e Bashkimit Evropian. Vazhdojmë t'i realizojmë reformat që janë pjesë e planit të rritjes, të Agjendës së Reformave. E ndjekim zhvillimin e ngjarjeve në Evropë në skenën politike, ja së fundmi referendum në Islandë, zgjedhjet rajonale në Gjermani, zgjedhjet presidenciale që po vijnë në Francë... Është dinamike, kudo në botë është dinamike. Ne duhet në këto sfida ta gjejmë edhe shansin tonë dhe këtë po e bëjmë. Në fakt, e kërkojmë shansin dhe të gjitha ato rezultate që po mbërrijnë – 4.3 për qind rritje e PBB-së në tremujorin e dytë, rritje e prodhimit industrial, rritje e turizmit, inflacion i kontrolluar dy deri në dy deri në 2.5 për qind më i ulët se niveli që është në Bashkimin Evropian – të gjitha këto janë indikatorë se pas këtyre 26-27 muajve, sa po punojmë si Qeveri, përfundimisht po vijnë rezultate dhe nga një minus i thellë, nga një shtet totalisht i shkatërruar, i poshtëruar, i grabitur, i nënçmuar, ne po vijmë në një gjendje zero. Unë nuk mund të them se kemi shkuar nuk e di sa lart, por jemi në një gjendje zero nga e cila duhet të fillojmë të ndërtojmë për të shkuar më lart.
Këto ditë pati paralajmërim për ndonjë lloj anëtarësimi asociativ në BE madje edhe për Kanadanë, gjë që në të kaluarën e ngritën Vuçiq dhe Rama. Flitet edhe për Skocinë dhe Uellsin.
-Unë nuk do të hyja tani në një lloj të tillë diskutimi. Kjo është vetëm si brainstorming, shkëmbim idesh. Që diçka të hyjë, të funksionojë, kjo nënkupton ndryshim të marrëveshjes që e ka vetë BE-ja. Bota definitivisht po ndryshon, dhe po ndryshon me një shpejtësi të madhe. Interesat po ripozicionohen dhe unë vlerësoj se në një botë të tillë multipolare ne, përsëri do ta them, si një vend relativisht i vogël, jo shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh madhësinë si territor – por i rëndësishëm si lokacion, veçanërisht në këtë pjesë të botës, duhet ta gjejmë shansin tonë. Dhe mendoj se po e gjejmë. Konturet po definohen.