Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Sektori i ndërtimtarisë është i angazhuar, që do të thotë aktivitet më i mirë ekonomik – po i zgjidhim problemet e qytetarëve që janë grumbulluar me dekada

Mickoski: Sektori i ndërtimtarisë është i angazhuar, që do të thotë aktivitet më i mirë ekonomik – po i zgjidhim problemet e qytetarëve që janë grumbulluar me dekada

Mirëdita edhe nga unë. Do të doja ta falënderoj kryetarin e Komunës së Gazi Babës, këshilltarët e Këshillit, administratën, natyrisht, pa të cilën këto projekte nuk do të mund të realizoheshin, deputetët që vijnë nga Komuna e Gazi Babës, kolegët nga Qeveria, ministrin kompetent të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, sepse për këtë projekt kompleks, si Qeveri, vendosëm që të jetë një nga prioritetet përmes të cilit do të ndërtohet Maqedonia si shtet, ndërsa qytetarët do të fitojnë kushte më të mira për jetesë. Të gjitha këto projekte, kur ta marrin formën e tyre ashtu siç janë konceptuar, jam i sigurt se do të kemi edhe vlerë të madhe të shtuar në cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve.

Sot në Maqedoni po ndërtohet në më shumë se 1.200 lokacione, diçka që për ne si Qeveri është shumë e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë jo vetëm që angazhohet sektori vendor i ndërtimtarisë dhe kjo paraqet një indikator serioz të një aktiviteti më të mirë ekonomik, por në këtë mënyrë mundësojmë edhe të tregojmë dhe të dëshmojmë se problemet shumëvjeçare kanë mundur të zgjidhen. Edhe pse, natyrisht, ne nuk mund t’i zgjidhim të gjitha përnjëherë me dy thirrje, diçka që nuk është bërë me dekada, megjithatë mendoj se me projekte të tilla një pjesë e madhe e këtyre prioriteteve të qytetarëve do të zgjidhen dhe ata dhe familjet e tyre do të mund të kenë një jetë më cilësore.

Ajo që për mua është po ashtu e rëndësishme si kryetar i Qeverisë është fakti se aktiviteti ekonomik sjell edhe rezultate të mira ekonomike, ndërsa në periudhën që vijon pres një aktivitet të tillë gjithnjë e më të intensifikuar, veçanërisht në fushën e ndërtimtarisë. Përveç këtyre projekteve që i financon Qeveria në të gjithë territorin e shtetit, do të shfaqen edhe 6 segmente  të autostradave që do të ndërtohen. Këtë muaj zyrtarisht do të fillojë ndërtimi; kanë përfunduar të gjitha procedurat formale dhe procedurat e tjera që lidhen me segmentin e autostradës Bllacë – Shkup. Mendoj se fillimi është caktuar për më 26 gusht. Tani nuk do të doja të më merrnit fjalë për fjalë, por mendoj se kjo ishte data. Më në fund, për këtë projekt shumëvjeçar, i cili është paralajmëruar prej kohësh, kemi kontraktues, dhe ai sërish është një kompani vendore, kemi mbikëqyrje dhe të gjitha kushtet, do të thosha, janë plotësuar që të fillojë ndërtimi i kësaj autostrade.

Në shtator pres që të fillojë edhe një segment tjetër autostrade, ai Bukojçan – Kërçovë, ndërsa gjithashtu të vazhdojmë me dinamikë të përforcuar drejt përfundimit të autostradës Kërçovë – Ohër. Pres që segmenti nga Izvori deri në Vërbjan të lëshohet në përdorim përafërsisht në gjysmën e dytë të tetorit, ndërsa i gjithë segmenti të përfundojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, 2027. Natyrisht, këtu vazhdojmë me dinamikë të përforcuar edhe në tri segmentet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, konkretisht Prilep – Manastir, Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bukojçan. Gjithsej, përafërsisht 6 segmente autostradë do të ndërtohen dhe kjo gjithashtu paraqet një aktivitet të madh e të intensifikuar ndërtimor.

Kur kësaj t’i shtohet edhe hekurudha (seksioni 2), e cila praktikisht është pjesë e Korridorit 8 (krahu lindor), si dhe seksioni 3, për të cilin pres që së shpejti të shpallet thirrje publike, pasi të gjitha sfidat administrative, do të thosha, janë tejkaluar, kjo do të thotë se do të kemi vërtet një ndërtim intensiv. Dhe nëse gjithçka shkon siç duhet, pason përfundimi i studimit të fizibilitetit dhe fillimi, në fillim të vitit të ardhshëm, i punimeve në Korridorin 10, nëse, natyrisht, të gjitha sfidat me të cilat përballemi do të zgjidhen, ndërsa pres që të mos ketë pengesë që ato të tejkalohen.

Kështu që, ndërtimtaria paraqet një nga motorët dhe bartësit e aktivitetit ekonomik në Maqedoni. Krejt në fund, më lejoni t’i falënderoj të gjithë: kryetarin e komunës, këshilltarët, deputetët, ministrin, kolegët nga Qeveria dhe qytetarët për durimin dhe mbështetjen që na e japin. Ne, do ta përsëris edhe një herë, nuk mund t’i zgjidhim të gjitha – diçka që për dekada ka qenë e lënë pas dore dhe e pazgjidhur – por premtojmë se gjithçka që mund ta zgjidhim, madje edhe më shumë se kaq, do të përpiqemi ta realizojmë dhe ta zgjidhim si Qeveri.

Ju faleminderit.

Accessibility Menu