Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

9 Maji, Mickoski: Liria nuk është dhuratë – ajo është zgjedhje, sakrificë dhe përgjegjësi

9 Maji, Mickoski: Liria nuk është dhuratë – ajo është zgjedhje, sakrificë dhe përgjegjësi

Të nderuar veteranë dhe pasardhës të luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare,

Të nderuar ekselenca,

Zonja dhe zotërinj,

Sot qëndrojmë krenarë përballë historisë. Përballë një dite që nuk është vetëm datë në kalendar, por ditë e gdhendur në ndërgjegjen e njerëzimit. Ditë e fitores mbi fashizmin. Ditë kur bota tregoi se e keqja mund të mposhtet, se tirania nuk është e përjetshme dhe se liria gjithmonë e gjen forcën e saj te popujt që nuk dorëzohen.

Kjo ditë është gjithashtu shenjë e mundit dhe qëndrueshmërisë së shumë brezave që luftuan për liri. Gjërat e mëdha nuk vijnë pa i merituar, ndërsa kur bëhet fjalë për atdheun tonë, do të pajtoheni se çdo hap i madh i komitëve, vojvodëve dhe partizanëve tanë është shkruar në faqet historike me shumë sakrifica, kryengritje dhe me një dëshirë të palëkundur dhe sfiduese për shtetin dhe lirinë e vet. Nuk ka popull që ka arritur këto qëllime pa shumë pengesa, por populli ynë e pati rrugën më të gjatë për të arritur deri aty të ketë shtet.

Ne, maqedonasit, e kuptojmë shumë mirë çmimin e lirisë. Historia jonë nuk është histori e nënshtrimit, por histori e rezistencës. Histori e njerëzve që, edhe kur kanë qenë pak në numër, kanë ditur të jenë të mëdhenj. Histori brezash që e kanë ruajtur idenë për shtetin e vet, gjuhën e vet, identitetin e vet dhe dinjitetin e vet.

Pas meje është përmendorja e çlirimtarëve. Shikojeni mirë. Në të, përmes shtatë personazheve, rrëfehet historia e luftës sonë. Një luftëtar në krye i cili me pushkë në dorë i inkurajon luftëtarët për sulm, një grua e vendosur me pushkë në duar, një fëmijë mes luftëtarëve, një luftëtar që me njërën dorë mban shokun e plagosur, ndërsa me tjetrën hedh bombë, një luftëtar duke vdekur I cili me forcat e fundit mban flamurin e lirisë dhe i riu që përgatitet për sulm ndaj pushtuesve. Ky është vetëm një episod nga plejada e pamjeve dramatike të historisë sonë. Pikërisht kështu dukej beteja e atyre që sollën lirinë.

Edhe sot para meje ndodhen një pjesë e figurave të vërteta të kësaj epopeje dhe pasardhësit e tyre. Si kryeministër, por para së gjithash si njeri, kam obligim të shpreh respekt ndaj veprës dhe sakrificës, ndaj jush dhe mijëra të tjerëve që shkruan historinë. Emrat dhe veprat e tyre duhet t’i kujtojmë.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, populli maqedonas, krah për krah me bashkëqytetarët e tij shqiptarë, turq, romë, serbë, vllehë dhe boshnjakë, u rreshtua në anën e duhur të historisë. Mijëra luftëtarë dhanë jetën për lirinë të cilën ne e jetojmë sot. Ata nuk luftuan vetëm kundër okupatorit. Ata luftuan për të drejtën e njeriut që të jetojë i lirë, të flasë në gjuhën e vet, ta ruajë emrin e vet dhe të besojë në të ardhmen.

Dhe për këtë arsye sot, kur përulemi para sakrificës së tyre, nuk guxojmë të lejojmë që vepra e tyre të harrohet ose të relativizohet. Liria kurrë nuk është dhuratë. Ajo është zgjedhje, sakrificë dhe përgjegjësi. Dhe sado që dikush të dëshirojë ta fshehë ose ta anashkalojë këtë, paraardhësit tanë ishin në anën e drejtë të historisë. Kishte edhe udhëheqës popujsh që nuk ishin. Ishin armiq në këtë betejë dhe shiheshin permes shënjestrës. Dhe ata nuk ishin administratorë, por okupatorë.

Dhe unë, pa asnjë paragjykim, të gjitha këto i shoh si fakte historike, pavarësisht nëse dikush dëshiron t’i pranojë apo jo, nëse dikush turpërohet apo jo. Popujt që u ngritën mbi paradigma të tilla dhe nuk mbetën peng të njollave historike se udhëheqësit e tyre kishin qenë në anën e gabuar, ecën shumë përpara. Por ka edhe të tillë që mbetën të ngujuar në histori dhe duan t’i tërheqin edhe të tjerët me vete.

Vertikalja morale është shumë e madhe kur mblidhen forcë për të folur edhe për mangësitë dhe gabimet që shtete dhe popuj të caktuar kanë bërë. Dhe kjo nuk mund të jetë një fotografi e njejtë epërgjithshme për një popull të tërë, e as që një popull të shihet si armik. Kjo është meritë dhe pasojë e udhëheqjeve të atëhershme dhe liderëve të tyre.

Por në të njëjtën kohë, si qytetar dhe si njeri që ka mandat të vendosë për proceset, as tani e as në të ardhmen nuk do të hesht kur bëhet fjalë për të vërtetën e luftës sonë dhe nuk do të ndalem së vlerësuari meritat e paraardhësve tanë që fituan lirinë. E përsëris – ata ishin në anën e duhur. Në anën e lirisë. Kundër fashizmit.

Këto mësime janë edhe mësime për Evropën.

Evropa këtë e mësoi në mënyrën më të vështirë të mundshme. Nga rrënojat e luftës lindi ideja e bashkimit evropian. Jo si projekt politik i burokratëve, por si një betim civilizues – që kurrë më popujt të mos shkatërrohen mes vete. Evropa e solidaritetit, vlerave dhe parimeve. E çfarë janë parimet, nëse jo rregulla që duhet të vlejnë për të gjithë, norma që duhet të sjellin prosperitet dhe të ardhme?

Ne besuam në këtë dhe ende besojmë se Evropa është rruga jonë e vetme. Atdheu ynë nuk ka të ardhme dhe shans tjetër për sukses përveç integrimit në Bashkimin Evropian. Por gjithashtu, të mos mashtrojmë veten – ekziston edhe përvoja e hidhur e shumëlëshimeve, pengesave dhe kontesteve të paarsyeshme në këtë rrugëtim tonin. Kjo frustron fuqishëm dhe thellë, kur parimet shkelen pikërisht mbi shpinën e atyre që kërkojnë parime dhe një mundësi të drejtë. Po aq dekurajuese është edhe indiferenca e shumë shteteve më të mëdha ndaj këtyre episodeve të padrejta ndaj popullit dhe shtetit tonë.

Unë Evropën nuk e shoh vetëm si gjeografi. Evropa duhet të jetë vlerë. Evropa është besim në dinjitetin njerëzor, në demokraci, në sundimin e ligjit, në respektin ndaj dallimeve dhe në të drejtën që çdo popull të ecë lirshëm në rrugën e vet.

E kuptoj gjithashtu se Evropa sot po përballet sërish me sfida. Luftëra, ndarje, radikalizëm, pasiguri ekonomike dhe krizë besimi. Në një kohë kur sërish dëgjohet gjuha e urrejtjes, detyra jonë është të jemi zëri i arsyes, stabilitetit dhe unitetit. Duhet të bisedojmë dhe të përpiqemi, sepse vetëm kështu mund të arrijmë te zgjidhjet. Por jo zgjidhje me të cilat do t’u lëmë barra të mëdha pasardhësve tanë, por zgjidhje të qëndrueshme me të cilat do të mund të ecim përpara.

Kushdo që më njeh mirë, është i bindur se, sado që të ekzistojnë boshllëqe dhe sjellje joburrështetërore në establishmentin tonë politik, e di mirë se pazare me identitetin, pazare me dinjitetin tonë në këmbim të çfarëdo përfitimi personal apo politik, siç ka pasur në historinë tonë më të re, kurrë nuk do të bëj. As që më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë. Ky qëndrim imi u pengon disave, por edhe ata e dinë se nderi nuk ka çmim dhe se kurrë nuk do t’i shkaktoj çfarëdo dëmi atdheut tonë të përbashkët.

Të nderuar të pranishëm,

Si popull gjithmonë kemi ditur se forca qëndron te bashkimi. Në historinë tonë ka pasur momente kur kemi qenë të ndarë, të zhgënjyer dhe të shtyrë mënjanë. Por sa herë që kemi qenë të bashkuar rreth shtetit, rreth popullit dhe rreth së ardhmes – kemi fituar.

Sot na nevojitet pikërisht kjo. Bashkim. Jo bashkim në frikë, por në shpresë. Jo në urrejtje, por në vizion. Jo në ndarje, por në luftë të përbashkët për jetë më të mirë, ekonomi më të fortë, shoqëri të drejtë dhe shtet në të cilin të rinjtë do të duan të qëndrojnë.

Hapat e mëdhenj gjithmonë i kanë bërë individët që e shikonin fotografinë e madhe. Më vjen keq që ajo dorë për bashkim shumë herë është refuzuar. Por ka edhe politikanë të tillë që, për të arritur deri te bashkimi, duhet ta dinë se duhet të ecin përpara, e jo të qëndrojnë në vend apo të kthehen mbrapa. Të mos refuzojnë dialogun, të mbyllur në rrethet e tyre dhe plotësisht të shkëputur nga realiteti.

Mediokritetet nga radhë të tilla krijojnë një pasqyrim hipokrit që mund të shihet edhe në deklaratat dhe kritikat se janë për unitet dhe integrim evropian, ndërsa nuk votojnë asnjë ligj nga agjenda reformuese që është prioritet i po asaj Evrope. Një nihilizëm i tillë krijon urrejtje, por edhe një mjegull në të cilën as vetë nuk mund ta njohin veten.

Dhe bredhja e tyre në një hapësirë të tillë shihet edhe në ndryshueshmërinë dhe jokonsistencën e qëndrimeve. Shpesh qëndrimet e tyre për çështjet kyçe ndryshojnë nga mëngjesi deri në mesditë. Ndërsa të shpeshta janë rastet kur kanë sy por bëhen të verbër dhe kanë veshë por bëhen të shurdhër.

Politika e spiunimit të vendit të vet i bën të tillët shërbëtorë të mirë të faktorëve të huaj, por jo edhe miq të popullit të tyre. Dhe për këtë arsye, më shumë se kurrë, është e nevojshme ta shohim thelbin dhe të arrijmë unitet. Por unitet mbi parime dhe vlera.

Të dashur miq,

Lufta jonë sot nuk është me armë. Lufta jonë është për dije, për zhvillim, për institucione dhe për jetë dinjitoze.

Luftë kundër varfërisë, korrupsionit, padrejtësisë dhe mungesës së shpresës. Dhe atë luftë duhet ta fitojmë me të njëjtën vendosmëri me të cilën paraardhësit tanë e mbrojtën lirinë.

 

Siç ka thënë Winston Churchill: “Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal – i rëndësishëm është guximi për të vazhduar më tej.”

Pikërisht ai guxim i duhet sot atdheut.

Të vazhdojmë përpara me kokën lart. Të ndërtojmë një shtet që do të jetë i respektuar, stabil dhe me prosperitet. Shtet i cili nuk do të jetë simbol i ndarjeve, por shembull i dinjitetit dhe përparimit.

E di që nuk jetohet lehtë. E di që shumë familje çdo ditë bëjnë llogari se si ta kalojnë muajin. Që tronditjet e çmimeve, inflacioni dhe jeta e shtrenjtë janë shqetësimi më i madh i qytetarëve. Dhe kjo nuk është vetëm shqetësimi juaj – është edhe shqetësimi im personal. Prandaj gjithçka që bëjmë në këtë periudhë është e orientuar drejt asaj që shtetin ta ngremë sërish në këmbë, ta rikuperojmë ekonominë dhe të krijojmë siguri dhe perspektivë për çdo njeri.

Politika jonë është politikë e katër shtyllave kyçe.

Shtylla e parë është ekonomia dhe standardi jetësor. Qëllimi ynë është i qartë – paga më të larta, më shumë investime, vende të reja pune dhe ekonomi e fortë vendore. Po punojmë për mbështetjen e kompanive, për hapjen e kapaciteteve të reja, për projekte infrastrukturore dhe stabilitet financiar.

Shtylla e dytë është arsimi. Fuqia e arsimit është ilaçi më i fortë kundër varfërisë. Një shtet që investon në dije, investon në të ardhmen e vet. Prandaj investojmë në shkolla, në kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, në programe moderne dhe digjitalizim. Duam që të rinjtë të fitojnë arsim që do t’u hapë dyer, e jo t’i detyrojë ta kërkojnë të ardhmen jashtë vendit. Arsimi duhet të jetë shtytës i ndryshimeve dhe shpresë për çdo fëmijë.

Shtylla e tretë është drejtësia. Populli për vite me radhë ishte i zhgënjyer nga standardet e dyfishta, nga ndjenja se për disa ka ligj, ndërsa për disa të tjerë jo. Prandaj thamë – nuk do të ketë më “tanët” dhe “tuajt”, nuk do të ketë të mbrojtur dhe të paprekshëm. Qytetarët duhet të besojnë sërish se institucionet ekzistojnë për t’i shërbyer popullit, e jo individëve.

Shtylla e katërt janë të rinjtë dhe e ardhmja. Nuk ka të ardhme nëse të rinjtë e humbin shpresën. Prandaj lufta jonë është të krijojmë shtet në të cilin të rinjtë do duan të qëndrojnë, të krijojnë familje, të punojnë dhe të arrijnë sukses. Duam që të rinjtë të jenë shtytës të ndryshimeve, e jo dëshmitarë të zhgënjimeve. Obligimi ynë është t’u lëmë një shtet me perspektivë, dinjitet dhe besim se koha më e mirëka për të ardhur.

Ekonomi dhe standard, drejtësi, arsim dhe e ardhme.

Të dashur miq,

Le të jetë 9 Maji kujtesë se liria dhe paqja nuk janë diçka që fitohet një herë dhe ruhet përgjithmonë. Ato çdo brez i mbron sërish – me mençuri, me punë dhe me unitet.

Sot, kur përulemi para viktimave që e mposhtën fashizmin, nuk guxojmë të harrojmë një të vërtetë të madhe – liria kurrë nuk është e dhuruar. Ajo është zgjedhje. Ajo është luftë. Ajo është sakrificë. Dhe çdo brez ka detyrë ta mbrojë përsëri, me mençuri, me unitet dhe me njerëzillëk.

9 Maji nuk është vetëm date historisë. Ai është kujtesë se edhe në kohët më të errëta popujt mund të gjejnë forcë të bashkohen rreth së mirës. Se urrejtja dhe ndarjet kurrë nuk duhet të jenë më të forta se dinjiteti dhe shpresa. Dhe se Evropa nuk është krijuar vetëm nga marrëveshje dhe institucione, por nga lotët e nënave, nga sakrifica e heronjve dhe nga ëndrra që e keqja e luftës të mos përsëritet më kurrë.

Ne e dimë mirë çmimin e lirisë. E dimë çfarë do të thotë luftë për shtetin tonë, për emrin tonë dhe për dinjitetin tonë. Dhe pikërisht për këtë arsye sot dërgojmë mesazhin se mbetemi në anën e paqes, lirisë dhe vlerave evropiane.

Të ndërtojmë një Evropë që nuk harron.

Evropë që bashkon. Evropë e popujve, dinjitetit dhe mundësive. Por mbi të gjitha – të ndërtojmë një shtet si shtëpi ku çdo njeri do të jetojë me shpresë, siguri dhe besim në të ardhmen.

Qoftë e përjetshme lavdia e heronjve që e mposhtën errësirën.

Qoftë e përjetshme ideja për liri.

Po vjen koha e së ardhmes maqedonase – krenare, e drejtë dhe evropiane.

Zoti e bekoftë Evropën, Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë.

Accessibility Menu