“Mirëdita edhe nga unë.
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Për mua është një nder dhe kënaqësi e madhe që sot jam i pranishëm në një moment që do ta quaja historik për Ohrin dhe për bregdetin e Ohrit, natyrisht edhe për komunat e tjera që gravitojnë këtu, jo vetëm Ohri, por edhe Struga, Debërca, Vevçani, etj. Me këtë rikonstruktim të aeroportit të Ohrit rritet vetë kapaciteti, cilësia dhe shpresoj që brenda afatit të paraparë kjo të përfundojë.
Do të doja gjithashtu të shpreh kënaqësinë time të madhe që në dy muajt e parë të vitit në aeroportin e Shkupit kemi rritje prej 30% të numrit të udhëtarëve, ndërsa në aeroportin e Ohrit rreth 20%. Kur kjo krahasohet me disa periudha të mëparshme, siç tha edhe drejtori i TAV Maqedoni, presim rritje dyshifrore këtë vit të numrit të udhëtarëve në të dy aeroportet, si në atë të Shkupit ashtu edhe në atë të Ohrit.
Ajo që dua të theksoj gjithashtu është se bisedojmë dhe punojmë me një numër të madh të operatorëve turistikë të cilët në mënyrë të organizuar duhet të sjellin turistë në bregdetin e Ohrit.
Me njërin prej tyre tashmë jemi në fazën përfundimtare të negociatave, madje mendoj se jemi edhe para nënshkrimit të marrëveshjes. Bëhet fjalë për një operator turistik i cili, jashtë sezonit – edhe pse po përpiqemi që sezoni këtu të zgjasë 365 ditë – do të sjellë gjithsej rreth gjysmë milioni netë-qëndrime.
Analizat tregojnë, bazuar në bashkëpunimin e deritanishëm me këtë operator, se mysafirët që ata sjellin shpenzojnë mesatarisht rreth 170 euro në ditë, duke përfshirë akomodimin dhe shpenzimet e tjera. Kjo do të thotë se jashtë sezonit do të kemi vetëm në turizëm dhe hoteleri në bregdetin e Ohrit afërsisht rreth 85 milionë euro, që besoj se do të jetë një vlerë e shtuar për ekonominë e këtij rajoni.
Njëkohësisht kjo paraqet mundësi për hotelierët dhe gastronomët që ta mbajnë personelin dhe të punësuarit edhe në periudhën jashtë sezonit veror turistik. Pra, kjo është vetëm një shembull – që do të thotë çdo ditë rreth 2.000 mysafirë jashtë sezonit. Tani duhet të punojmë së bashku me pronarët e kapaciteteve akomoduese që kjo shifër të rritet, pse jo edhe të dyfishohet në një masë, që të kemi 4.000 mysafirë që do të vijnë nga Skandinavia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, etj., këtu në bregdetin e Ohrit dhe të kalojnë një pjesë të kohës së tyre jashtë sezonit veror turistik.
Kështu që kjo është edhe një lajm i mirë në kuadër të asaj që e fillojmë sot. Uroj që kjo të jetë e suksesshme, rikonstruktimi të përfundojë sa më shpejt dhe të gjithë ne të mund t’i ndiejmë përfitimet prej tij.
Ju faleminderit.”