Të nderuar qytetarë,
Të nderuar mjekë, infermierë, punonjës shëndetësorë dhe studentë,
Të nderuara familje të donatorëve, pacientë të transplantuar dhe miq,
Sot jemi mbledhur për të folur për një temë që prek vetë thelbin e ekzistencës njerëzore; për një temë që i tejkalon kufijtë e mjekësisë, shkencës dhe institucioneve dhe na kujton gjënë më të çmuar që posedojmë si njerëz – aftësinë për të treguar dashuri, solidaritet dhe kujdes për tjetrin.
Sot flasim për dhurimin e organeve dhe transplantimin. Flasim për jetën. Flasim për shpresën. Flasim për humanizmin që nuk njeh kufij dhe që, në momentet më të vështira, dëshmon se sa e madhe është fuqia e shpirtit njerëzor.
Dhurimi i organeve është një nga aktet më fisnike që mund të bëjë njeriu. Është një vendim që nuk sjell përfitim për atë që dhuron, por shpëton jetët e atyre që për ditë, muaj apo vite presin shansin e tyre. Është dëshmia më e fortë se humanizmi vazhdon të jetojë edhe atëherë kur jeta e një njeriu përfundon.
Në një botë të mbushur me shumë sfida, ndarje dhe pasiguri, dhurimi i organeve na kujton se ekzistojnë vlera që qëndrojnë mbi gjithçka. Vlera që na bashkojnë si njerëz dhe si shoqëri. Vlera që na mësojnë se ndonjëherë veprat më të mëdhaja nuk bëhen me fjalë të mëdha, por me vendime të qeta dhe të guximshme.
Transplantimi nuk është vetëm një ndërhyrje mjekësore. Ai nuk është vetëm një procedurë e shkruar në tekstet mjekësore apo statistikë në raportet shëndetësore. Transplantimi është një mëngjes i ri për njeriun që mendonte se shpresa po zhdukej. Është një mundësi e re për një prind që dëshiron të jetë sërish pranë fëmijëve të tij. Është një shans që një i ri të mësojë përsëri, të punojë, të krijojë familje dhe të realizojë ëndrrat e tij.
Pas çdo transplantimi të suksesshëm qëndron një histori njerëzore. Një histori përpjekjeje, durimi, besimi dhe shprese. Një histori për njerëz që kanë pritur me muaj e vite një telefonatë që për ta nënkupton një jetë të re. Një histori për familje që kanë kaluar nëpër pasiguri, por që kurrë nuk e kanë humbur shpresën.
Por, pas çdo transplantimi të suksesshëm qëndron edhe një histori tjetër. Historia e familjeve që, në çaste dhimbjeje të madhe dhe tragjedie personale, kanë gjetur forcën për të bërë diçka që kërkon guxim të jashtëzakonshëm. Në momentet kur përballen me humbjen më të rëndë, ato vendosin që jeta të vazhdojë përmes njerëzve të tjerë.
Pikërisht për këtë arsye, sot shprehim respektin më të thellë për të gjithë donatorët dhe familjet e tyre. Humanizmi i tyre përfaqëson një shembull të ndritur për të gjithë shoqërinë. Ata tregojnë se edhe në momentet më të vështira, njeriu mund të gjejë forcë të mendojë për të tjerët dhe të dhurojë shpresë aty ku dukej se shpresa më nuk ekzistonte.
Mirënjohje të veçantë meritojnë edhe punonjësit shëndetësorë që janë pjesë e këtij procesi kompleks dhe jashtëzakonisht të përgjegjshëm.
Mjekët tanë, kirurgët, anesteziologët, koordinatorët e transplantimit, infermierët dhe i gjithë personeli mjekësor janë njerëz që çdo ditë mbajnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi supet e tyre. Ata punojnë kur të tjerët pushojnë. Ata mbajnë kujdestari kur të tjerët flenë. Ata marrin vendime në momente kur çdo minutë mund të nënkuptojë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Puna e tyre nuk njeh festa, nuk njeh fundjava dhe nuk njeh orar pune. Misioni i tyre është jeta. E jeta nuk ka pauzë.
Pikërisht për këtë, përkushtimi i tyre meriton respektin më të madh.
Si shtet, obligimi ynë është të jemi partnerët e tyre në këtë mision.
Prandaj, ne vazhdojmë të investojmë në sistemin shëndetësor, në pajisje bashkëkohore mjekësore, në teknologji të reja, në edukimin dhe përsosjen profesionale të kuadrit mjekësor dhe në krijimin e kushteve që mjekësia transplantuese të vazhdojë të zhvillohet dhe të arrijë suksese të reja.
Një sistem shëndetësor i fortë dhe modern nuk ndërtohet brenda natës. Ai ndërtohet me përkushtim, vizion dhe investime të vazhdueshme në dije, tek njerëzit dhe teknologjia.
Duhet të flasim hapur për dhurimin e organeve. Duhet të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe t’i inkurajojmë njerëzit të informohen për rëndësinë e këtij vendimi fisnik. Sepse askush nuk e di se çfarë sjell dita e nesërme. Secili prej nesh mund të gjendet në situate që presë një organ që do t’ia shpëtojë jetën. Por, po ashtu, secili prej nesh mund të jetë arsyeja që dikush tjetër të fitojë një shans të ri.
Mjeku, filozofi dhe humanisti i madh Albert Schweitzer ka thënë:
“Qëllimi më i madh i jetës njerëzore është të shërbejë, të tregojë dhembshuri dhe të ketë vullnet për t’i ndihmuar të tjerët.”
Pikërisht në këto fjalë qëndron thelbi i dhurimit të organeve. Në të bashkohen mirësia njerëzore, dhembshuria dhe dëshira për të ndihmuar një njeri që ndoshta nuk do ta njohim kurrë, por jeta e të cilit do të shpëtohet falë vendimit tonë.
Sot u shprehim mirënjohje të gjithë donatorëve dhe familjeve të tyre. U shprehim mirënjohje të gjithë pacientëve të transplantuar, të cilët me guximin dhe qendrueshmërinë e tyre tregojnë sa e çmuar është jeta. U shprehim mirënjohje të gjitha ekipeve mjekësore që çdo ditë e shndërrojnë shpresën në realitet.
Le të vazhdojnë historitë e tyre të na frymëzojnë. Le të na kujtojnë se pasuria më e madhe e një shoqërie nuk janë ndërtesat, rrugët apo teknologjitë, por njerëzit. Njerëzit që dinë të ndihmojnë. Njerëzit që tregojnë dashuri për tjetrin. Njerëzit që besojnë se jeta e tjetrit vlen po aq sa jeta e tyre.
Le të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri ku solidariteti nuk është përjashtim, por rregull. Një shoqëri ku humanizmi është forca jonë më e madhe dhe kujdesi për tjetrin është vlera jonë më e lartë.
Le të jetë çdo transplantim i suksesshëm një kujtesë se edhe kur duket se shpresa po shuhet, ekziston një dritë që e ndriçon sërish rrugën. Le të jetë një kujtesë se pas çdo jete të shpëtuar qëndron zemra e madhe e dikujt, një vepër fisnike dhe një dashuri e pakursyer.
Sepse vërtet nuk ka dhuratë më të madhe sesa mundësia për t’i dhuruar jetë një njeriu tjetër.
Ju faleminderit.