Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Shëndetësia është fokusi ynë, është rikonstruar ISHP Spitali i Përgjithshëm i Strumicës

Mickoski: Shëndetësia është fokusi ynë, është rikonstruar ISHP Spitali i Përgjithshëm i Strumicës

Mirëdita edhe nga unë, të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë, kolegë. Për mua paraqet një nder dhe kënaqësi të veçantë kur mund të marr pjesë në një ngjarje të tillë, sepse po fillojmë diçka të re, diçka të bukur.

Siç tha edhe drejtori, afro 40 vjet është pritur që të ndodhë ajo që po ndodh sot. Natyrisht, tani duhet të përfundojnë edhe punimet e fundit të rregullimit, respektivisht pajisja shtesë që është një gjë tashmë e vogël, për të cilën presim të përfundojë deri në fund të gushtit dhe më në fund, që nga fillimi i shtatorit, objekti të vihet plotësisht në funksion.

Si Qeveri, detyra jonë është të realizojmë të gjitha obligimet që kemi marrë para qytetarëve. Kemi shumë projekte, çdo ditë ose fillojmë ose përfundojmë projekte. Dëshirojmë të përfundojmë gjithçka që është nisur, ndërsa edhe atë që e kemi filluar vetë ta çojmë deri në fund, në mënyrë që të vendosim një vijë orientuese dhe të dimë më pas në cilin drejtim do të lëvizim si komuna dhe si shtet, gjë që për ne është më e rëndësishmja.

Në shëndetësi kemi një fokus të madh. Të gjitha reformat që po i zbatojmë dhe të gjitha investimet që po i realizojmë deri më tani janë vërtet projekte që e përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Në këtë drejtim do të vazhdojmë edhe në periudhën që vijon. Ka përfunduar procesi i kërkimit të financuesve ndërkombëtarë për projektet që gjithashtu janë nisur, siç është Spitali Klinik në Shtip, së bashku me konviktin e studentëve dhe ndërtesën e re të Fakultetit të Mjekësisë.

Më pas vijnë ndërtesa në Kërçovë, shtëpia e shëndetit me veprimtarinë e zgjeruar atje dhe Spitali Klinik në Tetovë. Ndërkaq, në një fazë të ardhshme po mendojmë dhe po zhvillojmë edhe projektin për një qendër të madhe klinike në Shkup, në lokacionin për të cilin kemi folur tashmë.

Shfrytëzoj këtë rast për t’i informuar qytetarët në këtë pjesë të Maqedonisë se gjatë kësaj jave do të shpallet tenderi për fizibilitetin dhe zgjidhjen projektuese për ndërtimin e rrugës ekspres që do t’i lidhë komunat e Radovishit dhe Strumicës. Rruga ekzistuese do të zgjerohet, ndërsa më pas do të lidhet përfundimisht me rrugën që duhet ta lidhë Strumicën me fqinjin tonë lindor, me ç’rast do të fitojmë edhe një lidhje shtesë, si pjesë e Korridorit 8, me fqinjin tonë lindor.

Pas lidhjes që realizuam nga Stracini deri në Kriva Pallankë, po fillojmë gjithashtu realizimin e projektit Romanovcë–Stracin. Pjesa e dytë tashmë ka nisur, përkatësisht është shpallur procedura e prokurimit publik për studimin e fizibilitetit dhe zgjidhjen projektuese të rrugës ekspres që do t’i lidhë Koçanin dhe Vinicën me Dellçevën. Tani mbetet të vazhdohet me segmentin Radovish–Strumicë dhe me pikën kufitare drejt Bullgarisë.

Kështu që, e gjithë kjo që është pritur me dekada po fillon të realizohet, gjërat po lëvizin. Qëllimi ynë është të realizojmë objektivat tona strategjike dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur.

Shfrytëzoj këtë rast ta falënderoj drejtorin e spitalit këtu në Strumicë për punën me përkushtim dhe për gjithçka që ka bërë gjatë periudhës së kaluar. Ta falënderoj kolegun tim nga Qeveria, ministrin e Shëndetësisë, drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor, deputetët që vijnë nga rajoni i Strumicës, të cilët gjithmonë angazhohen që këtu të realizohen më shumë projekte, si dhe kryetarët e komunave nga rajoni i Strumicës, të cilët me përkushtimin e tyre i kanë kushtuar vëmendje të madhe këtij procesi.

Falënderimi më i madh shkon për personelin e spitalit, për mjekët dhe stafin mjekësor, të cilët pavarësisht sfidave të kohës arritën ta presin realizimin e një objekti të tillë dhe ta përdorin atë.

Unë gjithmonë them, sa më pak përdorues të ketë ky objekt nga zakonisht, aq më shumë do të thotë se jemi një komb më i shëndetshëm, por ata që do ta përdorin këtë objekt, ta përdorin në kushte moderne dhe evropiane, siç janë këto që i kemi sot këtu.

Accessibility Menu