Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Miteva: Është marrë vendim, Qeveria ul çmimet e pajisjeve shkollore – 10% në tregtinë me shumicë dhe deri në 15% në çmimet e tregtisë me pakicë

Miteva: Është marrë vendim, Qeveria ul çmimet e pajisjeve shkollore – 10% në tregtinë me shumicë dhe deri në 15% në çmimet e tregtisë me pakicë

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Me fillimin e vitit të ri shkollor, një nga synimet tona është t’u ndihmojmë familjeve t’i ulin shpenzimet dhe ta mbrojmë standardin jetësor të qytetarëve.

Pikërisht për këtë arsye, Qeveria në seancën e sotme qeveritare miratoi vendim me të cilin ulen çmimet e pajisjeve shkollore, në periudhën nga publikimi i vendimit në „Gazetën Zyrtare“, përkatësisht nga sot, deri më 30 shtator 2026.

Me këtë vendim, tregtarët me shumicë obligohen t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë obligohen të sigurojnë ulje prej të paktën 15%.

Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh të domosdoshme për fillimin e vitit shkollor. Më lejoni t’i numëroj këtu, me qëllim që familjet dhe qytetarët të jenë të informuar: çanta, fletore, blloqe, kolazhe, lapsa dhe stilolapsa, lapsa me ngjyra, plastelinë, brumëra për modelim, shtresa pune, markera dhe tekst - markera, tempera, akrilike dhe akuarele dhe penela, vizore dhe materiale didaktike, mprehëse dhe goma për fshirje, gërshërë për fëmijë, këllëfë, ngjitës, kompasë, kalkulatorë, letër dekorative, dosje dhe çanta kartoni, si dhe materiale për punime. Praktikisht, gjithçka që nevojitet për fillimin e vitit shkollor.

Veçanërisht e rëndësishme është se me vendimin sigurohet edhe transparenca sa i përket uljes së çmimeve. Tregtarët janë të detyruar që, krahas çmimit të ri, të ulur të produktit, të paraqesin edhe çmimin e vjetër që ka qenë në fuqi më 1 qershor 2026. Kjo sepse pikërisht ky çmim merret si bazë mbi të cilën përcaktohet ulja.

Vendimi vlen nga dita e publikimit të tij deri më 30 shtator 2026. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe qytetarët duhet të kenë mundësi t’i blejnë produktet e përfshira në masë me çmime të ulura dhe të shënuara qartë.

Kjo është një masë konkrete e orientuar drejt mbështetjes së drejtpërdrejtë të familjeve në një periudhë kur ato kanë shpenzime të rritura për përgatitjen e fëmijëve për vitin e ri shkollor. Ulja e çmimeve të mjeteve shkollore është edhe një hap tjetër në drejtim të mbrojtjes së standardit jetësor të qytetarëve, si dhe uljes së presionit mbi buxhetin familjar.

Të nderuar qytetarë,

Synimi ynë është i qartë. Prindërit të mund t’i sigurojnë mjetet e nevojshme shkollore për fëmijët e tyre me çmime më të ulëta, me çmim bazë dhe çmim të ulur të paraqitur qartë, si dhe me rregulla që vlejnë njësoj për të gjithë tregtarët.

Accessibility Menu