Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Andonovski: Më 28 tetor prezantojmë m.Shërbime, shërbimet shtetërore dhe dokumentet personale në telefonin tuaj

Andonovski: Më 28 tetor prezantojmë m.Shërbime, shërbimet shtetërore dhe dokumentet personale në telefonin tuaj

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë paraqitjes në edicionin e lajmeve të RTM1, paralajmëroi prezantimin zyrtar të aplikacionit mobil m.Uslugi, i cili do të mbahet më 28 tetor në Filarmoninë e Maqedonisë. Në këtë ngjarje do të mbajë fjalim edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili do të flasë për drejtimet dhe prioritetet në digjitalizimin e shtetit.

“Prezantimin zyrtar mund ta njoftoj për më 28 tetor në Filarmoninë e Maqedonisë. Do ta prezantojmë aplikacionin mobil m.Shërbime, ndërsa unë do të paraqes pamjen dhe funksionalitetet e tij. Kryeministri do të flasë më gjerësisht për drejtimin në të cilin po lëvizim sa i përket digjitalizimit”, theksoi Andonovski.

Ministri bëri të ditur se aplikacioni ndodhet në fazën përfundimtare të testimit dhe do të jetë i disponueshëm përmes Google Play dhe App Store. Qytetarët do të mund të kyçen në aplikacion përmes llogarisë së tyre në Portalin Kombëtar të Shërbimeve Elektronike, uslugi.gov.mk, dhe të kenë qasje në të dhënat e tyre dhe funksionalitetet që ofron aplikacioni.

Aplikacioni m.Uslugi do të mundësojë qasje në versionin elektronik të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, ndërsa në fazën fillestare do të ofrojë edhe tri shërbime për qytetarët. Andonovski theksoi sigurinë e aplikacionit, duke bërë të ditur se shkarkimi do të jetë falas, ndërsa përdorimi do të jetë vullnetar.

“Ky do të jetë hapi ynë i parë drejt portofolit digjital. Aplikacioni do të jetë falas për shkarkim dhe nuk do të jetë i detyrueshëm, por do të ofrojë shumë lehtësi të reja. Do ta përqendrojmë vëmendjen te mundësia që shteti të jetë i qasshëm përmes telefonit mobil, pra në pëllëmbë të dorës”, deklaroi ministri.

Në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të aplikacionit, Andonovski informoi se tashmë janë duke u zhvilluar bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë për të dhënat nga m.Shëndet, si dhe me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për kartën evropiane të rinisë.

Qëllimi është që m.Shërbime gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital, ku dokumente dhe shërbime të ndryshme do të jenë të disponueshme në një vend të vetëm.

Sa i përket pranimit të dokumenteve elektronike nga institucionet, ministri shpjegoi se kjo do të jetë një procedurë graduale, e cila do të kërkojë përshtatjen e akteve nënligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai rikujtoi se edhe për pranimin e dokumenteve të tjera elektronike janë bërë ndryshime në rreth 100 ligje.

“Bashkimi Evropian kërkon përdorimin e detyrueshëm të portofolit digjital nga viti 2027. Te ne nuk do të ketë përdorim të detyrueshëm, por njëkohësisht do të bëjmë përpjekje që institucionet të fillojnë t'i pranojnë dokumentet elektronike. Ky do të jetë një proces, sepse do të duhet të ndryshohen edhe aktet nënligjore. Hap pas hapi, ndërsa ndërtojmë kapacitetet, do të zgjerohet edhe pranimi i tyre”, tha Andonovski.

Ministri theksoi se komentet e deritanishme janë pozitive dhe konfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Transformimit Digjital për zhvillimin e shërbimeve që do t'ua lehtësojnë përditshmërinë qytetarëve.

“Deri tani dëgjoj vetëm komente pozitive, ndërsa ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që kjo të funksionojë në interes të qytetarëve”, përfundoi Andonovski.

Accessibility Menu