Ndërtimi i autostradës Prilep-Manastir po zhvillohet me dinamikë të mirë, ndërsa 12 kilometrat e parë nga gjithsej 40 kilometra pritet të vihen në funksion vitin e ardhshëm. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në podkastin “Ku janë paratë? me Goran Temenugov”, ku foli edhe për ndërlidhjen e mbetur rrugore nga Farishi deri në Prilep.
Nikolloski theksoi se në këtë segment po zbatohet një qasje e ndryshme gjatë ndërtimit, e cila pritet të kontribuojë në rritjen e qëndrueshmërisë së rrugës.
“Për herë të parë në Maqedoni po ndërtohet një autostradë pa shtresë nëntokësore prej dheu, përkatësisht po vendoset një bazament prej guri të thërrmuar, i cili do ta rrisë ndjeshëm qëndrueshmërinë gjatë qarkullimit. E njëjta metodë do të zbatohet edhe në segmentet Kërçovë - Bukojçan dhe Shkup - Bllacë”, deklaroi ministri.
Sipas Nikolloskit, segmenti i parë i autostradës pritet të vihet në përdorim vitin e ardhshëm.
“Dymbëdhjetë kilometrat e parë nga gjithsej 40 kilometra të autostradës Prilep - Manastir do të vihen në funksion vitin e ardhshëm. Ajo që mbetet për t’u zgjidhur është segmenti nga Farishi deri në Prilep, pasi autostrada fillon rreth 9 kilometra mbi Prilep dhe mbeten edhe 25 kilometra për të cilët ende nuk është gjetur zgjidhje. Aktualisht, jemi duke diskutuar për të gjetur një zgjidhje për ndërtimin e këtyre 25 kilometrave si autostradë ose si rrugë eksprese”, theksoi Nikolloski.
Autostrada Prilep - Manastir është pjesë e ndërlidhjes më të gjerë infrastrukturore të rajonit. Gjatë periudhës së kaluar, janë vënë në përdorim edhe të dyja fazat e rrugës së eksprese Prilep - Gradsko, përkatësisht segmentet Gradsko - Drenovë dhe Drenovë - Farish.