Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në seancën e sotme për pyetje deputetësh në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jovana Trençevska, theksoi se Qeveria po zbaton masa gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe përmirësimin e të drejtave të punëtorëve.
Ministri potencoi se gjendja me çmimet është stabilizuar dhe është nën kontroll. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni lëviz ndërmjet 4,5% dhe 4,9%, që është një ulje e konsiderueshme krahasuar me krizën e vitit 2022 kur ai kalonte 10%. Për më tepër, te 55 produkte bazë rritja e çmimeve të shitjes është minimale – 0,43%, ndërsa çmimet e furnizimit janë rritur për 1,01%, dhe marzhet tregtare janë në rënie, gjë që tregon se një pjesë e barrës po merret edhe nga tregtarët.
Sa i përket masave, Durmishi theksoi se Qeveria ka miratuar politika konkrete për zbutjen e presioneve të çmimeve, ndër të cilat ulja e TVSH-së dhe akcizave për karburantet, si dhe rritja e kontrolleve përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut me 30 ekipe në terren. Gjithashtu, tashmë po shqyrtohen masa të reja të targetuara, përfshirë mundësinë për uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe rikthimin e kufizimit të marzheve.
Në pjesën e pagave, ministri theksoi se Qeveria po ndjek një politikë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme. Ai theksoi se paga minimale nuk mund të përcaktohet me vendime politike pa bazë ekonomike, pasi kjo mund të sjellë pasoja negative për vendet e punës dhe ekonominë. Në vend të kësaj, është vendosur një metodologji e re me të cilën pagat lidhen me pagën mesatare dhe koston e jetesës, duke siguruar kështu rritje të vazhdueshme.
“Në periudhën e kaluar, pagat janë rritur në disa sektorë përmes marrëveshjeve kolektive, ndërsa vetëm nga harmonizimi me koston e jetesës ka një rritje prej rreth 12%. Për më tepër, është përcaktuar një dinamikë e qartë e rritjes prej 7% në vitet 2026, 2027 dhe 2028, që përbën një rritje totale prej rreth 21%”, theksoi Durmishi.
Sa i përket pretendimeve për deficitin buxhetor, ministri theksoi se Qeveria po ndjek një politikë fiskale të përgjegjshme në kushte të krizës globale ekonomike, ku ndërhyrjet janë të orientuara drejt mbrojtjes së ekonomisë dhe qytetarëve.
Durmishi theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në krijimin e politikave që sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike, rritje të pagave dhe mbrojtje të kategorive të cenueshme, bazuar në parametra realë ekonomikë dhe jo në premtime populiste.