Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në një konferencë për shtyp dërgoi mesazhe lidhur me vendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak në një rast që lidhet me hetimin për keqpërdorimin e mbi tetë milionë eurove.
Në fjalimin e tij, ministri theksoi se Ministria e Drejtësisë nuk do të jetë dëshmitar i heshtur kur besimi i qytetarëve në sistemin juridik është lëkundur, e as nuk do të qëndrojë anash kur opinioni publik me të drejtë kërkon përgjigje.
“Deri më tani, duke respektuar parimin e ndarjes së pushtetit, nuk kam komentuar vendime konkrete gjyqësore dhe prokuroriale. Ky është themeli i shtetit juridik. Por kur vendimet hapin dilema serioze dhe vënë në pikëpyetje barazinë para ligjit, është detyrimi im të kërkoj llogaridhënie”, theksoi Filkov.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një person që ka qenë në arrati për 14 muaj, për të cilin ishte vlerësuar rreziku i arratisjes – një rrezik që u realizua – dhe se opinioni publik ka të drejtë të dijë mbi bazën e cilave fakte konkrete dhe argumente ligjore është marrë vendimi për një masë më të lehtë.
Ministri u bëri thirrje publike të gjithë atyre që janë përfshirë në procedurë të japin shpjegime të detajuara dhe transparente për vendimet e tyre, duke theksuar se përgjegjësia duhet të identifikohet me emër dhe mbiemër.
“Publikisht u bëj thirrje të gjithë palëve të përfshira në procedurë të japin shpjegim:
Prokurori Publik, Daniel Kocev – të shpjegojë mbi bazën e cilave fakte konkrete dhe argumente juridike është dhënë mendim pozitiv për zëvendësimin e paraburgimit?
Udhëheqësi i prokurorisë, Anel Fidoski – a qëndron pas këtij vendimi dhe a e konsideron se kjo është një mesazh për zbatimin e barabartë të ligjit;
Gjyqtari në procedurën paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, Marin Stanevski – cilat rrethana e tejkaluan rrezikun e arratisjes te një person që ishte i padisponueshëm për 14 muaj?”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Ai njoftoi se ka kërkuar shpjegime edhe nga institucionet kompetente lidhur me kushtet në institucionet e paraburgimit dhe paralajmëroi mbikëqyrje të jashtëzakonshme në institucionet ndëshkuese përmirësuese, me qëllim vlerësimin e gjendjes së sigurisë.
“Është e kotë të miratojmë ligje nëse ato nuk zbatohen. Është e kotë të flasim për reforma nëse praktika e rrënon besimin. Kjo nuk është çështje politike, por çështje parimi”, tha Filkov.