Gjatë vizitës zyrtare në Romë, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, iu drejtua pjesëmarrësve në programin e dedikuar për aftësimin e drejtuesve të lartë të administratës publike italiane, i cili realizohet në kuadër të Akademisë Nacionale të Administratës Publike të Italisë (SNA) dhe në të cilin morën pjesë mbi 100 udhëheqës.
Duke iu drejtuar drejtuesve të ardhshëm të administratës publike italiane, ministri Minçev e prezantoi reformën që Ministria e Administratës Publike po zbaton në fushën e zhvillimit profesional të nëpunësve administrativë, me fokus të veçantë në themelimin e Akademisë për Zhvillim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ.
“Ambicia jonë është që Akademia të jetë më shumë sesa një vend ku njerëzit thjesht ndjekin trajnime. Ne dëshirojmë që ajo të shndërrohet në një platformë për zhvillim të vazhdueshëm profesional, udhëheqje, shkëmbim përvojash dhe ndërtim të kompetencave që kërkon administrata publike bashkëkohore evropiane” - theksoi Minçev.
Ai theksoi se, gjatë krijimit të sistemit të ri, Maqedonia nuk dëshiron të mbështetet vetëm në përvojën e saj, por synon të mësojë në mënyrë aktive nga institucionet evropiane me traditë shumëvjeçare në zhvillimin profesional të administratës publike.
Minçev foli edhe për reformën e sistemit të pozitave të larta udhëheqëse në Maqedoni. Ai theksoi se Ligji për Udhëheqësit e Lartë, i miratuar në fillim të këtij viti, do të fillojë të zbatohet nga tetori i vitit 2026, me qëllim përforcimin e profesionalizmit, meritokracisë dhe përgjegjshmërisë gjatë përzgjedhjes dhe emërimit të drejtuesve të lartë në institucionet publike.
“Për ne, legjislacioni është vetëm fillimi. Reforma e vërtetë do të matet në bazë të mënyrës se si këto parime zbatohen në praktikë, si dhe në bazë të cilësisë së udhëheqjes dhe shërbimeve që përjetojnë qytetarët”, theksoi Minçev.
Vizita në Akademinë Nacionale të Administratës Publike të Italisë është pjesë e aktiviteteve të ministrit Minçev në kuadër të vizitës zyrtare në Romë, gjatë së cilës u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Maqedonisë dhe Departamentit të Administratës Publike pranë Presidencës së Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane.