Më vjen keq që nuk e mësuat mësimin dhe godisni sërish një grup njerëzish të cilët gjatë tranzicionit disa nga paraardhësit tuaj në LSDM i lanë në rrugë, ndërsa sot janë pensionistë dhe një pjesë e madhe e tyre me kalimin e kohës u bënë “heronj të tranzicionit”, duke grabitur pasurinë popullore, ndërsa qindra mijëra njerëz atëherë ngelën në rrugë si tepricë teknologjike. Dhe për fat të keq, para ardhjes së kësaj Qeverie, pensionet e tyre ishin, do të thosha, katastrofale. Me ardhjen e kësaj qeverie, pensionet e tyre ende nuk janë në gjendjen më të mirë, pra ashtu siç meritojnë të jenë. Por ja, aq sa kishim mundësi në kuadër të mundësive, duke pasur parasysh se trashëguam një buxhet të zbrazur, të cilin qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së e kishte boshatisur dhe e kishte shpenzuar në mënyrë të pamëshirshme, ne arritëm të kursejmë mjete dhe t’ua rrisim pensionet pensionistëve", thotë në përgjigjen e tij në seancën për pyetje të deputetëve kryeministri Hristijan Mickoski.
Mickoski theksoi se Venko Filipçe dhe LSDM i sulmojnë pensionistët dhe rritjen e pensioneve të tyre, por siç tha ai, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të vazhdojë të punojë në interes të pensionistëve dhe të gjithë qytetarëve.
"Kështu që mua vërtet më vjen keq që i sulmoni pensionistët dhe mendoj se kjo nuk është një temë e mirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë në interes të pensionistëve, ashtu siç do të vazhdojmë të punojmë në interes të të gjithë punëtorëve. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se paga mesatare për vitin e kaluar është rritur për 9,6 për qind. A është kjo e mjaftueshme? Jo. A duhet më shumë? Po. Por këto janë mundësitë që në këtë moment i ka ekonomia maqedonase dhe këto janë mundësitë që ne si Qeveri i kemi në kuptimin e arritjes së marrëveshjeve me kolegët tanë në arsim, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Mbrojtjes, në shëndetësi ku edhe ju merrni pagë dhe në sektorë të tjerë, përfshirë marrëveshjen e fundit që bëmë me SPOGj-në dhe Sindikatën e Administratës dhe e Shërbimit Shtetëror të Maqedonisë (SADU), për të arritur marrëveshje për të ardhurat e kolegëve tanë deri në vitin 2028, deri kur kjo qeveri edhe ka fituar mandat nga qytetarët, dhe shtoi:
"Pas kësaj do të shohim. Por që tani po ju them se edhe pas vitit 2028 VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit do ta formojnë qeverinë e ardhshme. Ndërsa për fat të keq, me politika të tilla jopopullore që keni dhe duke përfaqësuar indin e butë të identitetit maqedonas dhe të skenës politike maqedonase, si dhe me deklarata dhe pyetje të dobëta që po i parashtroni tani, për fat të keq nuk shoh se si do të riktheni qoftë edhe pak nga ajo substancë që e keni humbur te votuesit maqedonas. Por ky është problemi juaj, jo i imi.