Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Edhe në raportin e qershorit do të jemi para vendeve kryesuese për agjendën reformuese, ndërsa si Qeveri nuk do të lejojmë buxhete shtesë për gjyqësorin me rezultate që na kthejnë prapa

Mickoski: Edhe në raportin e qershorit do të jemi para vendeve kryesuese për agjendën reformuese, ndërsa si Qeveri nuk do të lejojmë buxhete shtesë për gjyqësorin me rezultate që na kthejnë prapa

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve theksoi se Maqedonia edhe në raportin e qershorit për Agjendën Reformuese do të jetë para vendeve kryesuese, ndërsa sa i përket zbatimit të drejtësisë pret një zbatim më të shpejtë dhe më efikas të drejtësisë krahasuar me më parë, sepse edhe qytetarët nuk janë të kënaqur me drejtësinë e ngadaltë dhe për këtë arsye nuk do të ketë të ardhura shtesë pa rezultate të qarta.

“Sigurisht që jo vetëm unë dhe qytetarët, por të gjithë do të pajtohemi se drejtësia është tepër e ngadaltë ose mungon fare dhe se nuk jemi të kënaqur. Lidhur me zbatimin e drejtësisë pres që në periudhën që vijon të ketë një zbatim më të shpejtë dhe më efikas të drejtësisë krahasuar me atë që ka qenë më parë. Kemi afërsisht 120-130 raporte revizioni të institucioneve të dorëzuara në prokurori, të paktën revizorët thonë se kanë konstatuar shumë paligjshmëri, pres që të paktën mbi bazën e atyre raporteve të veprohet dhe të zbatohet drejtësi”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria krijon kushte që prokuroria dhe institucionet të kenë kushte për punë me qëllim që të zbatojnë drejtësi dhe të punojnë me më shumë produktivitet, përkatësisht se është miratuar Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Prokurorinë Publike është në Kuvend, nëpunësit në gjykata dhe prokurori do të marrin 40% rritje të pagave, 200 punësime të reja, si dhe respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pagave të gjykatësve nga viti 2025, por nuk do të ketë rritje shtesë pa rezultate të qarta.

“Konkretisht tani kemi një gur që na pengon, ku duhet të rregullohen çështje që përsëri reduktohen te pagat e gjykatësve dhe prokurorëve. Ky është ai gur që pengon për të cilin po diskutojmë tani në Agjendën Reformuese. Tani kërkohen rritje shtesë të të ardhurave. Rritje shtesë pa rezultate të qarta nuk do të ketë, madje edhe me çmimin që të dështojë ai hap, sepse me atë që kemi bërë ne si Qeveri kemi mundësuar rritje të vazhdueshme të pagave për të punësuarit në gjykata. Dhe këtë qartë do t’ia them në takimin e ardhshëm zotit Gert-Jan Koopman. U kërkua rritje, u mundësua rritje, u kërkua ndryshim ligjor, u mundësua ndryshim ligjor, u kërkua rritje e numrit të të punësuarve administrativë, u mundësuan 200 punësime të reja, por që vazhdimisht të sigurojmë mjete për rritje të buxheteve dhe pagave pa pasur rezultate, përkatësisht rezultate që na kthejnë prapa, këtë si Qeveri nuk do ta lejojmë”, potencoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se edhe nëse ky hap nuk arrin sukses, ne edhe në raportin e qershorit do të jemi më të mirë se të vetëshpallurit si vende kryesuese, ashtu siç ishim edhe në raportin e dhjetorit dhe kështu do të jemi deri në fund, ndërsa do ta izolojmë këtë për të cilën sot opozita zhvillon fushatë për ndryshimin e Kushtetutës. Për gjithçka tjetër do të punojmë dhe do të japim rezultate, qëndrimi është i qartë, i fortë dhe i pandryshueshëm lidhur me atë çështje.

Accessibility Menu