Mirëdita edhe nga unë.
Edhe një herë, në emrin tim dhe në emër të Qeverisë, dua të falënderoj fillimisht investitorin që e njohu Maqedoninë si destinacionin e tij për të bërë biznes, do të thoja biznes të suksesshëm, dhe ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjithë huadhënësit që e mbështetën këtë projekt, që nga ideja ngadalë por sigurt të bëhet realitet dhe sot të mund të flasim për infrastrukturë të re, për kapacitete të reja prodhuese energjetike nga energjia e rinovueshme, për turbina që do të prodhojnë energji elektrike e cila do të kontribuojë pozitivisht në ekonomitë e Maqedonisë.
Do të dëshiroja të thoja disa fjali për investitorin, përkatësisht për njeriun e parë të "Alkazar Energy Partners", z. Daniel Kalderon.
Kur u njohëm dhe kur e gjithë kjo ide ishte në letër, përkatësisht kur e gjithë kjo filloi me realizimin, ne sapo kishim qenë të zgjedhur si qeveri e re. Pak veta besonin se sot këtu do të mund ta shihnim të gjithë këtë mekanizëm ndërtimi dhe gjithçka që po ndërtohet në shtrirjen e tre komunave — Radovish, Shtip dhe Karbinci.
Por, ne besuam. Besuam në ide, besuam në ambicien, dhe ajo ambicie dhe ajo ide sot ngadalë por sigurisht po bëhen realitet.
Sot shohim dhjetëra makineri ndërtimi, do të thoja qindra makineri ndërtimi, shohim fillimin e instalimit të kapaciteteve prodhuese, të turbinave me erë, shohim institucione që punuan në partneritet dhe dëshmuan se kur punohet në partneritet, rezultati pozitiv është i pashmangshëm.
Po fillojmë një investim i cili në fund, kur të jetë realizuar plotësisht, do të vlejë rreth gjysmë miliard dollarë. Por ajo që mua më inkurajon më shumë është fakti se nga investitori dëgjova që këtu as nuk fillojnë dhe as nuk përfundojnë planet e tyre për të investuar në Maqedoni.
Përkundrazi, ata kanë edhe plane të tjera, për të cilat do të kenë mbështetjen e Qeverisë, ndërsa ballafaqimi me të gjithë rrezikun institucional që është i domosdoshëm që këto projekte të bëhen realitet do të jetë obligim i Qeverisë.
Prandaj e shfrytëzoj këtë rast për të dërguar një mesazh të fuqishëm edhe tek investitori, por edhe tek huadhënësit, se ne si Qeveri kemi si prioritet kryesor të mbështesim këtë lloj investimesh "greenfield", veçanërisht investimet në të cilat vetë investitori gjithçka që do të prodhojë do ta shesë në tregun e lirë dhe do të kontribuojë pozitivisht në PBB-në e Maqedonisë dhe në ekonominë e Maqedonisë.
Do të doja edhe disa fakte të tjera rreth investimit. Bëhet fjalë për disa qindra vende pune, bëhet fjalë për infrastrukturë të re rrugore në këtë pjesë të komunave nëpër të cilat do të kalojë ky park me erë, bëhet fjalë për 1 teravat orë energji elektrike nga burimet e rinovueshme, kjo është afërsisht një milion megavat orë, diçka që deri më tani është e pashënuar në historinë tonë dhe diçka që, kur e gjithë kjo të jetë realitet, në fund të vitit do të përfaqësojë një Maqedoni neto energjetikisht të pavarur.
Gjithashtu, krejt në fund, do të dëshiroja të përmend se cilat janë mundësitë dhe potencialet e ardhshme që ne i ofrojmë, sepse arsyeja e dytë, siç përmendi z. Kalderon, janë burimet natyrore me të cilat disponojmë, veçanërisht era.
Për këtë qëllim do të përmend dy gjëra, dy fakte që janë shumë të rëndësishme. E para është deklarata e kryetares së Komisionit Evropian, znj. Von Der Leyen, e dhënë në forumin e biznesit në vitin 2025, e cila thotë se Ballkani mund të jetë një nyje (Hub) përmes së cilës Evropa do të furnizohet me energji të rinovueshme.
Duke pasur parasysh zhvillimin e inteligjencës artificiale, i cili është një proces i pakthyeshëm, vlerësimet janë se në rreth 14–15 vitet e ardhshme, nevoja shtesë për energji që Evropa do ta ketë është afërsisht 1.000 teravat orë energji elektrike.
Duke pasur parasysh këtë, potencialin që mund ta kemi ne si shtet për ta investuar në kapacitete prodhuese, e më pas për ta prodhuar si energji elektrike, është i barabartë me 24 teravat-orë. Kjo mbase vetëm si shifër nuk do të thotë gjë, por kur e gjithë kjo do të shumëzohej me çmimin e energjisë elektrike, do të flisnim për një biznes prej rreth 2 miliardë eurosh në vit, i cili duhet ta rrisë PBB-në maqedonase dhe të kontribuojë pozitivisht në ekonominë maqedonase.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, duke i pasur parasysh qëllimet e Qeverisë dhe orientimin strategjik që të jemi udhëkryq në këtë pjesë të Evropës dhe rajonit, jo vetëm nga aspekti i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, por duke e pasur parasysh edhe infrastrukturën energjetike, ne si Qeveri pa mëdyshje në krye të prioriteteve tona e vendosim mbështetjen e këtij lloji të investimeve "greenfield".
Si deri më tani, ashtu edhe në të ardhmen, do të vazhdojmë së bashku me institucionet në mënyrë partneri të punojmë me investitorët, që gjithçka që paraqet një ide reale ta vëmë në funksion.
I falënderoj të gjithë ata që ishin të përfshirë në realizimin e këtij projekti, pa i përmendur me emër, sepse mund të ndodhë që të lë pas ndonjë emër dhe me këtë të bëj një gabim të pakëndshëm.
Prandaj dua t'i falënderoj ata që ishin të përfshirë në realizimin e këtij projekti, ndërsa investitorit t'i uroj edhe shumë projekte të tjera kaq të suksesshme këtu tek ne, në atdheun tonë.
Faleminderit dhe qoftë me fat!