Të nderuar bashkëqytetarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Shkëlqesitë Tuaja,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, kur shënojmë tridhjetë e pesë vjet nga 8 Shtatori historik i vitit 1991, kthehemi te një nga ato çaste të rralla në histori, kur vullneti, shpresa dhe aspirata shekullore e një populli u takuan në një vendim të vetëm – që vetë të marrin përgjegjësinë për fatin e tyre dhe shteti të jetë i pavarur dhe sovran.
Para tridhjetë e pesë vjetësh, qytetarët tanë nuk votuan vetëm për një realitet të ri politik, për institucione të reja, për flamurin, monedhën e tyre apo vendin ndër shtetet e botës, ata votuan për një ide shekullore, një dëshirë historike dhe një të drejtë që shumë gjenerata para tyre e kishin mbajtur në vetvete, për të cilën kishin shkruar, luftuar, vuajtur dhe lanë amanet se një ditë, në këto hapësira, do të ekzistonte një shtet i lirë që vetë do të vendoste për të ardhmen e tij.
Prandaj, 8 Shtatori është më shumë se festë e pavarësisë.
Ditë kur thamë se nuk do të presim më që dikush tjetër ta shkruajë historinë tonë, por se do ta marrim penën në duart tona.
Ditë kur një shpresë e vjetër mori adresën e saj, institucionet e saj dhe shtetin e saj. Qytetarët në referendum zgjodhën një Maqedoni të pavarur, sovrane dhe demokratike.
Kemi detyrimin që këtë jubile të mos e shndërrojmë në vetëkënaqësi boshe, por të shohim me sinqeritet edhe ngritjet, edhe rëniet tona, kohët kur kemi qenë në lartësinë e detyrës historike dhe kohët kur nuk kemi qenë të denjë për sakrificat dhe idealet e gjeneratave para nesh.
Në këto tri dekada e gjysmë ndërtuam institucione, krijuam sistemin tonë monetar dhe ekonomik, u bëmë anëtare e Kombeve të Bashkuara, u bëmë anëtare e NATO-s, kaluam nëpër embargo, kriza, konflikte, tronditje ekonomike dhe ndarje politike, u përballëm me pyetje të vështira për të ardhmen tonë dhe në shumë momente treguam se një shtet i vogël mund të ketë vullnet të madh për mbijetesë.
Por pati edhe momente kur nuk ishim mjaftueshëm të mirë.
Pati vite që i humbëm, mundësi që i humbëm.
Pati gjenerata që prisnin më shumë prej nesh, ndërsa morën më pak. U morën vendime të dhimbshme dhe u bënë lëshime të vështira. U ndryshuan flamuri, Kushtetuta, emri.
Shumë njerëz u larguan sepse nuk panë hapësirë në vendin e tyre për të realizuar atë që dinin dhe mundnin, shumë njerëz të ndershëm shikonin se si para tyre kalojnë ata me lidhje më të mira, me mbrojtje më të madhe politike ose me më pak ndërgjegje, ndërsa njerëzit evlefshëm, të qetë dhe të aftë, ata mbi supet e të cilëve në të vërtetë qëndron çdo shtet, mbetën të padukshëm.
Dhe pikërisht për këtë arsye, 35-vjetori i pavarësisë duhet të jetë diçka më shumë se një kujtesë e së kaluarës.
Duhet të jetë pikë kthese në mënyrën se si mendojmë për të ardhmen.
Sepse çdo gjeneratë ka provimin e vet para historisë. 8 Shtatori ishte i yni.
Shteti i sigurt ka forcën të jetë i hapur ndaj botës pikërisht sepse e di se kush është. Të njëjtën ide dhe ëndërr e shohim edhe te Koço Racini, i cili, nga një vend i varfërisë së madhe, padrejtësisë dhe vuajtjes, dinte të përcillte një mesazh universal njerëzor:
“E gjithë bota vëllazërore është shtëpia ime.”
Ta duash shtëpinë tënde, por të mos e mbyllësh derën ndaj botës; ta respektosh rrëfimin tënd, por të kesh mirëkuptim për rrëfimin e tjetrit; të jesh i yti, pa pasur nevojë të jesh kundër dikujt.
Goran Stefanovski nuk na ngushëllonte me përfytyrime romantike për atë se kush jemi, por na paralajmëronte se identiteti nuk është diçka që një herë e kemi trashëguar dhe më pas mund ta shpenzojmë pa brenga, por një rrëfim që çdo gjeneratë duhet ta kuptojë sërish, ta verifikojë dhe ta rrëfejë.
Ai shkroi se:
“Asnjë kulturë nuk mund të mbijetojë pa një histori të saktë, të fuqishme dhe autentike.”
Jo histori e sajuar. Jo histori në të cilën jemi të pagabueshëm.
Jo histori në të cilën për të gjitha dështimet tona gjithmonë është fajtor dikush tjetër.
Por histori e vërtetë.
Histori në të cilën do të kemi guximin të themi edhe çfarë kemi bërë mirë dhe ku kemi gabuar, çfarë kemi trashëguar dhe çfarë kemi shkatërruar, sa sakrifica janë bërë para nesh dhe sa herë ne kemi qenë të padenjë për ato sakrifica.
Ta duash shtetin mjaftueshëm fort që të mos e gënjesh.
Të jesh krenar për të, por të mos i fshehësh plagët e tij.
T’i festosh fitoret e tij, por të mësosh nga humbjet e tij.
Dhe në vend që gjithmonë të pyesim se çfarë na ka bërë bota neve, ndonjëherë të kemi guximin të pyesim se çfarë i kemi bërë ne vetë shtetit tonë.
Petre M. Andreevski shkruante se jemi pirrovina. Pirrovinën e shkulin. E këpusin. E shkelin. Por vetëm pak po e preku përsëri tokën – ai lëshon rrënjë dhe ringjallet.
Kjo metaforë nuk është thirrje që të jetojmë përgjithmonë në vuajtje dhe të krenohemi me atë se sa mund të durojmë, por një kujtesë se te ky popull ekziston një aftësi e thellë për të mbijetuar edhe atëherë kur duket se rrethanat janë më të fuqishme se ai.
Por erdhi koha të bëjmë diçka më shumë se mbijetesa.
Ambicia jonë kombëtare në tridhjetë e pesë vitet e ardhshme nuk guxon të jetë vetëm të mbijetojmë.
Duhet të kemi sukses.
Sepse populli që me shekuj ka mësuar si të mbijetojë, tani duhet të mësojë si të fitojë në paqe, si të prodhojë dije, si të ndërtojë institucione që nuk do të varen nga vullneti i individit, si t’i mbajë fëmijët e tij më të mirë në shtëpi dhe si, nga një shtet i vogël, të krijojë një vend me mundësi të mëdha.
Kjo është lufta jonë e re historike.
Kjo luftë sot nuk zhvillohet me pushkë nëpër male, as nuk matet me territore të pushtuara.
Lufta jonë zhvillohet në shkolla, në spitale, në gjykata, në fabrika, në universitete, në administratë, në çdo institucion ku qytetari duhet të ndiejë se shteti ekziston për të dhe jo ai për shtetin.
Lufta jonë është të krijojmë një vend ku një fëmijë, pavarësisht se ku ka lindur dhe sa para kanë prindërit e tij, do të mundet me dije dhe punë të arrijë majat, një vend ku një mjek i ri nuk do të duhet të largohet mijëra kilometra për të pasur një jetë dinjitoze, një vend ku një bujk do ta dijë se puna e tij ka vlerë, një sipërmarrës se ligji do të vlejë njësoj për të gjithë, ndërsa një punëtor se puna e tij nuk është zë i lirë në bilancin e dikujt tjetër.
Kjo është lufta për shtetin sot.
Lufta për t’ia kthyer vlerën ndershmërisë.
Për t’ia kthyer autoritetin dijes, dinjitetin punës.
Dhe, më në fund, t’i japim fund asaj praktike në të cilën disa njerëz e kanë kuptuar funksionin si privilegj, shtetin si pre, ndërsa paratë e popullit si arkën personale.
Ka nga ata që do të pranojnë sakrificë personale për të lënë diçka pas vetes, por edhe nga ata që janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka që është e përbashkët për të përfituar diçka për vete.
Dhe një shtet, në fund të fundit, është pikërisht ajo anë që do të zgjedhë ta shpërblejë.
Nëse i shpërblen më të aftët – do të përparojë.
Nëse i shpërblen më të ndershmit – do të ketë besim.
Nëse e shpërblen punën – do të krijojë.
Por nëse e shpërblen llumin, atëherë llumi në mënyrë të pashmangshme do të bëhet elitë.
Ndërsa një shtet në të cilin llumi bëhet elitë është një shtet nga i cili elita e vërtetë largohet.
Pikërisht këtë duhet ta ndryshojmë.
Jo nga hakmarrja.
Jo për shkak të përballjes politike.
Por sepse pa vendosjen e një drejtësie bazë nuk ka shtet të fortë, nuk ka ekonomi funksionale, nuk ka besim dhe nuk ka të ardhme.
Të dashur miq,
35 vjet janë distancë e mjaftueshme për t’u rritur dhe për t’i kuptuar dobësitë tona.
Do të thosha se jetojmë në një shoqëri me kontraste të thella, të cilat nuk janë aq të pranishme te populli sa te elitat politike.
Kur po e shkruanim fjalimin, shumë veta më thanë: kjo është një ceremoni solemne, mos u merr me ta.
E saktë, por duhet çmontuar morali i tyre i rremë, që populli ta dijë me çfarë sfidash përballemi.
E kuptoj se detyra e tyre kryesore është të njollosin gjithçka që sjell përparim, të përçajnë, të fusin dyshim në gjithçka që bëhet, madje edhe në gëzimin dhe festën e këtij 8 Shtatori.
Këtu ka pyetje të panumërta, kualifikime dhe përcaktime nga të cilat njeriu duhet të zhgënjehet.
Ata janë fabrikë për prodhimin e pashpresës, dëshpërimit dhe nihilizmit.
Urrejtje që helmon shoqërinë, pena që shpifin, fyejnë.
Si me normë.
Kjo politikë humbëse nuk duhet të na tërheqë të gjithëve poshtë.
Të bëjë që çdo i ri të fillojë të hezitojë, të na paraqesë të gjithëve si të njëjtë, kur jemi kaq shumë të ndryshëm.
Më vjen keq që do ta konstatoj, por individë të tillë nuk janë të denjë për kohën në të cilën jetojnë dhe për rolin për të cilin luftojnë.
Ata janë pesha që tërheq poshtë dhe e gjithë kjo është rezultat i faktit se ata duan pushtet për shkak të parave dhe fuqisë, jo për shkak të një ideje dhe koncepti.
Ata janë kundër gjithçkaje që ecën përpara.
Kundër spitaleve, kundër rrugëve, kundër qendrës së re klinike, kundër objekteve infrastrukturore për komunat që po ndërtojmë, kundër hekurudhës së shpejtë, kundër rritjes së pagave dhe pensioneve.
Kundër data-qendrave, kundër investimeve të reja.
Nëse thuhet se duhet një avion i ri qeveritar, ata menjëherë hidhen dhe thonë se po bëni luks.
Por nuk llogarisin sa jetë do të shpëtohen, sepse ai avion është edhe për këtë qëllim.
Kjo është politika dritëshkurtër.
Dhe në fund, kur të përfundojë e gjithë kjo, as data qendrat, as spitalet, as shkollat nëpër komuna, as avioni nuk do t’i marr me vete, kjo u mbetet qytetarëve të shtetit, popullit.
Dhe shumëkush më thotë të mos tërhiqemi, por unë jam njeri i arsyeshëm, i jap një mundësi dialogut, sepse besoj se e mira gjithmonë e mund të keqen dhe sepse politika është aftësi e dialogut, e cila është më e mençur dhe më e dobishme sesa polarizimi dhe bllokimi.
Do të ndërtoj ura, do të zgjas dorën për çështjet e rëndësishme për të ardhmen tonë dhe nuk do të heq dorë nga ofrimi i dialogut, sepse egoja e secilit, madje edhe e imja, nuk do të thotë asgjë kur është në pyetje Maqedonia.
Por kini kujdes, shumë kujdes.
Ka edhe çështje për të cilat nuk ka kompromise, për të cilat nuk ka marrëveshje nën tavolinë, nuk ka lojë me atë që nënkupton identitetin tonë, ekzistencën tonë, gjuhën dhe kulturën tonë.
Kompromisi për këto çështje do të thotë rrënim i ASNOM-it maqedonas dhe Ilindenit.
Dhe ju e dini mirë, secili prej jush e di mirë, se kjo është mburoja e fundit, se fjala ime është mburoja më e fortë dhe me fjalën nuk ka lojë.
Atëherë luani me nderin, ndërsa kur e humbni nderin, atëherë asgjë tjetër nuk ju nevojitet në jetë.
Të dashur miq,
Unë dëshiroj dhe punoj që të jemi gjenerata që do ta fusë shtetin në Bashkimin Evropian.
Nuk ka alternativë tjetër, kjo është e vërtetë.
Por, njëkohësisht, secili prej jush duhet ta dijë se ekziston edhe një sfidë e fundit që qëndron para nesh, jo për ta përfunduar rrugën, por për ta filluar.
Jo sepse kemi ndonjë garanci se do ta arrijmë qëllimin, por që ta fillojmë ta ecim atë rrugë.
Dhe do t’i dëgjoni të gjitha ato klithma hipokrite të kundërshtarëve tanë të pafuqishëm politikë, ose të paktën të një pjese të tyre, të cilët, në një gjendje vetëkënaqësie, thonë: zgjidheni problemin.
Ndërsa aspak nuk janë të vetëdijshëm se pikërisht ata, në thelb, e krijuan problemin, duke e pranuar propozimin në mënyrë aventuriere dhe duke krijuar kusht për përparimin tonë drejt anëtarësimit të plotë në kuadër të BE-së.
Të njëjtët që sot i dëgjojmë që, në skenë të hapur, na bëjnë thirrje ta zgjidhim.
Dhe po, do ta zgjidhim.
Por duhet durim.
Së pari duhet të krijohet besim, ndërsa për të krijuar besim duhet të ndalet injorimi i aktgjykimeve të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për komunitetin maqedonas.
Duhet të ndalet mohimi i së drejtës për gjuhën time amtare maqedonase.
Duhet të ndalet kërkimi i rrënjëve të popullit maqedonas si rezultat i një vendimi të Kominternës komuniste, por duhet të pranohet një fakt që është shekullor.
Këto janë fakte prej të cilave nuk ka ikje.
Derisa të mos i pranojmë këto fakte, nuk ka besim.
Ndërsa kur nuk ka besim, nuk ka as dialog.
Prandaj, së pari të krijojmë besim dhe pastaj të zhvillojmë dialog.
Dialogu pa besim nuk çon askund.
Por çon drejt problemeve të reja dhe humbjeve të reja.
Këtu dua t’i kushtohem edhe një çështjeje tjetër, për të cilën mendoj se është shumë e rëndësishme.
E ajo është procesi i marrjes së vendimeve.
Karakteri i një njeriu është edukimi i tij, personaliteti i tij. Ndërsa personalitetin e njeriut e ndërton mjedisi në të cilin rri.
Për mua, më e rëndësishme se fama, fuqia dhe pushteti është të mos i zhgënjej dhe të mos i turpëroj prindërit dhe familjen time dhe të mos lë njollë për fëmijët e mi.
Dhe, në fund, të mos i zhgënjej qytetarët e atdheut tim. Vendin që mua dhe familjes sime na ka dhënë gjithçka dhe për të cilin nuk ekziston çmim me të cilin ndonjëherë në jetë do të merrja një vendim me të cilin do ta turpëroja dhe do ta zhgënjeja.
Besoni, çdo vendim që marr, e marr me bindjen e thellë se duhet të bëjmë më shumë për shtetin dhe t’ia kthejmë atdheun popullit tonë.
Dhe, sado klishe të duket, do t’ju them se për mua është më shumë se një nder i jashtëzakonshëm të punosh për popullin.
Dhe ta jetojmë së bashku ëndrrën e shumë gjeneratave para nesh.
Ky shtet, këto institucione, mbështeten mbi luftën tonë për liri.
Mbështeten mbi idetë e emrave dhe jetëve madhështore, mbi mosnënshtrimin e Goce Dellçevit, mbi sakrificën e Gulit, mbi urtësinë e Karevit, mbi luftën e gjatë të Gjorçe Petrovit, Sandanskit, mbi luftarakësinë e Shatevit, mbi vizionin e Metodija Andonov Çentos, Petre Piruzes, mbi guximin e Ibe Palikuqës, mbi parimet dhe strategjinë e Mihajllo Apostollskit.
Mbi këto themele është ndërtuar atdheu ynë.
Dhe mbi këto themele punuan presidenti i parë i shtetit të pavarur maqedonas, Gligorov, dhe kryeministri i parë, Nikolla Kljushev.
Nën atë flamur përfundoi edhe jeta e Boris Trajkovskit.
Dua t’ju them se mund të rendisim emra dhe emra, ngjarje dhe ngjarje në këtë varg.
Dhe koha do të jetë e pamjaftueshme, por më e rëndësishme se debati i opozitës se i kujt është Gligorovi është mesazhi ynë se për të gjithë ka vend dhe respekt nën këtë qiell dhe flamur.
Dhe nuk ekziston atdheu juaj dhe atdheu ynë, kryeministri juaj dhe kryeministri ynë, qeveria juaj dhe qeveria jonë, historia juaj dhe historia jonë.
Ekziston vetëm një atdhe, një ëndërr, një luftë.
Një ide.
Vetëm një dhe e vetme Maqedoni.
Dhe jemi shumë pak për t’u ndarë!
Pas 35 vjetësh pavarësi, ndoshta mësimi më i rëndësishëm që duhet të mësojmë është se shteti nuk ka njerëz për të ndarë.
Jemi shumë pak për t’u ndarë, ndërsa jemi ndarë për shumë gjatë për të mos e kuptuar se sa shtrenjtë na kushtojnë ndarjet.
Nuk është e nevojshme të mendojmë të gjithë njësoj.
Nuk është e nevojshme t’i përkasim të njëjtës parti politike, të kemi të njëjtat bindje apo të njëjtin qëndrim për çdo çështje.
Demokracia do të thotë të dallojmë nga njëri-tjetri.
Por shteti do të thotë të dimë se çfarë është më e madhe se dallimet tona.
Besoj në një atdhe në të cilin shteti nuk pyet kush je, nga vjen, në cilën gjuhë flet, cilit Zot i lutesh apo për kë voton, por çfarë mund të bëjmë së bashku për vendin ku jetojmë.
Kjo do të thotë shtet në të cilin maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të gjithë të tjerët kanë interes të përbashkët që ai të jetë i suksesshëm.
Shtet në të cilin dallimet nuk janë shkak për ndarje, por pjesë e shtëpisë sonë të përbashkët.
Kjo do të thotë atdhe edhe për atë që jeton në Shkup, edhe për atë që jeton në fshatin më të vogël.
Shtet i punëtorit dhe bujkut, i mjekut dhe mësuesit, i studentit dhe pensionistit, i sipërmarrësit dhe artistit.
Shtet i atyre që kanë mbetur këtu, por edhe i atyre që janë larguar dhe ende e mbajnë atdheun brenda vetes.
Atdhe i atyre që votojnë për pushtetin dhe i atyre që votojnë për opozitën dhe i atyre që nuk votojnë fare.
I atyre që pajtohen me mua, por edhe i atyre që nuk do të pajtohen kurrë me mua.
Sepse roli i një kryeministri nuk është të jetë kryeministër vetëm i atyre që kanë votuar për të.
Qeveria nuk duhet të jetë qeveri vetëm e një partie, as institucionet të jenë pronë e cilësdo strukture politike.
Ato i përkasin popullit.
Sepse pushteti kalon.
Funksionet kalojnë.
Fitoret dhe humbjet partiake kalojnë.
Atdheu është ai që duhet të mbetet.
Unë nuk do t’u kërkoj atyre që nuk pajtohen me mua të fillojnë të mendojnë si unë.
Do të kërkoj diçka shumë më të rëndësishme – kur bëhet fjalë për shtetin, të gjejmë forcën të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.
Dhe prandaj sot, nga kjo foltore, i ftoj të gjithë ata që mendojnë ndryshe që të vazhdojmë edhe më tej të debatojmë për temat për të cilat kemi dallime dhe është e natyrshme dhe normale të kemi dallime.
Por, le të bashkohemi për një gjë, e ajo është të qëndrojmë të vendosur për t’i mbrojtur interesat shtetërore të atdheut tonë të përbashkët.
Nuk ka qëllim më të madh se ky.
Ta mbrojmë shtetin që do të jetë i të gjithë njerëzve, por jo vetëm si koncept politik.
Duhet të jetë marrëveshja jonë shoqërore.
Premtim ndaj njëri-tjetrit se askush nuk do të jetë më pak i rëndësishëm sepse është i ndryshëm, se askush nuk do të lihet pas dhe se shteti do të jetë mjaftueshëm i madh për të gjithë qytetarët e tij.
T’u lëmë një shtet në të cilin nuk do të trashëgojnë urrejtje të vjetra, por mundësi të reja.
Dhe treguam se mund të fitojmë.
Se qeveria, në kushte të vështira, po arrin rezultate.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026 është shënuar rritje reale e PBB-së prej 4,3 për qind, e cila është një nga më të mirat në Evropë.
Ndërkohë, duhet pasur parasysh se vitin e kaluar tremujori i dytë ishte 3,5 për qind, gjithashtu një nga më të mirat në Evropë.
Inflacioni, i cili para 3–4 vitesh ishte galopant dhe dyshifror, 16–17 për qind, sot është nën kontroll dhe një nga më të mirët në Evropë.
Për herë të parë pas një periudhe më të gjatë kemi një situatë në të cilën eksporti rritet më shpejt se importi.
Në këtë mënyrë ulet deficiti në këmbimin tregtar në shtatë muajt e parë të vitit, ndërsa kjo është veçanërisht e theksuar në korrik, i cili është muaji i parë i tremujorit të tretë.
Dhe nuk them se gjithçka është ideale dhe se jetohet shkëlqyeshëm.
E kuptoj çdo vështirësi të qytetarëve, por jemi këtu për të punuar ditë e natë për rezultate dhe për të ardhmen tonë.
Jam i bindur dhe besoj në atë që po them se sot jetohet shumë më mirë se para tre vitesh dhe jam i bindur dhe besoj në atë që po them se pas tre vitesh nga sot do të jetohet shumë më mirë se sot.
Sepse jemi të motivuar si kurrë më parë, ndërsa ajo që na frymëzon është mbështetja që marrim nga populli dhe premtoj se kështu do të vazhdojmë.
Të nderuar qytetarë,
Gjatë historisë ka pasur shumë periudha në të cilat ka qenë më e lehtë të besohej se atdheu nuk do t’ia dilte, sesa se do t’ia dilte.
Ka pasur perandori që janë zhdukur, luftëra që kanë ndryshuar kufijtë, regjime që kanë menduar se do të zgjasin përgjithmonë, kohë kur gjuha jonë është shtypur dhe kohë kur vetë ideja e shtetësisë maqedonase dukej e paarritshme.
Por diçka ka mbetur.
Ka mbetur fjala.
Ka mbetur rrënja,tregimi.
Ka mbetur pirrovina.
Dhe ka mbetur ajo pjesë e papërkulur e karakterit tonë, e cila, sa herë që dikush mendon se atdheu nuk ka më forcë të ngrihet, përsëri e ngre në këmbë.
Kjo është trashëgimia jonë.
Por trashëgimia jonë nuk është justifikim për të jetuar vetëm nga e kaluara.
Nderi më i madh që mund t’u bëjmë atyre para nesh nuk është të flasim pafund për veprat e tyre.
Por të krijojmë veprat tona.
Misirkovi e shkroi faqen e tij.
Racini e shkroi të tijën.
Koneski, Ante Popovski, Petre M. Andreevski e shkruan të tyren.
Gjenerata e pavarësisë e shkroi të sajën.
Tani është radha jonë.
Të shkruajmë një faqe që nuk do të jetë faqe e ndarjeve, ligështimit dhe mundësive të humbura, por faqe e punës, rimëkëmbjes, dinjitetit dhe suksesit.
Të shkruajmë një kohë në të cilën populli maqedonas dhe qytetarët shqiptarë, turq, serbë, romë, vllehë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët do të mësojmë përsëri të besojmë në aftësitë tona.
Të ndërtojmë një shtet që do të jetë më i fortë se çdo parti, më i madh se çdo individ dhe më i rëndësishëm se çdo funksion.
Sepse të gjithë ne jemi të përkohshëm.
Qeveritë janë të përkohshme.
Presidentët janë të përkohshëm.
Kryeministrat janë të përkohshëm.
Atdheu mbetet.
Drejtuar çdo njeriu tonë, çdo njeriu që këtë mëngjes është ngritur herët për të shkuar në punë, bujkut që punon tokën e tij, mjekut që shpëton jetë, mësuesit që përcjell dijen, policit dhe ushtarit që ruajnë shtetin, sipërmarrësit që rrezikon për të krijuar një vend të ri pune, të riut që pyet veten nëse e ardhmja e tij mund të jetë këtu, çdo njeriu tonë në Evropë, Amerikë, Kanada, Australi dhe kudo në botë, dua t’ju përcjell sot një mesazh të thjeshtë – besoni në atdheun tuaj.
Jo sepse është i përsosur.
Por sepse është i yni dhe sepse mund ta bëjmë më të mirë.
Jo sepse nuk kemi probleme.
Por sepse kemi forcën t’i zgjidhim.
Jo sepse historia na ka premtuar fitoren.
Por sepse ne jemi të gatshëm ta meritojmë atë.
Dhe prandaj sot, 35 vjet më vonë, të mos shohim vetëm pas, drejt rrugës që kemi përshkuar, por përpara, drejt shtetit që ende duhet ta ndërtojmë – më të fortë, të bashkuar, dinjitoz, një vend në të cilin fëmijët tanë do të qëndrojnë, do të krijojnë dhe do të ëndërrojnë, dhe në të cilin çdo njeri do ta dijë se kjo është shtëpia e tij.
Sepse gjeneratat para nesh kishin një ëndërr për atdheun, kishin guximin të luftonin për atë ëndërr dhe na lanë një shtet, ndërsa tani është radha jonë të tregojmë se jemi të denjë për amanetin e tyre dhe se atyre që vijnë pas nesh do t’u lëmë një shtet më të madh se ndarjet tona dhe më të fortë se të gjitha sprovat tona.
Dhe le të dëgjohet nga këtu, jo si slogan, por si premtim i një gjenerate:
Do ta ruajmë.
Do ta ndërtojmë.
Do të besojmë në të.
Dhe do të fitojmë me të.
Sepse përsëri dita ndriti fortë.
Dita e krenarisë.
Dita e shpresës.
Gëzuar ditëlindjen!
Qofsh e përjetshme.
Zoti të bekoftë, Maqedoni!
Qofshi shëndoshë e mirë!