Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe mediave,
Konferenca e sotme për formalizimin e ekonomisë joformale nuk është vetëm një debat ekspertësh. Ajo është një bisedë për drejtësinë në shoqëri. Për besimin në sistem. Për atë nëse do të lejojmë që të ndershmit të ndëshkohen, ndërsa të pandershmit të përfitojnë.
Ekonomia gri nuk është një nocion abstrakt. Ajo është të ardhura të humbura për shtetin, por edhe më me rëndësi – mundësi e humbur për paga më të larta, spitale më të mira, shkolla moderne, pensione më të sigurta etj. Ajo krijon konkurrencë jo-lojale, e rrënon besimin në institucione dhe e demotivon secilin që punon ndershëm.
Qëllimi ynë është i qartë: ekonomia formale të bëhet më tërheqëse se joformalja. Të jetë më e lehtë, më e leverdishme dhe më e sigurt të punohet ligjërisht.
Në atë proces dua publikisht të shpreh mirënjohje të sinqertë ndaj ministres së financave, Gordana Koçovska Dimitrievska, për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe disiplinën në menaxhimin e financave publike.
Në kohë presionesh ekonomike globale, rritje të kostove dhe pasigurish, Ministria e Financave siguroi stabilitet, kontroll dhe përmirësim të mbledhjes së të ardhurave.
Mirënjohje shpreh edhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Policisë Financiare etj. Veprimi i tyre i koordinuar dhe i forcuar në shtypjen e mashtrimeve tatimore, krimit financiar dhe rrjedhave ilegale dërgon një mesazh të qartë, e mesazhi është se ligji vlen për të gjithë. Nuk ka selektivitet. Nuk ka të privilegjuar. Secili që punon – duhet të kontribuojë.
Por, të jemi të sinqertë – kjo betejë nuk mund të jetë vetëm inspektuese, ajo duhet të jetë edhe sistemike.
Prandaj punojmë në:
Digjitalizimin e proceseve – e-faturim, paraqitje elektronike, lidhje të bazave të të dhënave;
Uljen e barrierave administrative për regjistrimin e biznesit;
Stimuj për punësim formal dhe mbështetje për ndërmarrjet mikro dhe të vogla;
Transparencë e shtuar dhe shkëmbim të dhënash mes institucioneve.
Strategjia jonë bazohet në tre parime: thjeshtim, drejtësi dhe mbështetje.
Por, paralelisht me betejën kundër ekonomisë gri, duhet të flasim edhe për diçka që çdo qytetar e ndien – çmimet në markete.
Si Qeveri e ndajmë shqetësimin e qytetarëve. Lëvizjet globale, tronditjet energjetike dhe paqëndrueshmëritë ndikojnë mbi tregjet. Por kjo nuk duhet të jetë alibi për marzhet e pajustifikuara dhe fitimet e tepërta mbi kurrizin e qytetarëve.
Ekonomia e tregut do të thotë liri tregtie, por nuk do të thotë pa kontroll. Konkurrenca duhet të jetë e ndershme. Konsumatori duhet të mbrohet.
Prandaj do të vazhdojmë me :
Monitorim të shtuar të çmimeve të produkteve ushqimore bazë ;
Analizë të marzheve tregtare;
Koordinim me institucionet kompetente për parandalimin e abuzimeve të mundshme;
Dialog me tregtarët dhe prodhuesit për stabilizimin e tregut.
Politika jonë është e qartë: financa publike stabile dhe standard jetësor i mbrojtur.
Ne nuk kemi të drejtë të lejojmë që pandershmëria të jetë më fitimprurëse se ndershmëria. Nuk kemi të drejtë të lejojmë që qytetarët të paguajnë më shumë për shkak të praktikave spekulative të dikujt. Nuk kemi të drejtë të tolerojmë një sistem në të cilin dikush punon në hije, ndërsa tjetri e mban peshën e sistemit.
Shtet i fortë nënkupton rregull.
Ekonomi e fortë nënkupton transparencë.
Shoqëri e drejtë nënkupton rregulla të barabarta për të gjithë.
Formalizimi i ekonomisë është pjesë e rrugës evropiane, pjesë e modernizimit dhe pjesë e detyrimit tonë ndaj gjeneratave të ardhshme.
Do të vazhdojmë me disiplinë në të ardhura, me përgjegjësi në shpenzime dhe me ndjeshmëri ndaj nevojave reale të qytetarëve.
Beteja kundër ekonomisë gri nuk është fushatë. Ajo është proces.
Kontrolli i çmimeve nuk është populizëm. Ajo është mbrojtje e qytetarëve.
Do të jemi edhe të vendosur edhe të drejtë.
Edhe ndaj atyre që shmangin detyrimet.
Edhe ndaj atyre që përpiqen të përfitojnë nga krizat.
Sepse detyrimi ynë është i qartë – ekonomi me rregull, treg me rregulla, shtet me dinjitet.
Ju faleminderit.