Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me vlerësimet për inflacionin i cili është 4,9% dhe nëse nevojiten masa më të mëdha, pasi shporta konsumatore brenda një muaji nuk mund të mbushet as me dy paga minimale, deklaroi:
"Nëse e keni fjalën për shportën konsumatore që e kanë sindikatat, përkatësisht Lidhja e Sindikatave, vetë autorët e saj thanë se ajo është mesatare, jo minimale".
Lidhur me shpenzimet e përgjithshme, duke pasur parasysh se çmimet në markete janë të larta çdo ditë dhe nëse duhet bërë diçka më shumë për këtë çështje, kryeministri Mickoski tha:
"Pajtohem plotësisht me ju se çmimet janë të larta dhe se ajo që ne si Qeveri po bëjmë, e që e kemi në dispozicion, është të kemi masat e radhës të mikrotargetuara. Por, po e ndjekim, po e përsëris, situatën dhe do të marrim masa në varësi të asaj se si do të zhvillohet situata.
Sepse, gjithsesi duhet të kemi parasysh se këtë vit po kthejmë dy miliardë e gjysmë euro borxhe të vjetra. Se këtë vit po kthejmë taksën solidarizuese, të cilën tashmë kemi filluar ta kthejmë. Se po paguajmë marrëveshjet kolektive e kështu me radhë. Dhe na gjetën dy lufta, ajo në Ukrainë dhe ajo në Gjirin Persik. Shumë sfida, por kjo është kjo. Nuk ankohemi, nuk dëshpërohemi. Jemi bashkë me qytetarët dhe nuk do të lejojmë sjellje jotregtare të zinxhirëve të marketeve. Dhe këtë po e ndjekim me kujdes me kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregtisë".