„Dua të prezantoj këtu, para opinionit maqedonas, një dokument, përkatësisht një ekstrakt nga Draft-Procesverbali i mbledhjes së 194-t të Qeverisë, të mbajtur më 24 tetor 2023. Në atë kohë, kryetar i Qeverisë ishte zoti Dimitar Kovaçevski dhe pikërisht në atë mbledhje të Qeverisë u hap tema për Alta Bankën SHA Beograd, përkatësisht ministri i atëhershëm i Financave, Fatmir Besimi, doli me një informacion përmes të cilit kërkonte nga Qeveria t'i miratonte Avokaturës së Shtetit të hynte në marrëdhënie afariste me Alta Bankën – Serbi“, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në seancën mbikëqyrëse në Kuvend për gjendjen në Alta Banka – Manastir, si përgjigje ndaj akuzave se pushteti aktual kishte lejuar hyrjen e kapitalit të dyshimtë nga Alta Banka në një bankë maqedonase.
Që në vitin 2023, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, në një mbledhje të Qeverisë, i jep udhëzim Avokaturës së Shtetit të hyjë në marrëdhënie afariste me Alta Bankën, me të njëjtin pronar, Davor Macura. Këtu shtrohet pyetja nëse ata në atë kohë e dinin se kush ishte Davor Macura ose, kur vendosën t'ia shisnin aksionet në pronësi të shtetit në bankën që po e blinte Davor Macura, a kishin dijeni se bëhej fjalë për kapital rus, para „të pista“, para të përfituara në mënyrë kriminale, apo në atë kohë këto gjëra nuk kishin rëndësi?
Në atë mbledhje të Qeverisë ishte e pranishme gjysma e grupit parlamentar të LSDM-së, në cilësinë e anëtarëve të Qeverisë. Fillimisht, kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, më pas i pranishëm ishte Oliver Spasovski si ministër i Punëve të Brendshme, ministri i Bujqësisë ishte Lupço Nikollovski, ministri i Transportit ishte Bllagoj Boçvarski, si dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë. Të gjithë ata votuan që t'i jepej e drejta Avokaturës së Shtetit që aksionet në pronësi të Maqedonisë në bankën që po e blinte Davor Macura, t'ia tjetërsonte Davor Macurës“, theksoi Mickoski.
Ai shtroi pyetjen se çfarë lloj kapitali kishte Alta Banka në vitin 2023, apo në atë kohë ekzistonin rrethana të tjera dhe pushteti i atëhershëm kishte bashkëpunim të ngushtë me Aleksandar Vuçiqin.
„Dëshiroj që opinioni maqedonas ta dijë qartë këtë: Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së është ajo që e fut Maqedoninë, si shtet, në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e Macurës, me propozim të ministrit të atëhershëm Fatmir Besimi, në një mbledhje ku votoi gjysma e grupit parlamentar të LSDM-së, në cilësinë e anëtarëve të asaj Qeverie“, përfundoi kryeministri Mickoski.