Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Pres që Prokuroria të nisë procedurën për shqyrtimin e 400 denoncimeve për ujë jocilësor në Gostivar nga viti 2021, ndërkohë që nuk është ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e shëndetit të gostivarasve

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me akuzat e opozitës se Qeveria nuk ka bërë asgjë në lidhje me Gostivarin, deklaroi:

Shikoni, këtë pyetje e shtron, ose këto akuza i adreson, njeriu në mandatin e të cilit njerëz të gjallë u dogjën në spitalin modular në Tetovë. Njeriu që do të mbahet mend si rekordmen për numrin e viktimave gjatë krizës së koronës, sepse nuk arriti të sigurojë me kohë vaksina të mjaftueshme, në mënyrë që qytetarët t'i përdornin ato dhe kështu të shpëtohej, qoftë edhe një jetë njerëzore. Në atë kohë ai merrej më shumë me PR dhe fushata sesa me thelbin e punës, pra me atë që ishte detyra e tij. Dhe këtë e thonë njerëzit që në sistemin shëndetësor sollën skandalin më të madh, siç është skandali në Onkologji, për të cilin tashmë zhvillohet proces gjyqësor, në të cilin janë të përfshirë pikërisht këta njerëz.

Por, kur bëhet fjalë për Gostivarin dhe denoncimet e bëra në Gostivar, duhet theksuar se, ta zëmë, në vitin 2021, kur kryetari i LSDM-së ishte ministër i Shëndetësisë dhe kur i njëjti person që sot del në konferenca për shtyp në emër të LSDM-së ishte drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, janë regjistruar mbi 400 denoncime për ujë jocilësor në Gostivar. Nuk është ndërmarrë asgjë, zero.

Unë e ftoj Prokurorinë, që prej këtu, nga Dellçeva, t'i verifikojë këto pretendime për të cilat po flas tani dhe të nisë procedurë për të përcaktuar pse këta persona, kur e kanë pasur mundësinë, nuk kanë ndërmarrë asgjë dhe nuk e kanë mbrojtur shëndetin e gostivarasve. Por jo vetëm gostivarasve, por edhe të qytetarëve në komunat e tjera. Domethënë, Prokuroria duhet të veprojë mbi bazën e këtij informacioni, të cilin dua ta përcjell prej këtu. Dhe pres që Prokuroria menjëherë, që sot, të hyjë në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, t'i verifikojë këto pretendime për të cilat po flas sot.

Accessibility Menu