I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Sot qëndroj para jush me propozim për zgjedhjen e dy zëvendësministrave, një zgjidhje e cila nuk është vetëm një vendim kadrovik, por pjesë e një procesi më të gjerë për forcimin e institucioneve, rikthimin e besimit në shtet dhe ndërtimin e një sistemi që funksionon në interes të qytetarëve.
Detyrimi ynë si Qeveri është të emërojmë njerëz që kanë njohuri, integritet dhe ndjenjë përgjegjësie shtetërore. Njerëz që do të punojnë me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, në shërbim të shtetit dhe të gjithë qytetarëve.
Para jush sot janë dy propozime që janë pjesë e këtij vizioni.
Propozoj që për zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes të zgjidhet Admir Shabani.
Ministria e Mbrojtjes është shtyllë e sigurisë kombëtare dhe e pozicionit tonë ndërkombëtar si shtet anëtar i NATO-s. Në kohë të sfidave serioze të sigurisë, në kohë kur bota përballet me rreziqe dhe paqëndrueshmëri të reja, shteti ynë duhet të ketë institucione të forta, profesionale dhe të gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide.
Ushtria jonë është krenari e shtetit. Ajo është simbol i stabilitetit, profesionalizmit dhe i përcaktimit tonë euroatlantik. Prandaj është e rëndësishme që në Ministrinë e Mbrojtjes të punojnë njerëz që do të kontribuojnë në modernizimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes, në forcimin e kapacitetit institucional dhe në thellimin e bashkëpunimit me aleatët tanë.
Jam i bindur se Admir Shabani do të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë mision.
Njëkohësisht, propozoj që për zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të zgjidhet Driton Sulejmani.
Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e çdo kombi. Një shtet që investon në arsim investon në të ardhmen e vet. Prandaj reformat në arsim, modernizimi i sistemit dhe krijimi i kushteve për arsim cilësor për të gjithë të rinjtë janë prioritet i lartë i kësaj Qeverie.
Qëllimi ynë është i qartë – arsim që krijon dije, që zhvillon mendimin kritik, që i përgatit të rinjtë për botën bashkëkohore dhe që e bën Maqedoninë një shtet konkurrues dhe të zhvilluar.
Besoj se Driton Sulejmani me punën, energjinë dhe përkushtimin e tij do të kontribuojë në avancimin e sistemit arsimor dhe në zbatimin e reformave që u nevojiten nxënësve, studentëve dhe stafit mësimdhënës.
Të nderuar deputetë,
Kjo Qeveri ka një mision të qartë: të ndërtojë institucione funksionale, të rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta çojë shtetin përpara.
E dimë se përpara nesh ka shumë punë. Por gjithashtu e dimë se vetëm me institucione të forta, me njerëz të ndershëm dhe me një vizion të qartë mund të ndërtojmë një shtet me të cilin do të krenohen gjeneratat e ardhshme.
Besoj se me punë të përbashkët do të vazhdojmë të ndërtojmë një Maqedoni të qëndrueshme, të fortë dhe të suksesshme.
Ju faleminderit.