Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Me formimin e Komitetit për Investime Publike, shteti vendos mekanizëm më të fortë dhe më të përgjegjshëm për vendimmarrje

Mickoski: Me formimin e Komitetit për Investime Publike, shteti vendos mekanizëm më të fortë dhe më të përgjegjshëm për vendimmarrje

“Të nderuar ministra, të nderuar anëtarë të Komitetit, të nderuar të pranishëm,

Sot po bëjmë një hap që për një kohë të gjatë ka munguar në sistemin e menaxhimit të investimeve publike. Me formimin e Komitetit për Investime Publike, shteti vendos një mekanizëm të ri, më të fortë dhe më të përgjegjshëm për vendimmarrje, i cili nuk udhëhiqet nga improvizime, por nga kritere të qarta, vizion dhe strategji.

Ky nuk është vetëm një vendim administrativ. Është një ndryshim thelbësor në mënyrën se si do ta ndërtojmë të ardhmen. Sepse investimet publike nuk janë thjesht numra në letër, ato janë rrugët nëpër të cilat lëviz ekonomia, shkollat ku mësojnë fëmijët tanë, spitalet ku trajtohen qytetarët tanë, kapacitetet energjetike që garantojnë stabilitetin e shtetit.

Qëllimin të cilin e vendosim është i qartë: çdo denar nga buxheti të drejtohet aty ku krijon vlerën më të madhe. Aty ku sjell rritje, hap vende pune dhe përmirëson cilësinë e jetës. Koha e planifikimit të çrregullt ka përfunduar. Po vjen koha e sistemit, përgjegjësisë dhe rezultateve.

Lista e ideve të projekteve që po shqyrtojmë sot është rezultat i një qasjeje të koordinuar nga disa institucione dhe përfaqëson një bazë të fortë për zhvillim në sektorët kyç.

Në transport, flasim për hekurudha moderne, lokomotiva të reja elektrike, rindërtim të segmenteve dhe lidhje përmes korridoreve 8 dhe 10. Kjo nënkupton qarkullim më të shpejtë të mallrave, lidhje më të mirë dhe ekonomi më të fortë.

Në arsim, vazhdojmë me investime në infrastrukturën e dijes, me përfundimin e objekteve të FSHIIK dhe Fakultetit për Edukatë Fizike, Sport dhe Shëndet, si dhe Universitetit “Nënë Tereza”. Sepse e ardhmja nuk ndërtohet pa një sistem të fortë arsimor.

Në shëndetësi, investimet në spitalet klinike rajonale në Tetovë, Shtip dhe Kërçovë nënkuptojnë kujdes më të mirë shëndetësor, kushte moderne dhe trajtim dinjitoz për çdo qytetar.

Në transformimin digjital, vendosim themelet e një shteti modern përmes krijimit të një qendre shtetërore të të dhënave, një rrjeti të sigurt dhe forcimit të sigurisë kibernetike. Kjo është baza për një administratë efikase, transparente dhe digjitale.

Në bujqësi dhe ekonominë e ujërave, investimet në sistemet si Zletovica, Strezheva dhe revitalizimi i burimeve ujore janë investime në stabilitetin e prodhimit dhe sigurinë ushqimore.

Në energjetikë, përmes projekteve të SHA EMV, forcojmë pavarësinë energjetike me kapacitete të reja, burime të rinovueshme të energjisë, sisteme baterike dhe modernizim të infrastrukturës ekzistuese. Kjo është një betejë për energji të sigurt dhe të përballueshme për qytetarët dhe ekonominë.

Është e rëndësishme të theksohet se për secilën nga këto ide projektesh, Ministria e Financave ka dhënë mendim pozitiv për vazhdimin në fazën tjetër. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për iniciativa serioze, të qëndrueshme dhe të realizueshme.

Por pikërisht këtu fillon përgjegjësia juaj më e madhe. Komiteti nuk është formalitet. Komiteti është filtri i cilësisë. Detyra juaj është të përcaktoni listën e ideve të vlerësuara dhe të miratuara të projekteve, e cila do të jetë baza për listën e parë përfundimtare prioritare të investimeve publike.

Falënderim për ministren e Financave për angazhimin dhe përkushtimin e saj, si dhe falënderim për secilin prej jush për përkushtimin dhe angazhimin tuaj në përgatitjen e këtyre ideve për projektet.

Nga puna juaj do të varet nëse do të kemi prioritete të qarta, nëse do të kemi zhvillim të balancuar dhe nëse do ta drejtojmë shtetin drejt projekteve të duhura.

Ne si Qeveri në periudhën e kaluar i kemi vendosur themelet. Tani është koha që këto themele të ndërtohen më tej me një sistem që garanton rezultate.

Sepse ka ardhur koha që Maqedonia të ndërtojë me mençuri, të investojë në mënyrë strategjike dhe të japë rezultate konkrete.

Ju faleminderit.”

Accessibility Menu