Në kuadër të vizitës në Zagreb të Kroacisë, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, realizoi takim me ministrin e Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Digjital të Republikës së Kroacisë, Damir Habijan, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital, modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e infrastrukturës digjitale.
Në takim u shkëmbyen përvoja për zhvillimin e shërbimeve digjitale për qytetarët, me theks të veçantë te aplikacionet mobile dhe platformat përmes të cilave qytetarët kanë qasje më të lehtë në shërbimet e institucioneve.
U theksua se infrastruktura e fortë, interoperabiliteti ndërmjet institucioneve dhe shkëmbimi i sigurt i të dhënave janë kyçe për një transformim digjital efikas të sektorit publik.
Theks i veçantë iu kushtua përvojës kroate në digjitalizimin e punës arkivore, e-arkivit dhe sistemeve për menaxhimin e dokumenteve — DMS.
Ministri Andonovski theksoi se këto përvoja janë veçanërisht të rëndësishme për proceset që Ministria e Transformimit Digjital po i zbaton në drejtim të vendosjes së një administrate publike më efikase dhe transparente.
“Përvoja e pasur e Kroacisë në digjitalizimin e proceseve në administratën publike dhe gjyqësor është me rëndësi të jashtëzakonshme për procesin maqedonas të transformimit digjital.”
Në takim u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertëve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e arkivimit dhe menaxhimit elektronik të dokumenteve. Gjithashtu, u hap mundësia për bashkëpunim të përbashkët përmes projekteve “twinning” dhe mekanizmave evropianë për mbështetje të transformimit digjital.
Ministri Andonovski e theksoi Republikën e Kroacisë si shembull të mirë për digjitalizimin e sektorit publik dhe nënvizoi se bashkëpunimi me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian është me rëndësi të veçantë për përshpejtimin e proceseve reformuese në Maqedoni.
“Transformimi digjital është bazë për shërbime më të mira, më të shpejta dhe më të qasshme për qytetarët. Përvoja kroate në fushën e e-arkivit, qendrave të të dhënave dhe shërbimeve digjitale paraqet një shembull të rëndësishëm nga i cili mund të mësojmë dhe të zhvillojmë bashkëpunim konkret”, theksoi ministri Andonovski.
Të dy ministrat shprehën gatishmëri për vazhdimin e komunikimit dhe inicimin e aktiviteteve konkrete për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e transformimit digjital.
Takimi bilateral i ministrave është pjesë e vizitës së Andonovskit në Kroaci dhe pjesëmarrjes në Forumin e IDU-së. Si anëtar i Bordit Ekzekutiv të IDU-së, Andonovski do të marrë pjesë edhe në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv gjatë ditës së nesërme.