Mirëdita edhe nga unë.
Përshëndetje për ju gazetarët dhe për qytetarët.
Ky është një projekt me rëndësi shumëvjeçare, sepse është premtuar për disa dekada dhe unë jam i bindur se me realizimin e këtij projekti, por edhe të projekteve të ngjashme jo vetëm në Strugë por në të gjithë Maqedoninë, Qeveria me punën e saj, ngadalë por sigurt, po e thyen stereotipin e së kaluarës, se të gjithë politikanët janë njësoj, se të gjitha qeveritë janë njësoj, shohin vetëm veten e tyre, e jo për qytetarët.
Vlerësoj se me punën tonë, të përkushtuar dhe të fokusuar, natyrisht brenda mundësive dhe burimeve tona, atë që mundemi ta bëjmë e bëjmë ekskluzivisht në interes të qytetarëve.
Këtë e kam thënë shumë herë në të kaluarën dhe do ta përsëris edhe tani, mrekullitë nuk janë të mundshme, të gjithë ata që premtojnë mrekulli nuk e thonë të vërtetën, ne nuk jemi mrekullibërës, por do të japim gjithçka nga vetja, në zhargon sportiv do të thoja, do ta lëmë zemrën në fushë që qytetarët të kenë një jetë më cilësore dhe të përmirësojmë jetën e tyre, ky është frymëzimi ynë dhe për këtë jemi maksimalisht të përkushtuar.
Do të doja ta falënderoj kryetarin e komunës, i cili një pjesë të përvojës së tij menaxhuese e transferon në punën e tij këtu në Komunën e Strugës, të falënderoj kolegët nga Qeveria që janë sot këtu me mua, të falënderoj deputetët që vijnë nga Struga, të cilët luftojnë për më shumë projekte këtu në Strugë dhe në përgjithësi për bregdetin e Ohrit.
Jam i bindur se me politikat e Qeverisë, Struga është e njohur dhe Struga do të jetë një nga prioritetet tona kryesore në vitet që vijnë.
Faleminderit të gjithëve që e mbështesin punën e kryetarit të komunës, faleminderit administratës që ndihmon që e gjithë kjo të operacionalizohet dhe të funksionojë, dhe falënderimi më i madh shkon për qytetarët e Strugës që kanë durim dhe besojnë se kjo Qeveri mund të bëjë më shumë për ta dhe familjet e tyre, ndërsa ne si Qeveri japim fjalën se do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të realizuar gjithçka që kemi premtuar dhe nuk do të ndalemi këtu, do të përpiqemi të realizojmë edhe më shumë projekte, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Komunës së Strugës.