Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Në kushte krizash dhe problemesh të trashëguara kemi rritjen më të lartë të BPV-së në rajon dhe mesatarisht për tremujor, ajo është dy herë më e mirë se në kohën e LSDM-së dhe BDI-së

Mickoski: Në kushte krizash dhe problemesh të trashëguara kemi rritjen më të lartë të BPV-së në rajon dhe mesatarisht për tremujor, ajo është dy herë më e mirë se në kohën e LSDM-së dhe BDI-së

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve kushtuar ekonomisë, në kontekst të rritjes së BPV-së dhe stabilitetit ekonomik, deklaroi se ekonomia maqedonase tani shënon rritje dy herë më të lartë se në 6 tremujorët e parë të pushtetit të kaluar.

"Vitin e kaluar rritja reale e BPV-së ishte rreth 3,5%, ajo nominale rreth 8,2-8,3%. Nëse kësaj i shtohet rritja e BPV-së në vitin 2024, e cila realisht ishte rreth 3%, ndërsa nominalisht pak mbi 6%, atëherë mund të them se në këta 6 tremujorë të kësaj Qeverie kemi rritje mesatare prej rreth 3,5% për tremujor. Qeveria e kaluar në 28 tremujorët e saj ka pasur rritje mesatare nën 2%. Dhe tani ata do të thonë se në vitin 2020 kishim krizën e koronës e kështu me radhë, mirë, le t'i shohim 6 tremujorët e parë dhe përsëri janë nën 2%. Nëse krahasojmë 6 tremujorët e parë të kësaj qeverie dhe asaj të kaluarës, përsëri diferenca është 2:1", tha Mickoski.

Ai rikujtoi se masat e kovidit që ndërmori qeveria e kaluar kishin për qëllim korrupsionin brutal elektoral në zgjedhjet e vitit 2020 dhe rritën borxhin shtetëror dhe publik për 10% të BPV-së.
"Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se kjo rritje prej 3,5% në këta 6 tremujorë është në kushte kur rritja në Evropë është mezi 1%. Nëse krahasojmë cilindo periudhë, për shembull periudhën kushtimisht më të suksesshme nga viti 2006 deri në 2008, kur rritja ishte 5,5- 6- 6,2% etj., rritja në vetë BE-në ka qenë po aq. Kjo do të thotë se ka pasur parakushte që të ndodhë ajo rritje. Ne tani kemi 3,5% rritje reale në kushte kur Evropa është rreth 1%. Më tej, Ministria e Financave e konsolidoi deficitin buxhetor nga diçka mbi 4,5% e BPV-së që u trashëgua, dhe sot synojmë të jemi në 3,5%. Vitin e kaluar ishim nën 4%. Dhe në kushte kur po konsolidojmë deficitin, ne kemi rritje edhe reale edhe nominale, rrisim pagat që rriten me 8-9% dhe kemi çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon dhe në Evropë", shpjegoi më tej kryeministri dhe theksoi se po ndërmerren masa direkte fiskale nga buxheti.

"Në kushte të krizës më të madhe të energjensave pagat rriten, deficiti ulet, inflacioni ulet dhe po e paguajmë 'tatimin e solidaritetit'. Nga ky muaj ka filluar të kthehet tatimi i solidaritetit që e mori qeveria e kaluar. Ndërsa tani, siç po fillojnë të arrijnë aktgjykimet nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me atë limitin e lejuar gjyqësor, shpenzime shtesë do të duhet të paguhen nga buxheti, të cilat, të jem i sinqertë, nuk janë krijuar vetëm nga qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së, por nga të gjitha qeveritë e mëparshme. Dhe ajo shifër vlerësohet midis 700 milionë dhe një miliard euro. Përsëri kjo qeveri do të duhet ta kthejë atë", tha Mickoski.

Kryeministri përsëriti se përkundër të gjitha problemeve të trashëguara, në kushte krizash, ekonomia ka rritje e cila është më e madhja në rajon në vitin 2025, ndërsa këtë vit pritet rritje që do të jetë më e lartë se deficiti buxhetor, që do të thotë se gjendja është konsoliduar.

Accessibility Menu