Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, mori pjesë në seancën e 17-të të Bordit Drejtues të Shkollës rajonale për administratë publike (ReSPA) në nivel ministror, e cila u zhvillua në kuadër të konferencës „Partneriteti për Reforma: Dialog Ministror Ballkani Perëndimor – Itali“ në Romë, Itali.
Gjatë seancës u prezantua dhe u miratua Raporti Vjetor për periudhën nga 19 tetori 2024 deri më 19 tetori 2025, i cili thekson arritjet në reformat e administratës publike, si dhe Buxheti për vitet 2026–2027, i cili siguron vazhdimësinë e aktiviteteve dhe mbështetjen për vendet e rajonit.
Gjithashtu, u miratua Deklarata ministrore për reformën e administratës publike, e cila konfirmon angazhimin për bashkëpunim rajonal.
Këtë vit, deklarata fokusohet në modernizimin, digjitalizimin dhe avancimin e bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së.
Seanca përfundoi me dorëzimin solemn të kryesimit të Bordit Drejtues të ReSPA, nga ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, z. Maraš Dukaj, ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, znj. Snezana Paunoviç.
Në kuadër të kësaj iniciative të rëndësishme rajonale, ministri Minçev me pjesëmarrjen e tij konfirmoi përsëri mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Maqedonisë për avancimin e reformave në administratën publike, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin në standardet evropiane administrative.