Zëvendëskryeministri i Qeverisë së RMV-së dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, ka realizuar sot një takim pune me delegacionin e Ambasadës së RP të Kinës në Shkup, të kryesuar nga ambasadorja e sapoemëruar, znj. Jiang Xiaoyan.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku të dyja palët shprehën kënaqësinë për vazhdimësinë dhe cilësinë e marrëdhënieve dypalëshe. Ambasadorja Xiaoyan riafirmoi qëndrimin parimor të Republikës Popullore të Kinës për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë bisedimeve u theksua se marrëdhëniet mes dy vendeve karakterizohen nga mirëkuptimi, respekti dhe mbështetja shumëvjeçare, si dhe u vlerësua se ekziston një bazë solide për avancimin e mëtejshëm të tyre.
“Sfida nuk janë të vogla, njëjtë edhe kufizimet, por nuk do të heq dorë nga dritarja e bashkëpunimit me Kinën. Duhet t’i tejkalojmë pengesat dhe vullnetin ta shndërrojmë në bashkëpunim,” ka theksuar zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq, duke u ndalur edhe tek shkëmbimi tregtar mes dy vendeve: “Kemi një shkëmbim tregtar të pabalancuar, prandaj kërkojmë preferenca tregtare për produktet e Maqedonisë. Këto janë hapa të vegjël që duhet të fillojnë të realizohen dhe gjërat të shtyhen përpara.”
Ambasadorja shprehu gatishmërinë e saj të kontribuojë për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me synim forcimin edhe më të madh të marrëdhënieve partnere, me fokus në regjimin e vizave për qytetarët kinezë dhe me theks të veçantë në turizëm, për të cilin paralajmëroi një takim me tour operatorët lokal.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e mbajtjes së një dialogu të rregullt dhe të intensifikuar si parakusht për përparim të mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe. Të dyja palët shprehën gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe për të iniciuar projekte dhe aktivitete të reja që do të kontribuojnë në krijimin e lidhjeve edhe më të fuqishme dhe më të qëndrueshme mes RMV-së dhe RP të Kinës.