Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Minçev: LOPOASH është një hap drejt një administrate shtetërore më të qartë dhe më funksionale, institucioneve më të përgjegjshme dhe fundit të zgjerimit të pajustifikuar të aparatit shtetëror

Minçev: LOPOASH është një hap drejt një administrate shtetërore më të qartë dhe më funksionale, institucioneve më të përgjegjshme dhe fundit të zgjerimit të pajustifikuar të aparatit shtetëror

Ministria e Administratës Publike mbajti sot një diskutim publik për Propozim-ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Organeve të Administratës Shtetërore (LOPOASH), me të cilin përcaktohet një kornizë e re për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësinë e organeve të administratës shtetërore.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, theksoi se shteti duhet të dalë nga modeli në të cilin struktura institucionale ndikohet nga marrëveshjet e politikës së përditshme, duke krijuar mbivendosje të kompetencave, pengesa të panevojshme administrative dhe paqartësi lidhur me përgjegjësinë për rezultatet.

“Për më shumë se dy dekada, administrata shtetërore është përballur me pasojat e fragmentimit të institucioneve dhe krijimit të strukturave pa një arsyetim mjaftueshëm të qartë për ekzistencën e tyre. Kur kompetencat mbivendosen, përgjegjësia shpërndahet, ndërsa koston e një sistemi jofunksional e paguajnë qytetarët dhe ekonomia. Kjo duhet të ndryshojë. Institucionet nuk duhet të jenë instrument për përmbushjen e interesave partiake apo burokratike”, theksoi Minçev.
Gjatë fjalimit te tij, ai theksoi se zgjidhja e propozuar ligjore hap një proces të rëndësishëm për rregullimin e strukturës institucionale të shtetit, me funksione të ndara qartë dhe rregulla që do të mundësojnë zbatimin më efektiv të politikave publike.
“Organizimi i shtetit duhet të burojë nga nevojat e qytetarëve, funksionaliteti i institucioneve dhe interesi publik. Me LOPOASH-në vendosim bazat për një sistem në të cilin kompetencat përcaktohen qartë, ndërsa struktura institucionale ka arsyetimin dhe qëllimin e saj konkret”, theksoi Minçev.
Propozimligji parashikon përcaktimin më të saktë të marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë, ministrive, organeve në përbërjen e tyre, organeve të pavarura të administratës shtetërore dhe organizatave administrative.
Përcaktohen kritere për themelimin dhe funksionimin e organeve. Për organet e pavarura parashikohet mbajtja e një regjistri publik, si dhe një shqyrtim funksional dhe organizativ të paktën një herë në pesë vjet.
Në këtë mënyrë krijohet një mekanizëm për rishqyrtimin periodik të strukturës institucionale dhe të përputhshmërisë së saj me nevojat reale.
“Ndryshimi i dytë thelbësor ka të bëjë me mënyrën se si e kuptojmë përgjegjësinë institucionale. Çdo kompetencë duhet të përcaktohet qartë, çdo institucion duhet të ketë një funksion të caktuar, ndërsa burimet publike duhet të përdoren në mënyrë të përgjegjshme dhe racionale. Qytetarëve u detyrohemi një sistem në të cilin veprimet janë të parashikueshme, të ligjshme dhe profesionale”, theksoi ministri. Në diskutimin e hapur publik morën pjesë përfaqësues të komunitetit akademik, trupit diplomatik, institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave sindikale.
Përmes procesit të konsultimit, Ministria u mundëson ekspertëve dhe të gjitha palëve të interesuara që t’i shqyrtojnë zgjidhjet e propozuara dhe të kontribuojnë në përmirësimin e tyre përmes propozimeve të argumentuara.
Gjithashtu, propozim-ligji është publikuar në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik të Rregulloreve (ENER), me një afat prej 30 ditësh për konsultime.
LOPOASH është pjesë e agjendës së reformave të Ministrisë së Administratës Publike, e cila angazhohet për përmirësimin dhe profesionalizimin e shërbimit administrativ, si dhe për krijimin e një sistemi më funksional të administratës shtetërore.
Përmes reformave të koordinuara dhe bashkëpunimit me institucionet dhe ekspertët, Ministria mbetet e përkushtuar për krijimin e një administrate që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe do të kontribuojë në funksionimin më efikas të shtetit.

Accessibility Menu