Të nderuar qytetarë,
Të nderuara media,
Sot dua ta informoj opinionin për një rezultat konkret nga masat tona të orientuara drejt mbrojtjes së standardit të qytetarëve dhe stabilizimit të tregut të energjensave – uljen e çmimit të gazit të lëngshëm të naftës.
Nga mesnata, Makpetrol e uli çmimin me pakicë të gazit të lëngshëm të naftës, përkatësisht LPG për 5 denarë për litër, nga 59 në 54 denarë. Njëkohësisht, në tregtinë me shumicë është evidentuar ulje prej 10 denarësh për kilogram, që në përllogaritje do të thotë afërsisht 5 denarë për litër.
Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se edhe kompanitë e tjera në treg po e ndjekin këtë trend. Në pakicë, çmimet e gazit të lëngshëm të naftës në pikat e karburantit tashmë janë ulur në interval prej 5 deri në 6 denarë për litër dhe lëvizin nga 53 deri në 54 denarë.
Të nderuar, ky nuk është një hap i izoluar, por një reagim sistemik i tregut që vjen si rezultat i një sinjali të qartë institucional dhe koordinimi.
Dua të theksoj qartë se kjo ulje nuk është rezultat i një rastësie afatshkurte e tregut, por është rezultat i analizës nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe përmes marrëveshjes dhe përgjegjësisë së marrë nga tregtarët për uljen e marzhave bruto. Kemi arritur pajtueshmëri që këto marzhe të ulen dhe të mbahen në atë nivel edhe në periudhën në vijim, që të mos kemi luhatje si ato që mund të kishim – këtë javë ulje, ndërsa javën tjetër rritje – që do të thotë se për më shumë se 10% në tregtinë me shumicë dhe për 9 deri në 10% në pakicë do të kemi ulje.
Kjo masë erdhi përmes një analize të argumentuar dhe veprimit institucional. Në bazë të një analize të detajuar të realizuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, u identifikuan hapësirat për korrigjim në strukturën e çmimeve, pas së cilës pasuan bisedime me tregtarët dhe arritja e një marrëveshjeje për uljen e marzhave bruto.
Më lejoni këtu të shpreh falënderim për përgjegjësinë shoqërore që po tregojmë.
Ky është dallimi thelbësor në qasje. Në vend të politikave deklarative, ndërmarrim masa që japin efekt të drejtpërdrejtë në çmime. Në vend të ndjekjes pasive të tregut, ndërhyjmë në mënyrë aktive aty ku ekziston hapësirë për korrigjim në interes të qytetarëve.
Do të vazhdojmë me të njëjtën qasje, me analizë, dialog dhe rezultate konkrete. Tregu duhet të funksionojë, por duhet të jetë edhe i drejtë. Ndërsa interesi i qytetarëve do të mbetet prioriteti ynë kryesor.
Ju faleminderit.